“Shiko mos të kapin mallin”, zbardhen përgjimet e Balilit

Zbardhen përgjimet e “Eskobarit të Ballkanit”, Klemend Balili, i shpallur në kërkim me vendim gjykate, i akuzuar si një nga drejtuesit e organizatës kriminale që merrej me trafik të drogës në disa vende të BE. “ABC News” ka siguruar kopjen e vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” Klemend Balilit, ku janë pasqyruar 13 faqe format A4, me përgjimet e bisedave telefonike të Balilit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Në dosje, thuhet se këto përgjime konsistojnë të kryera pas orës 23:00 të darkës nga fundi i muajt prill deri më 8 maj 2016, ditën kur u godit grupi kriminal, ku edhe u arrestuan 16 të dyshuar në Greqi, 3 të dyshuar në Belgjikë, një person në Itali, një shtetas në Bullgari dhe u shpall në kërkim Klemend Balili. Sipas këtij vendimi, thuhet se biseda e fundit dhe aktivizimi i numrave që kishte në përdorim Balili janë mbyllur më datën 8 maj dhe nga ajo ditë nuk janë përdorur dy kartat dhe dy aparatet celular që ishin në përgjim nga autoritetet greke.
Nga këto përgjime, duket qartë se, Balili drejtonte rrjetin e trafikut të drogës, pasi gjithë kohës komunikon me dy skafistët e nisur nga Shqipëria që u arrestuan në Greqi si dhe biznesmenët grekë, që ishin edhe pritësit e drogës. Në një nga këto bisedat, që “ABC News” e publikon, biznesmeni grek i shpreh shqetësimin Balilit për bllokimin e rrugëve në Greqi nga greva e punëtorëve. Çka sipas bisedës, nuk mund të nisen kamionët e ngarkuar me drogë, për shkak të grevës nga shoferët dhe punëtorë të ndryshëm. Në një nga bisedat telefonike, Balili i thotë drejtuesit të automjetit ku ishte ngarkesa e drogës: “Shiko se mos të kapin mallin”. Gjithashtu janë transkiptuar edhe biseda për një shtetas kinez, i cili mendohet se mund të jetë një nga transportuesit e drogës nëpër Europë.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se, nga janari i vitit 2014 dhe deri më 8 maj të 2016 të dyshuarit vepronin në trafikimin dhe tregtimin e sasive të mëdha të kanabisit të papërpunuar dhe kokainës mes vendeve europiane – anëtarë të Bashkimit Europian. Si furnizues ishte Shqipëria me hashash dhe Greqia me kokainë, që më pas trafikohej drejt vendeve të ndryshme të Europës me mjete transporti ndërkombëtare, të përshtatura posaçërisht me vende të fshehta për fshehjen e lëndëve narkotike. Mjete të cilat klasifikoheshin në Bullgari dhe në Austri, si të besuar dhe në emër të personave të ndryshëm që përdoreshin për mbulimin e aktivitetit të paligjshëm në transportin e drogës për llogari të anëtarëve të organizatës kriminale. Sipas Prokurorisë, Klemend Balili dyshohet se është një nga organizatorët e rrjetit të trafikut të drogës, që për dy vite ka trafikuar në të gjithë vendet e BE-së rreth 3.8 ton hashash dhe 84 kg kokainë.
Sipas dokumentave, sasi të mëdha marijuane niseshin nga zona e Sarandës në Shqipëri me det për mbi 100 kilometra deri në Gjirin e Korinthit në Greqinë Qendrore, nga ku dërgoheshin në vendet e Bashkimit Europian, duke përdorur kompani false transporti. Në Belgjikë, autoritetet zbuluan hallkën belge të drejtuar nga një shqiptar, i dyshuar dhe hetuar pa sukses më herët nga Prokuroria shqiptare për pastrim parash.
Media greke raportoi atëherë se kreu i organizatës kriminale ishte një zyrtar shqiptar, drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Sarandë, por ky rezultonte figurë tepër e fuqishme dhe nuk arrestohej për shkak të lidhjeve të tij me qeverinë shqiptare. Autoritetet shqiptare heshtën, duke mos marrë asnjë masë për arrestimin e Balilit, ndonëse ai ishte në detyrë si drejtor i Transportit Rrugor në Sarandë.
Jo vetëm kaq, por Ministria e Brendshme u përpoq të mbrojë veten, duke përgënjeshtruar lajmet e medias greke dhe duke argumentuar se kishte bashkëpunuar me operacionin ndërkombëtar, por sërish heshti në lidhje me Balilin. Përgjatë të gjithë ditës së 11 majit, ndërsa media greke raportonte mosveprimin e autoriteteve shqiptare për arrestimin e tij, ndërsa autoritetet shqiptare u vunë në mbrojtje të tij.
Ndonëse po mbushet një vit nga shpallja në kërkim, Klemend Balili vazhdon të jetë i lirë. Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Balilin, ndërsa policia ka ndërprerë aksionet e kërkimit për “Eskobarin e Ballkanit”.

R.POLISI

Artikulli paraprak“Hakmarrja për Drejtësi”, 4 skafe me drogë për çdo natë
Artikulli tjetërCasini: Të dhënat janë shqetësuese për drogën