Shfuqizim ligjit të arsimit, me 18 shkurt vendimi i madh

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua dje me të rinjtë e Degës 7 në Tiranë ku u shpreh mbështetja për lëvizjen e madhe që nis më 18 shkurt.
“Po ndodh diçka e madhe. Kudo në Shqipëri njerëzit po ngrihen, njerëzit po zgjohen, njerëzit po mobilizohen. Sepse më 18 shkurt nuk kemi thjesht një protestë opozitare, por fillimin e një lëvizjeje popullore për të rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur dhe mundësitë për çdo shqiptar, për çdo të ri në vend”, u shpreh Basha.
Të rinjtë janë më të goditurit nga qeveria, për shkak të papunësisë dhe sidomos me ligjin e arsimit të lartë.
“Një shtet që mendon për rininë dhe nuk vepron kundër rinisë. Këtë do të garantojë Partia Demokratike përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për këtë ua jap fjalën sot, jo vetëm këtyre të rinjve, por të gjithë të rinjve shqiptarë. Akti im i parë do të jetë anulimi i ligjit për arsimin e lartë”.
Basha tha se, “do të ketë tarifa të përballueshme sepse paratë e taksapaguesve nuk do të zhduken në xhepat e klientëve të lidhur me Edi Ramën, por do të shkojnë për të financuar arsim të lartë dinjitoz dhe plotësisht të pagueshëm dhe të përballueshëm për çdo të ri dhe të re shqiptare”.
“Stazhe pune të paguara për një vit për 10 mijë të rinj në vit. Këto janë zgjidhjet që do të japë qeveria ime që vitin e parë. Po, kushtojnë 24 milionë euro në vit që 10 mijë shqiptarë të mos rrinë kafeneve, por të fillojnë një stazh pune të paguar nga shteti muaj për muaj për një vit, me anë të të cilit do të krijojnë njohje, do të krijojnë përvojë pune, do të jenë më të aftë për të hyrë në një treg pune që do të jetë i çliruar nga ankthi dhe stresi, nga taksat e larta dhe kërbaçi.
Por që të vijnë të gjitha këto, ne duhet të heqim pengesën kryesore, kanë marrë peng Shqipërinë, kanë marrë peng mundësinë e çdo shqiptari.
Fërkojnë duart kur rinia largohet nga Shqipëria sepse e dinë që rinia është rreziku më i madh për qëllimin e tyre kryesor. Dhe qëllimi i tyre kryesor është ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është, por ne nuk do t’i lejojmë. Rinia po bashkohet, qytetarët po bashkohen. 18 shkurti do të jetë nisja e një lëvizje që do të përfundojë me fitoren e çdo qytetari shqiptar”.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se paratë e prindërve, paratë e taksapaguesve shqiptarë do të shkojnë për të financuar plotësisht universitetet publike dhe nuk do të ketë asnjë student që do të mbetet pa studiuar, të mbetet pa hyrë në bachelor apo në master sepse nuk paguan dot.
Basha ka një plan konkret dhe për futjen e të rinjve në tregun e punës.
“Do të financojmë stazhe pune të paguara për një vit për 10 mijë të rinj. Këto janë zgjidhjet që do të japë qeveria ime që vitin e parë. Po, kushtojnë 24 milionë euro në vit, që 10 mijë shqiptarë të mos rrinë kafeneve, por të fillojnë një stazh pune të paguar nga shteti muaj për muaj për një vit, me anë të të cilit do të krijojnë njohje, do të krijojnë përvojë pune, do të jenë më të aftë për të hyrë në një treg pune që do të jetë i çliruar nga ankthi dhe stresi, nga taksat e larta dhe kërbaçi”, shpalli Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike ndau me të rinjtë optimizmin për ndryshimin që po vjen.
“18 shkurti është një ditë shprese, një ditë besimi dhe bashkimi, fillimi i një lëvizjeje të madhe që nis me një vendim të madh, që do ta marrim së bashku më 18 shkurt në Tiranë.
Një vendim që do ta çojmë pastaj në çdo cep të Shqipërisë. Vendimi që përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do të diktojmë një qeverisje ndryshe, një qeverisje të qytetarëve, një shtet ndryshe, jo shtetin që vret mundësinë, shpresën e çdo të riu dhe i detyron të emigrojnë apo të shkojnë në parcelat e drogës, por shtet i cili financon arsimin e tyre, financon përvojën e tyre të punës dhe mbështet hapjen e vendeve të punës, në radhë të parë për rininë”, deklaroi Lulzim Basha, duke theksuar se kur qytetarët ngrihen, kur rinia ngrihet, kur bashkohemi nuk ka qeveri të korruptuar e të inkriminuar ta mbajë peng Shqipërinë, ta mbajë peng rininë, t’i mbajë peng prindërit e tyre, të mbajë peng interesin publik.

Arben Shahini

Artikulli paraprakDouglas Costa në hije me Ançelotin
Artikulli tjetërRusia e sheh Rumaninë si kërcënim