SHËNIM/ Shuplaka e Ambasadës Amerikane, BE-së dhe Gjermane/ Si e keqpërdorën deputetët e “Rithemelimit” reagimin e ndërkombëtarëve?

Ka pasur një reagim të koordinuar të përfaqësisë ndërkombëtare në Tiranë lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë.

Ka qenë në fillim Ambasada Amerikane, përmes “Zërit të Amerikës”, e ndjekur nga përfaqësia e Bashkimit Evropian në Tiranë dhe në fund ambasadori gjerman.

Të tri deklaratat janë në të njëjtën linjë lidhur me shqetësimin e tyre për mosfunksionim normal të Parlamentit, ashtu sikurse shprehen të pakënaqura me rolin dhe funksionin mbikëqyrës ndaj ekzekutivit.

Ndonëse, në thelb, reagimet kanë qenë një shuplakë e qartë për kaosin e shkaktuar nga deputetët e “Rithemelimit” dhe për mazhorancën socialiste, kanë qenë deputetët e grupimit të Sali Berishës, të cilët, në mënyrë të paskrupullt, kanë keqpërdorur dekaratat dhe kanë interpretuar sikur kanë qenë në mbështetje të tyre.

Nuk është hera e parë që këta deputetë e bëjnë një gjë të tillë në emër të ndërkombëtarëve në Tiranë.

Kujtojmë pak kohë më parë se me të njëjtën gjuhë foli edhe deputeti Gazment Bardhi, gjë që shkaktoi reagim të menjëhershëm të Ambasadës Amerikane dhe prezencës së BE-së në Tiranë, lidhur me qëndrimin ndaj Sali Berishës si “non grata”, mos ndryshimit të raportit me të dhe këshillimit të deputetëve të këtij grupimi të mos bashkëpunojnë me politikanë të dizenjuar si minues të demokracisë, shantazhues të sistemit të drejtësisë dhe ushtrues të korrupsionit masiv.

Edhe pse nuk kanë kaluar shumë kohë, thuajse, të njëjtët deputetë, vijojnë të tallen dhe të keqcitojnë deklaratat e ndërkombëtarëve në Tiranë.

Nëse do të lexohen me kujdes shqetësimet e ambasadorëve, do të shihet se, ndonëse me një gjuhë diplomatike dhe të kujdesshme, theksi vihet te funksionimi normal i Parlamentit, mospengimi i punës së tij dhe te interesi i qytetarëve dhe jo i ndonjë tjetri.

Po të shihet, më shumë se sa një shuplakë për qeverinë dhe për pamundësinë e saj për t’i mundësuar opozitës më shumë kontroll, reagimi përqëndrohet pikërisht te veprimet e fundit të deputetëve të “Rithemelimit”, të cilët kanë asfiksuar punën normale të Parlamentit, kanë penguar zhvillimin e seancës më të rëndësishme vjetore, siç është ajo e diskutimit dhe e miratimit të projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm dhe nuk po flasin për hallet dhe shqetësimet e qytetarëve, por vetëm për hallin dhe problemin penal të Sali Berishës dhe familjes së tij.

Kjo nuk është normale, por nëse këta deputetë do të vijojnë me papërgjegjshmëri të tilla, nuk do të jetë e largët dita që për çdo keqcitim dhe keqpërdorim të deklaratave të ambasadave në Tiranë, të vijë një shuplakë e radhës për të sqaruar keqcitimin e mëparshëm.

Artikulli paraprakBerisha mban me shpresë të kotë militantët/ Na duhet kohë për protestat, nuk kemi bindur ende shqiptarët
Artikulli tjetërDrafti për reformën zgjedhore – Daci: Partitë e vogla në situatë të disfavorshme, propozimet e Bashës të shëndosha