SHËNIM I RD-së/ Deputetë pa shtyllë kurrizore, dje mbrojtës të flaktë të Lulzim Bashës, sot e sulmojnë me gjuhën e Edi Ramës

Debati mbi financimet ruse dhe lobimin e paligjshëm është rikthyer sërish.

Një artikull i BBC-së, i shpërndarë pa asnjë filtër dhe pa asnjë koment shoqërues, ka ricikluar akuzat për lobim të paligjshëm të Partisë Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës.

Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet zëdhënëses së saj për shtyp, Mirela Karabina, duke u treguar e arsyeshme, e vetëpërmbajtur, argumentuese,  dhe, në dallim nga gjuha e përdorur dikur nga Sali Berisha, i cili e quante ‘letër higjenike’ gazetën amerikane “New York Time-sin” vetëm se kjo kishte bërë një investigim ku përfshinte djalin e tij në çështjen e demontimit të armëve në Gërdec.

Madje, PD zyrtare ka bërë me dije se nëpërmjet një e-maili sqarues, i ka ofruar disa fakte BBC-së, duke sqaruar se çështja është e tejkaluar dhe e vjetëruar për të, ndërsa drejtësia shqiptare ka hetuar dhe ka dhënë një vendim, ashtu sikurse ajo amerikane ka një çështje dhe dënim ndaj rastit McGonigal.

Deri këtu gjithçka duket në rregull.

Më shumë se sa detajet e lobimit rus që pretendohet se kanë favorizuar Lulzim Bashën, në këtë riciklim të akuzave të vjetra nga njerëz të rinj, tërheq vëmendjen një ndryshim rrënjësor dhe i befasishëm i një grupi deputetësh, të cilët dje kanë qenë mbrojtës të zjarrtë të Lulzim Bashës, ndërsa sot e akuzojnë atë me gjuhën e Taulant Ballës, Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste.

Duket ironike, por është e vërtetë.

Ata që deri më dje të hidheshin në grykë dhe të mbytnin për Bashën, sot bëjnë humor dhe ironi, duke ricikluar akuzat e kundërshtarëve të tyre.

Në fakt, të vetmit që të bëjnë për të qeshur dhe të shkaktojnë humor janë ata që nuk janë treguar koherent në gjykimet dhe mendimet e tyre, por i kanë ndryshuar në pak kohë nga mbrojtës në akuzues.

Pavarësisht akrobacive të tyre, shqiptarët janë të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm për të bërë dallimin e duhur mes mbrojtësve të dikurshëm dhe akuzuesve të sotëm.

Veprime dhe qëndrime të tilla përveçse shtojnë mosbesimin te publiku, nuk shkaktojnë asgjë tjetër.

Qëndrime të tilla tregojnë edhe një herë se çdo të thotë t’i bashkohesh Sali Berishës në një betejë aspak parimore dhe të jesh në krah të tij, çka të detyron për të qenë agresivë, gënjeshtar dhe shpifës, sepse këto janë tregues të besnikërisë dhe rruga e vetme e suksesit, karrierës dhe shkallëve hierarkike përkrah tij.

Artikulli paraprakÇmimi i bukës do rritet 30-40 lekë…
Artikulli tjetërLufta Izrael-Palestinë, propozimi i Papa Françeskut: Zgjidhja ideale, ajo me dy shtete dhe Jerusalemi me status të veçantë