Shënim/ Amnistia penale, pse është kaq arrogante PS-ja?

Javën që po lëmë pas, politika në vend, u përfshi nga debati për amnistinë penale.

Seancën e së enjtes, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, njoftoi tërheqjen nga rendi i ditës pa dhënë asnjë argument për këtë gjë, mirëpo, u kuptua qartë se PS-ja nuk i kishte votat, dhe po të rrëzohej në Kuvend, i gjithë procesi do duhej të fillonte nga e para.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi përpara së enjtes dhe pas saj, se PD nuk do të merrte pjesë në proces dhe nuk do të bëhej pjesë e një votimi, ku amnistoheshin të dënuarit nga SPAK dhe GJKKO-ja dhe nuk amnistoheshin qytetarët e thjeshtë që kishin protestuar për të drejtën e tyre, që u shkelej nga zyrtarët e korruptuar.

Përveç kësaj, Basha u shpreh se kjo manovër e PS-së për të futur në amnisti edhe zrtarët e dënuar për korrupsion nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme, në fakt, ishte një mesazh që i çohej drejtësisë së re: “Ju i dënoni, ne i lirojmë!”

Miratimi i amnistisë penale kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash dhe praktikisht ky kushtëzim i fortë i Bashës, e ka bërë të pamundur miratimin e saj, për sa kohë që PS-ja nuk reflekton dhe nuk pranon dy kërkesat e panegociueshme të PD-së së Bashës: Heqja e nenit për përfshirjen e zyrtarëve të korruptuar në amnisti dhe amnistinë e përgjithshme për të gjithë protestuesit që janë ngritur për të drejtat e tyre.

Nëse PS-ja do të kishte vullnet, do duhej të reflektonte dhe të shihte mundësinë për përmirësim të ligjit që do votohej, mirëpo ndodhi pikërisht e kundërta.

Në fillim, Bledi Çuçi dhe më pas Ulsi Manja, me një arrogancë më të theksuar se i pari, u shprehën se “PS i ka solide votat, por kemi dhe vota të tjera në kuvend. 84 vota për të votuar amnistinë janë gjithmonë në parlament” (Çuçi).

Manja ishte edhe më brutal me arrogancën e tij, kur deklaroi: “Nuk duam votat e Lulzim Bashës me kusht. Duam votat e Kuvendit të Shqipërisë. Votat janë aty në sallë. Do ketë mbi 90 vota ky ligj, ka deputetë të përgjegjshëm në atë sallë. Një pjesë të atyre kanë qenë shtysë që të sjellim një ligj”.

Jo vetëm arrogante këto deklarata të tyre, por edhe delirante, çka tregojnë shkëputjen e lidhjes së tyre me realitetin dhe epshin e tyre të madh për pushtet për të pasur 84 apo 90 vota të vetëm dhe një lloj mllefi të paparë se pse njerëzit nuk u kishin dhënë më shumë vota për të bërë siç ata do donin në Kuvend.

Nëse ata i paskan aq vota sa deklarojnë, pse nuk e votojnë amnistinë penale dhe pse bëhen pengesë për të përfituar ata që duhet të përfitojnë nga kjo amnisti?

Arroganca e tyre është përzier edhe me delir dhe në një vend ku askush nuk mban përgjegjësi për ato që thotë, edhe dy njerëzit e pushtetit ia fusin si ‘e ëma e Zeqos’ në shkallët e Kuvendit.

Është për të ardhur keq që nga kjo arrogancë dhe kjo sjellje e njerëzve të gjithëpushtetshëm, por jo aq sa për të votuar ligje që kërkojnë votë të cilësuar, bën të mundur që të mos përfitojnë rreth 700 persona që kanë marrë dënime, 2500 që janë në shërbim prove, ndërsa ulje dënimi do të përfitojnë një numër më i madh të dënuarish/ Namir Lapardhaja

Artikulli paraprakLejet e ndërtimit, bashkitë injorojnë kushtet dhe zbatimin e projekteve në terren
Artikulli tjetër“Shpërblimi” i Tiranës zyrtare për stabilitetin në rajon është kompromentuar nga korrupsioni masiv