SHBA: Shqipëria qendra e krimit të organizuar në rajon

Departamenti amerikan i Shtetit ka hartuar një nga raportet më të ashpra ndaj qeverisë Rama, duke evidentuar të gjithë fenomenet kriminale që e shoqërojnë atë. Raporti është i prerë dhe e konsideron Shqipërinë si qendrën rajonale të krimit të organizuar. Kurrë më parë Departamenti amerikan i Shtetit nuk kishte arritur në një përfundim të tillë gjatë këtyre 26 viteve. “Shqipëria shërben si qendër rajonale nga organizatat e krimit të organizuar. Të ardhurat e paligjshme pastrohen shumë lehtë”, thuhet në raportin e Deparamentit amerikan të Shtetit. Konsiderimi si qendër rajonale e krimit të organizuar nënkupton instalimin e mafies në pushtet. Deklaratat e Departamentit të Shtetit nuk janë të rastësishme. Ato vijnë pas konstatimeve dhe deklaratave publike të Shteteve të Bashkuara drejtuar Ramës dhe qeverisë për të luftuar krimin e organizuar, dhe rasti më kuptimplotë është mos arrestimi i baronit të drogës, Klement Balili për të cilin agjensia DEA amerikane dhe ambasadori i saj në Tiranë në mënyrë të përsëritur kërkuan arrestimin nga policia.
Raporti është një paralajmërim i qartë i një ndarje të thellë dhe të plotë të Shteteve të Bashkuara me bandën e krimit në pushtet. “Të ardhura të konsiderueshme përfitohen edhe nga trafiku i drogës, evazioni fiskal, kontrabanda dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të mëdha të marijuanës, kryesisht në vendet evropiane, si dhe është vend tranzit për transportin e heroinës afgane dhe kokainës, duke shërbyer si portë kryesore për shpërndarjen e heroinës në të gjithë Europën”, thuhet në raport.
Në raportin që hartohet për të gjitha shtetet, Shqipëria paraqitet si një vend me probleme të theksuara të korrupsionit dhe kultivimit e trafikimit të drogës. Sipas DASH, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave në Shqipëri përfitohen në mënyrë të paligjshme nga pastrimi i parave dhe nga droga. Kjo e fundit zë një vend të rëndësishëm në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, duke rënduar akoma më tej pozitën e qeverisë që thotë se lufta ndaj trafikut të drogës është rritur. Tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për kultivimin dhe shitjen e kanabisit, por edhe për drogëra më të forta siç janë kokaina dhe heroina. Vendi ynë është shndërruar në një pikë kyçe për grumbullimin e këtyre drogërave, për t’u trafikuar më pas në Evropën Perëndimore. “Vendi vazhdon të jetë në rrezik të lartë për shkak të pastrimit të parave dhe korrupsionit të shfrenuar. Pjesa më e madhe e ekonomisë së Shqipërisë është informale, me prurje të mëdha të parave nga reminitancat”, thekson raporti i DASH, duke i kushtuar rëndësi trafikut të heroinës dhe kokainës, përveç kanabisit. Po kështu, DASH flet edhe për korrupsionin në qeveri e institucione të tjera. Edhe pse janë miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, mbetet i ulët numri i procedimeve penale ndaj zyrtarëve, si dhe referimet për rastet e pastrimit të parave. Në raport janë bërë kritika edhe ndaj sistemit të drejtësisë, duke u bërë thirrje autoriteteve që të zbatojnë Reformën në Drejtësi në mënyrë që të luftojnë korrupsionin, krimin ekonomik dhe pastrimin e parave që vijnë nga aktivitetet e jashtëligjshme.

Artikulli paraprakShefi i Guardia di Finanza-Tahirit: Vetëm këtë vit kapëm 20 ton kanabis
Artikulli tjetërNuk ka zgjedhje pa qeveri teknike, katër detyrat e saj