Qëndrimi amerikan: Nuk ka zgjedhje pa opozitën

Në një deklaratë të Departamentit të Shtetit lëshuar të enjten, thuhet se nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike, ambasadori Thomas A. Shannon, u takua me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, për të folur mbi interesat e përbashkëta në marrëdhëniet dypalëshe dhe në rajon.
Nënsekretari Shannon, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit, riafirmoi partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, mbështetjen e fortë të SHBA ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për reformën e gjyqësorit dhe angazhimin e përbashkët ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Nënsekretari Shannon, thuhet në deklaratë, theksoi gjithashtu rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjitha partive politike në Shqipëri  në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kjo deklaratë është kapur nga Rama që në mëngjesin e ditës së djeshme, duke u keqinterpretuar në përkthim. Rama thotë se, Departamenti i Shtetit i ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të marrin pjesë në zgjedhje. Kjo sikurse shihet edhe në deklaratën e bërë publike nga DASH nuk ekziston në asnjë fjali të saj. DASH nuk ka bërë thirrje për partitë politike, DASH i ka bërë thirrje qeverisë. Pikërisht këtu ndodh edhe keqpërdorimi që Rama i bën deklaratës së Departamentit amerikan të Shtetit. Për ta kuptuar më qartë, zyrtari amerikan është takuar me ministrin e Jashtëm. Pikërisht në këtë takim sikurse shprehet edhe njoftimi zyrtar, Shannon i ka bërë të qartë ministrit dhe përmes tij qeverisë rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë pjesëmarrjes së të gjitha partive politike në zgjedhje. Kjo fjali është mjaft kuptimplotë kur i bëhet qeverisë dhe ministrit të Ramës, sepse janë këto të fundit që po kërkojnë të bëjnë zgjedhje pa opozitën më 18 qershor. Ndaj edhe reagimi i Departamentit të Shtetit ka qenë mjaft i pastër dhe i qartë, duke paralajmëruar Ramën se çfarë pasojash mund të kishte një proces zgjedhor pa opozitën. Nëse Shannon thotë se është mjaft e rëndësishme që në zgjedhje të marrin pjesë të gjitha partitë politike, atëherë është e kuptueshme se një proces zgjedhor pa të gjitha partitë politike nuk është i rëndësishëm. Departamenti amerikan i Shtetit i ka prerë rrugën kështu zgjedhjeve pa opozitën përmes një deklarate të shkurtër.
Rama po bën sikur nuk e kupton deklaratën e Departamentit të Shtetit dhe për më keq akoma mundohet ta interpretojë atë në favor të vetes. Kjo është pjesë e manipulimit të tij që i ka bërë edhe mediave rreth vetes të blera me paratë e drogës dhe korrupsionit, por kjo nuk e zbeh aspak mesazhin amerikan. Nënkuptimi i deklaratës së Departamentit të Shtetit e thënë me politikë është se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë. Rama po mundohet ta injorojë këtë zë. Ai iu kundërpërgjigj deklaratës amerikane duke thënë, se do të ketë zgjedhje më 18 qershor pa opozitën. Pra, një injorim i deklaratës së Shanon sipas të cilit është shumë e rëndësishme që të gjitha partitë të jenë pjesëmarrëse në zgjedhje.
Edhe ministri i Ramës, Bushati e ka tradhëtuar në intervistën në “Zërin e Amerikës”. I pyetur për zgjedhjet, ai tha se nga Departamenti i Shtetit ka marrë përgjigjen për nevojën që të gjithë aktorët politikë të marrin pjesë në zgjedhje.
“Dëshiroj të ritheksoj dhe të komunikoj me opinionin publik, atë çka m’u bë me dije sot (20 prill) në takimin me nënsekretarin amerikan të Shtetit, Tom Shanon, në lidhje me dy vija apo dy linja të qarta të politikës amerikane në lidhje me Shqipërinë. Së pari, për të mos e bllokuar dhe për ta çuar më tej zbatimin e Reformës në Drejtësi, procesin e domosdoshëm të vetingut të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe institucionalizimin e Arkitekturës së re në fushën e Drejtësisë, pra ngritjen e institucioneve të reja në fushën e drejtësisë; dhe së dyti, nevojën për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit të të gjithë aktorëve politikë dhe për të bashkëpunuar ngushtësisht jo thjesht me njëri-tjetrin, por me OSBE-ODIHR-in, për të zbatuar rekomandimet që do ta bënin këtë proces më të ndershëm, më të drejtë për të gjithë”, tha Bushati.
Kur një kërkesë i parashtrohet një qeverie si mjaft e rëndësishme që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor të gjitha partitë, nënkupton se është qeveria ajo që duhet të krijojë kushtet për pjesëmarrje. Se cilat janë këto kushte dihen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Uashington dhe kushti kryesor është krijimi i qeverisë teknike.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakKërcënimi i Nikollës: Sot, në takimin e Ramës, ose ikni
Artikulli tjetërZgjidhje me dialog, ose populli do ta marrë në dorë