Sekuestrohen 1.5 ton drogë në det, helikopteri italian hap zjarr

Një gomone e ngarkuar me 1.5 ton kanabis u kap pasditen e djeshme rreth orës 16:00 në një operacion që nisi që një natë më parë. Gomonia me motorë të fuqishëm nga 400 cv drejtohej nga 3 shqiptarë dhe ishte nisur nga brigjet e Vlorës. Burime zyrtare thanë se ajo është nisur nga Jugu i Shqipërisë, ndërsa u pikas në afërsi të Korfuzit dhe është bllokuar nga Guarda di Finanza italiane. Policia shqiptare tha se kishte njoftuar Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë, por janë sinjalizuar dhe janë aktivizuar edhe njësitë e Guardia di Finanza në Bari e Taranto si dhe Frontex. Më pas, gomonia u pikas në afërsi të Kalabrisë ku ka nisur ndjekja në det të hapur.
Ndjekja filloi mbrëmjen e 6 prillit dhe përfundoi rreth orës 16:00 të 7 prillit në pjesën fundore të Greqisë. Në pamjet e ndjekjes të publikuar nga policia, duket qartë se si helikopteri i Frontex ka hapur zjarr ndaj gomones me 3 shqiptarë. Në ato pak sekonda të bëra publike duket se si dy herë helikopteri ka hapur zjarr mbi gomonen, pasi shihen gjurmët në ujë. Kjo me siguri ka qenë një lëvizje paralajmëruese nga forcat italiane për të ndalur gomonen.
Sasitë e mëdha të drogës që po dalin nga Shqipëria kanë shqetësuar edhe vendet fqinje, që kanë filluar të marrin masa. I tillë është rasti i Italisë. Një bateri njerëzish të stërvitur për të luftuar krimin do të krijohet këtë muaj në provincën e Foggia-s në Itali. Bëhet fjalë për Njësinë e Antikrimit të ROS, grupimi i posaçëm special i karabinierëve të Italisë, që do të varet nga Prokuroria e Qarkut.
Këtë e ka njoftuar zyrtarisht Giuseppe Governale, komandanti i grupimit të posaçëm special të karabinierëve. Sërish, në vëmendjen e hetuesve do të jenë trafiqet e drogës nga Shqipëria në Itali, me zbarkimet e marijuanës në Gargano, në gjirin “San Felice”, shkruajnë mediat italiane.

Shqiptari kapet me 40 kg drogë në Itali

Një 49-vjeçar shqiptar është arrestuar pasditen e djeshme nga policia italiane e Tarantos. Mediat italiane thonë se policia ka sekuestruar një sasi prej 40 kg drogë të llojit marijuanë. Teksa patrullonin në zonën mes Tarantos e San Giorgios, agjentët vunë re prezencën e një makine të dyshimtë. Nën drejtimin e automjetit ishte 49-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga mediat lokale, që shkruajnë se gjatë kontrollit, ai shfaqi shenja nervozizmi. Pas kontrollit në brendësi të bagazhit të makinës, u gjet sasia e drogës e ndarë në 11 pako. Hetimet vijojnë për të zbuluar burimin dhe destinacionin e drogës.
Para dy ditësh, policia italiane sekuestroi 54 kg kokainë dhe armë në dy operacione dhe vuri në pranga katër shqiptarë. Mediat italiane shkruajnë, se dyshohet se droga dhe armët janë futur nga Shqipëria. Fillimisht policia italiane sekuestroi 44 kg kokainë në Romë dhe vuri në pranga një 45-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Në momentin që shqiptari ka parë policinë përpara, ka tentuar që të ikë me vrap, por është kapur nga agjentët. Drogën, ai e kishte ndarë në ‘bukë’ dhe e kishte fshehur në vende të ndryshme të makinës së tij rregulluar posaçërisht për trafik. Pas arrestimit është bërë edhe një kontroll në banesë, ku i janë gjetur edhe 150 mijë euro dhe dy pistoleta të mbushura, gati për t’u përdorur.
Po ditën e djeshme në një tjetër operacion, policia italiane sekuestroi rreth 10 kg kokainë e heroinë. Droga është sekuestruar nga karabinierët e Chieti-t në Itali, të cilët kanë arrestuar edhe tre shqiptarë. Në pranga janë vënë Armando Greca, 25 vjeç, Moris Greca 21 vjeç e Amendea Japuaj 23 vjeçe. Zyrtarë të policisë italiane i kanë bërë publike detajet e operacionit, pasditen e djeshme. Droga, sipas karabinierëve, nëse do të hidhej në treg do të gjeneronte rreth 1 milion euro.
Efektivët kanë kryer një kontroll rutinë në makinën tip “Smart For Tëo” që drejtohej nga Moris Greca, ku u gjetën 900 gr kokainë e cilësisë së lartë, të ndara në dy paketime. Ajo që i ngjalli dyshime agjentëve ishte sjellja nervoze e të riut.

Trafik droge nga Shqipëria, goditet grupi i trafikantëve në Greqi

Policia greke ka asgjësuar një tjetër grup kriminal që kishte trafikuar më shumë se 100 kg kanabis të sjellë nga Shqipëria, si dhe kokainë e heroinë. Në fakt, është një çështje që kishte filluar të zbardhej qysh në nëntor të vitit të kaluar, kur policia kishte kryer disa arrestime në flagrancë në zonën e Agrionios. Bëhet fjalë për zbulimin dhe sekuestrimin e sasive të ndryshme të drogës, deri në fund të muajit shkurt.
Ndërkaq, Njësia Antidrogë i ka dhënë grupit kriminal goditjen përfundimtare të enjten dhe të premten paradite, me arrestimin e 10 personave të tjerë në zona të ndryshme të Etoloakarnanisë. 8 prej tyre janë grekë, ndërsa dy janë shtetas shqiptarë, të moshës 29 dhe 36 vjeç. Si pjesëtarë të të njëjtit grup kriminal janë identifikuar edhe një tjetër shtetas shqiptar dhe dy grekë, të cilët janë arrestuar më herët dhe aktualisht po vuajnë dënimet në burgjet greke. Këta të tre, si dhe dy shtetasit shqiptarë që u arrestuan të premten, ishin pesëshja drejtuese e grupit.
Sipas komunikatës së policisë, nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se grupi kishte trafikuar dhjetë muajt e fundit të paktën 100 kg kanabis, një kg heroinë dhe 100 gr kokainë. Ndërsa fitimi nga i gjithë ky trafik përllogaritet në 220.000 euro.
Gjatë kontrolleve të ndryshme në banesat e të arrestuarve, të kryera në prani të prokurorëve, janë sekuestruar sasira të vogla drogash të ndryshme, pesë peshore precizioni, pesë automjete dhe një motoçikletë, një armë gjahu dhe 12 fishekë, 24 blloqe shënimesh me numra telefonash si dhe shënime për shuma parash.
Autoritetet greke kanë dhënë alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria. Vetëm në 3 muajt e përë të këtij viti janë kapur në Greqi 3.5 ton drogë nga Shqipëria me vlerë 10 milionë euro. Shifrat janë bërë publike nga policia greke, e cila thekson se pjesa më e madhe e lëndëve narkotike të kapura kanë hyrë nga Shqipëria dhe kanë qenë të destinuara për tregun grek.
Vlera e sasisë prej 3.5 ton drogë të kapur në Greqi shkon në rreth 10 milionë euro. Kryesisht është trafikuar kanabis sativa, por nuk kanë qenë të pakta rastet e kapjes të heroinës dhe kokainës. Sipas mediave greke, çmimi i heroinës varion 15-30 euro për gram dhe 12 mijë deri në 20 mijë euro për kilogramë. Kurse çmimi i kokainës është disa herë më i lartë, 60-100 euro për gram dhe 30 mijë deri në 60 mijë euro për kilogram.

Artikulli paraprakRendi jashtë kontrollit të policisë, 3 të plagosur me armë në Elbasan
Artikulli tjetërVjedhja e dokumentave sekrete në polici, Prokuroria nis hetimet