Schafer: Programi i PD sjell rimëkëmbjen e ekonomisë

“Ky program lejon menaxhimin e buxhetit të shtetit për ta bërë më të aksesueshëm edhe për sipërmarrësit, të cilët duhet të marrin siguri nga kuadri ligjor. Ky program tepër i mirë, ambicioz dhe i zbatueshëm që ka PD, do të sjellë rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare”. Me këto fjalë, drejtori i Politikave në Fondacionin “Konrad Adenauer”, Mathias Schafer konfirmoi dje se programi i Partisë Demokratike është një garanci reale për të ardhmen e ekonomisë.
Ai vlerësoi se programi i PD nxit jo vetëm rigjallërimin e ekonomisë, por gjithashtu ai mbështet sipërmarrjen dhe rrit besimin e qytetarëve.
“Sipas këndvështrimit tonë, sipas këndvështrimit tim, Partia Demokratike ka realizuar një program shumë ambicioz, i cili sipas mendimit tim është me të vërtetë një program që shqiptarët e meritojnë. Është një program, i cili vendos dhe realizon qëllime ekzistenciale për rimëkëmbjen ekonomike, krijon klimën e përshtatshme për sipërmarrjen dhe rrit besimin e konsumatorëve, qytetarëve, të të rinjve.
Formate të tilla, dialogje të tilla, për ne janë reciproke dhe diskutime të tilla për njëri-tjetrin dhe me njëri-tjetrin janë impulse të rëndësishme dhe shumë të mira. Diskutime të tilla me kryetarin e partisë, i kemi bërë në Itali, Gjermani, lidhur me taksat, ekonominë, infrastrukturën, politikat ekonomike, këto janë tema që na interesojnë dhe ato duhet të zhvillohen e të reformohen. Në këtë aspekt, ky dialog reciprok duhet të vijojë”, tha Schafer.
Zyrtari i lartë i Fondacionit “Konrad Adenauer” theksoi se shtyllat e programit të PD përfaqësojnë mundësitë, shanset pozitive që njerëzit dhe sipërmarrësit t’i shndërrojnë këto synime në realitet.
“Në Gjermani ekziston një shprehje që thotë se: ‘Ekonomia nuk është gjithçka, por pa ekonominë s’ka asgjë’. Në këtë kuptim, vënia e theksit tek prioriteti i ekonomisë, rimëkëmbjes së saj në Shqipëri, është një kontribut elementar dhe jo vetëm për arsye se njerëzit në Shqipëri do të përmirësojnë cilësinë e jetës, por të rinjtë do të fitojnë besimin për të ndenjur në Shqipëri, do të kenë shpresa për një zhvillim në vendin e tyre dhe shumë elementë të programit që prezantoi zoti Basha përfaqësojnë mundësitë, shanset pozitive që njerëzit dhe sipërmarrësit t’i realizojnë ato. Do ta vë theksin tek fakti se ky program është i një zhvillimi të realizueshëm dhe kjo duket tek besimi i sipërmarrësve që janë sot të pranishëm këtu. Nga ana tjetër, fuqia e inovacionit forcon realizimin e shërbimeve cilësore që do të çojnë në përmirësimin e standardeve të jetesës. Ka një rëndësi të veçantë vendosja e prioriteteve për njerëzit, për sipërmarrësit. Politika e taksave të jetë e atillë, që taksa të mos reduktohen vetëm në favor të sipërmarrësve. Por në mënyrë që, sipërmarrësit të zhvillojnë investimet e tyre, të punësojnë të rinjtë dhe të forcojnë ekonominë shqiptare”, tha Schafer. Zyrtari i lartë i Fondacionit “Konrad Adenauer” tha se, “një shtet i fuqishëm nuk është ai që i adreson të gjitha çështjet, ai që përfshihet kudo dhe nxjerr shumë para, por një shtet që është në gjendje të krijojë një kuadër ligjor të besueshëm për qytetarët dhe të mbajë premtimet e tij”.

A.Shahini

Artikulli paraprak500 milion euro për 6 koncesione deri në 2025
Artikulli tjetërZyrtari i CDU skeptik mbi programin 1 miliard euro të Ramës