Sa i vërtetë është afrimi i Turqisë me Rusinë?

Colum Lynch
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan u takuan javën e kaluar në Shën Petërsburg për të përmirësuar marrëdhëniet e tyre dypalëshe, të cilat ishin dëmtuar ndjeshëm që pas nëntorit të vitit 2015, kur Turqia rrëzoi një avion luftarak rus Su-24 që nga Siria kishte hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë. Të paktën kjo është ajo që po lihet për t’u kuptuar për publikun e gjerë.
Në të vërtetë, ka shumë pak shenja që të sugjerojnë një afrim të tillë edhe brenda Kombeve të Bashkuara, ku ambasadori rus Vitaly Churkin ka shfrytëzuar një sesion me dyer të mbyllura në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara javën e kaluar për të kritikuar Turqinë, me pretendimin se është duke lejuar një rrjedhë të vazhdueshme të armatimeve dhe terroristëve përmes kufirit të saj me Sirinë. Të paktën kjo është ajo çfarë është raportuar nga diplomatët e këshillit për “Foreign Policy”. Kritikat private të Mokës kundrejt Ankarasë nuk janë raportuar më parë.
Qortimi i diplomatit nënvijëzon edhe një herë tensionet që karakterizojnë ndërveprimet e Rusisë me Turqinë, madje edhe në një kohë kur të dy vendet po përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre pas pothuajse një viti të mbushur me akuza reciproke publike dhe kërcënimesh për t’i çuar të dy vendet në prag të luftës. Kjo reflekton gjithashtu edhe faktin se Moska dhe Ankaraja janë ende thellësisht të përçara për sa i përket të ardhmes së Presidentit sirian, Bashar al-Assad, i cili aktualisht është duke përfituar asistencë të fortë ushtarake nga Rusia teksa vazhdon të luftojë rebelët e armatosur dhe mbështetur nga Turqia.
Rusët u treguan “tepër të ashpër” kundër Turqisë në këtë sesion të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thotë një diplomat i lartë i këshillit. Fjalët e Churkinit, shtoi një tjetër diplomat i këshillit, ngjanin shumë me argumentin e vjetër rus të përdorur shumë e shumë herë më parë, se Turqia është mundësuesja kryesore e forcave ekstremiste, duke dërguar armë dhe luftëtarë drejt Sirisë përmes kufirit.
“Churkini vazhdonte të fliste dhe të kritikonte duke e akuzuar Turqinë se gjithçka ishte duke kaluar përmes kufirit të saj dhe se askush nuk ishte duke bërë asgjë për ta parandaluar atë”, tha diplomati i dytë. Churkin argumentoi gjithashtu se mbështetësit e opozitës, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, duhet të ndërprisnin menjëherë lidhjet me luftëtarët antiAssad që ata mbështesin. “Praktikisht ai ishte duke thënë: Ne opozitën nuk e duam, kështu që ju lutemi të mos ta mbështesni më”, raportoi diplomati i Këshillit të Sigurimit.
Pas debatit të ashpër gjatë sesionit me dyer të mbyllura në Kombet e Bashkuara, Churkini gjithashtu i kërkoi përsëri Ankarasë që të rimerrte edhe një herë në konsideratë kundërshtimin që i bën pjesëmarrjes së kurdëve sirianë në luftën kundër ekstremistëve në Siri dhe e shtyu Turqinë të lejojë grupin që të marrë pjesë në bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara.
Ankaraja nga ana e saj, e ka quajtur organizatë terroriste Partinë Kurde të Bashkimit Demokratik që Rusia e mbron me aq këmbëngulje. Si Rusia, e cila lejoi që kurdët e Sirisë të hapnin një zyrë në Moskë gjatë muajit shkurt, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur fuqimisht të kultivojnë marrëdhënie më të afërta me Partinë Kurde të Bashkimit Demokratik dhe ushtrinë e lidhur me të, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit.
Diplomati rus tha për reporterët më 9 gusht se, “Turqia duhet të bindet njëherë e përgjithmonë se përfshirja e kurdëve në diskutime është një prej faktorëve që do të kenë rëndësi të madhe për sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë”. “Ekzistojnë disa faktorë të ndërlikuar në mendjen e njerëzve në Ankara, por kjo është diçka që ne besojmë se duhet bërë sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.
Ankaraja vazhdon të këmbëngulë se kurdët e Sirisë – të cilët janë frymëzuar nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) që Turqia e konsideron grup terrorist – nuk janë pjesë legjitime e opozitës siriane dhe nëse vërtet luajnë ndonjë rol në bisedime, ata duhet të jenë pjesë e delegacionit të qeverisë siriane.
Pavarësisht kundërshtive të theksuara me Moskën, Ankaraja ka vendosur se duhet të bjerë dakord në njëfarë mënyre me fqinjin e saj në Detin e Zi. “Ndodhemi në një pengesë të madhe në këtë fazë përfundimtare të marrëdhënieve tona”, thotë ambasadori turk i Kombeve të Bashkuara, Yasar Halit Cevik për “Foreign Policy”. “Kemi një traditë bashkëpunimi me njëri-tjetrin, edhe pse nuk biem dakord në gjithçka”. Të dy qeveritë kanë një “dëshirë të përbashkët” për të rivendosur dhe përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe, shtoi ambasadori.
Andrew Tabler, një ekspert i politikës amerikane në Siri në Institutin e Washingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt, tha se fjalët e Churkinit reflektojnë atë që dyshohej nga të gjithë, pra se ka gjasa që Erdogani dhe Putini nuk i kapërcyer ende të gjitha mosmarrëveshjet e tyre madhore përsa i përket mënyrës se si do të zgjidhet lufta brutale civile në Siri. “Mesa duket çështja ende nuk është zgjidhur”, thotë Tabler.
Janë bërë disa raportime se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë duke punuar së bashku për të koordinuar më mirë përpjekjet e tyre për të luftuar grupet terroriste në Siri, përfshirë këtu Shtetin Islamik dhe Frontin e Nusras të lidhur me Al-Kaedën. Megjithatë, diplomatët e Këshillit të Sigurimit thonë se këto bisedime nuk janë duke sjellë frytet e parashikuara.
Diplomati i dytë më i lartë i Rusisë, Vladimir Safronkov, vuri nën shënjestër Shtetet e Bashkuara gjatë një mbledhjeje informale të Këshillit të Sigurimit të hënën e kaluar, duke thënë se amerikanët nuk e kanë mbajtur premtimin e dhënë për të identifikuar grupet e moderuara të opozitës që duhet të përjashtohen nga sulmet ajrore. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar se rusët mund ta përdorin këtë informacion për të vënë nën shënjestër grupe të legjitimuara të opozitës që luftojnë për të rrëzuar qeverinë e Assadit. “Gjërat nuk janë duke lëvizur”, tha Safronkov përpara anëtarëve të Këshillit të Sigurimit më 8 gusht. “Ende nuk e dimë se ku ndodhen saktësisht këto grupe të moderuara të opozitës”.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre, Moska dhe Ankaraja kanë shumë gjëra për t’i ofruar njëra-tjetrës. Turqia ka në dorë pushtetin për të kufizuar ndjeshëm aftësinë e forcave antiqeveritare duke frenuar rrjedhën e armëve dhe luftëtarëve përmes kufirit turk me Sirinë. Moska, nga ana tjetër, mund të ndihmojë duke kufizuar aftësinë e luftëtarëve kurdë të Sirisë për të fituar influencë dhe pushtet.

Çfarë ndodhi vërtet në Shën Petërsburg
Jo, kthesa e madhe që pritej, sigurisht nuk ndodhi. Më shumë se tre orë biseduan në Shën Petërsburg Vladimir Putini dhe i ftuari i tij turk, Recep Tayyip Erdogan dhe ajo që doli në fund ishte çdo gjë tjetër, por jo një afrim spektakolar. Në konferencën e shtypit që pasoi dy presidentët u shprehën për fundin e një epoke të ngrirjes politike dhe qëllimin për të rikthyer përsëri marrëdhëniet ekonomike dypalëshe në nivelin ku ato ishin dikur.
Kjo nuk është epokale, por sigurisht një rezultat pozitiv, madje edhe nga perspektiva e evropianëve. Sepse as grindja plot konflikte të rënda, as lufta tregtare mes dy vendeve nuk ishin as në interes të BE-së, as të NATO-s.
Por qëllimi për t’u kthyer në normalitet nuk mund të fshehë faktin se mosmarrëveshjet mes Moskës dhe Ankarasë janë ende të mëdha. Kjo u bë e qartë më së voni në momentin kur të dy burrat e shtetit deklaruan se ata kishin përjashtuar posaçërisht temën e Sirisë nga negociatat zyrtare për ta diskutuar atë me qetësi pas konferencës së shtypit. Me anë të këtij marifeti të vogël të dy presidentët i kursyen pyetjet lidhur me pikëpamjet e tyre për të ardhmen e këtij vendi dhe të diktatorit sirian Assad, të cilin Putini e përkrah dhe Erdogani dëshiron ta përmbysë.
Dhe kur pikërisht ndërhyrja ushtarake ruse në konfliktin sirian ishte shkaku kryesor i acarimeve të fundit, pasi Forcat Ajrore turke qëlluan në nëntor të vitit 2015 një avion bombardues rus. Fakti në Shën Petërsburg nuk pati as edhe në fillesa një afrim në çështjen kyçe Sirinë, dëshmon se sa të brishta do të vazhdojnë të jenë marrëdhëniet mes të dy vendeve dhe krerëve të tyre me ambicie gjeopolitike.
Si lëndë shpërthyese për marrëdhëniet mund të jetë edhe konflikti për Nagorni-Karabahun, në të cilën turqit mbështesin të afërmit dhe partnerët e tyre, azerbajxhanasit, ndërsa Rusia është në një aleancë ushtarake me aleaten historike Armeninë. Kjo temë as që u përmend në konferencën për shtyp.
Në vend të këtyre të dy presidentët u përqendruan në çështjet ekonomike. Por edhe këtu pati një numër të dukshëm deklaratash të përgjithshme. Po, Rusia do të anulojë gradualisht sanksionet ekonomike, por se kur konkretisht fermerët turq do të lejohen të furnizojnë përsëri me fruta dhe perime tregun rus, mbeti e paqartë.
Me kalimin e kohës, tha Putini, edhe vala e turistëve rusë në Turqi (që ai e kishte ndaluar) do të arrijë nivelin e para krizës, por vetëm me kalimin e kohës. Po, Erdogani përsëriti nga ana e tij se gazsjellësi “Turkish Stream”, që furnizon Turqinë Perëndimore dhe BE-në me gaz rus, do të ndërtohet, por diçka më konkrete ai nuk donte ose nuk mund të thoshte.
Vetëm në lidhje me ndërtimin e centralit të parë bërthamor të Turqisë Akuju (Akkuyu) duket se ka përparime të dukshme: Ankaraja rikonfirmoi gatishmërinë e saj për t’i dhënë këtij projekti miliardësh “sa më shpejt të jetë e mundur” statusin e një investimi strategjik duke siguruar në këtë mënyrë privilegje taksore afatgjata.
Bashkëpunimi ekonomik dhe politik ruso-turk po kthehet kështu gradualisht në rrugën e duhur, por për ndonjë aleancë strategjike mes dy vendeve, e cila mund të interpretohej gjithashtu si një sfidë për BE-në dhe në përgjithësi Perëndimin, nuk mund të flitet – përkohësisht të paktën. Gjithashtu jo për një miqësi të re mes Putinit dhe Erdoganit, edhe në qoftë se kreu i shtetit turk e quajti Putinin “mik i dashur”. Putini nga ana e tij u përgjigj vetëm me formulimin diplomatik “i vlerësuar president”.

Artikulli paraprakRaporti sekret: Njerëzit e Ramës tek mafia e drogës
Artikulli tjetërProkurorja e Përgjithshme e Pensilvanisë, fajtore për dëshmi të rreme para gjyqit