Sa e sëmurë është Hillary Clinton?

Pneumonia e Hillary Clinton-it mund të bëhet përcaktuese për garën për Shtëpinë e Bardhë? Është një risi e papritur, hap shumë skenarë të rinj. Aq më shumë që ndodh pas disa javëve, kur Clintoni binte në sondazhe dhe Trumpi po ringrihej. Rikthimi i republikanit ka rivënë në diskutim shtete të rëndësishme, si Florida. Cili do të jetë ndikimi i sëmundjes së papritur? Çfarë do të ndodhte në skenarin më ekstrem, të një tërheqjeje?

Akuzat ndaj Hillary-t
Prej kohësh, Trumpi dhe mediat sociale të së djathtës po hidhnin dyshime mbi gjendjen shëndetësore të Hillary-t. Duke u nisur nga një precedent, gjendje e keqe shëndetësore që e kapi në fundin e mandatit si sekretare Shteti. Bashkëshorti i saj, Bill Clinton, në atë kohë shkaktoi alarm kur foli për “gjashtë muaj periudhë shërimi”. Tani Trumpi zgjedh të mos ndërhyjë dhe bën zotërinë, me urime për shërim të shpejtë për rivalen. Por e djathta ekzaltohet: ja prova që Hillary është një gënjeshtare. Madje, edhe mes demokratëve dhe shtypit liberal ka patur një vërshim kritikash ndaj stafit të Hillary-t, për faktin që vonuan në pranimin e pneumonisë. Tema e pandershmërisë është rikthyer duke persekutuar kandidaten demokrate.

Kush e zëvendëson
Ky mund të transformohet në një lajm të mirë. Deri në shërimin e plotë, Hillary anulon takime të ndryshme elektorale apo i zëvendëson me lidhje videofonike. Edhe më pas do t’i duhet që të ngadalësojë disi programet masakruese të turneve në shtete të ndryshme. Do të thotë që në vendin e saj, zgjedhësit do të shohin më shpesh Michele Obamën, shumë popullore, e cila është edhe shumë më efikase për të galvanizuar gratë dhe zezakët; por edhe Bernie Sandersin, Joe Bidenin dhe natyrisht, vetë Barak Obamën. Një përfshirje e tyre më aktive në fushatë, mund të ekuilibrojë mangësinë e karizmës së Hillary-t.

Debatet televizive
Debati i parë është fiksuar për më 26 shtator. Nëse Hillary ka vërtet një pneumoni të thjesht, kura me antibiotikë do të duhet ta shërojë më përpara. Përndryshe debati mund të spostohet, por do të ishte një sinjal shqetësues mbi shëndetin e saj. Kur të dy të përballen, ekziston rreziku që zgjedhësit t’i kushtojnë më shumë vëmendje rrathëve të syve dhe kollës së Hillary-t, se sa kompetencës së saj mbi dosjet? A do të bëjë Trumpi ndonjë koment negativ në lidhje me faktin që ajo “nuk është në gjendje të udhëheqë kombin”? Sido që të jetë, tema e sëmundjes do të peshojë mbi përplasjen në televizion.

Spostimi i votave
Mbi të gjitha, votat kishin nisur të lëviznin edhe para sëmundjes. Maksimumin e avantazhit në sondazhe, Hillary e pati në vijim të konventës demokratike në Filadelfia, në fund të korrikut. Në vitet e fundit kishte nisur të ngushtohej, madje në disa raste Trumpi është barazim apo edhe pakëz më përpara. Skandali i Fondacionit Clinton ka rënduar, me zbulimet për qasje të privilegjuar në Departamentin e Shtetit, të atyre që kishin dhënë donacione për atë institucion filantropik (duke përfshirë edhe qeveri të huaja). Dhe në brendësi të kësaj dinamike, ndërfutet edhe impakti i sëmundjes. A do të mbizotërojë mosbesimi për shëndetin e Hillary-t? Apo do të mbizotërojë respekti për qëndrimin e saj të fortë përballë vuajtjes? Republikani MekKein bëri një fushatë elektorale në vitin 2006, pavarësisht një tumori të deklaruar. Demokratët shpresojnë që të shpërthejë mbi të gjitha frika nga një fitore e Trumpit, për të sjellë në votime të gjitha pakicat progresiste, që nga të rinjtë tek imigrantët.

Zëvendësimi
Nëse Hillary do të detyrohej që të braktiste garën përpara 8 nëntorit, krerët e Partisë Demokratike kanë gati planin e emergjencës. Presidenti i komitetit elektoral të konventës së korrikut vë në zbatim nenin 2, paragrafin 7 të rregullores. Është një lloj mini konvente urgjente. Më i avantazhuari për këtë lloj kandidimi do të ishte Bernie Sandersi, si i dyti në zgjedhjet brendapartiake. Një tjetër rast ekstrem do të ishte një fitore e Hillary Clinton-it, e ndjekur menjëherë nga një përkeqësim i shëndetit të saj, përpara Ditës së Inaugurimit në janar. Në atë rast do të merrte frenat zëvendëspresidenti i zgjedhur, Tim Kaine.

Skenari optimist
Sëmundja e bën Hillary-n “më njerëzore” dhe e bën të ndihet më pranë zgjedhësve, më pak elitare. Fillohet të kërkohet edhe nga Trumpi i njëjti nivel transparence për shëndetin e tij (ka kolesterolin dhe ha shumë ushqime “junk”). Por edhe për shumë skandale të tjerë të manjatit njujorkez: mashtrime, procese gjyqësore, korruptimi i dyshuar i ministrit të Drejtësisë të Floridës, refuzimi për të botuar deklaratat e të ardhurave, gënjeshtrat e përsëritura. Por ndoshta kjo është një ëndërr. Për momentin ka dy pesha dhe dy masa, Hillary e di: “Është zhgënjyese, por është peizazhi ku jetojmë”. Hapësira që mediat i dedikojnë Trumpit, justifikohet prej presidentit të “CBS”: “Trumpi mund të jetë dëm për Amerikën, por i bën shumë punë ‘CBS’-it”

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakKu ka ngecur rrjedha e parasë?
Artikulli tjetërAbuzimet 2.4 mln USD në Tiranë-Elbasan, KLSH çon për ndjekje penale zyrtarin e ARRSH