Rumania, 1.5 milionë euro shpërblim për kualifikimin

Federata Rumune e Futbollit ka vendosur t’i motivojë futbollistët e saj me një premio të majme për ndeshjen me Shqipërinë, njoftojnë mediat vendase. Në rast se Rumania arrin t’i mposhtë kuqezinjtë dhe kalon në fazën tjetër të Europianit, shuma që do të përfitojnë lojtarët do të jetë 1.5 milionë euro. Kjo shifër është sa gjysma e shumës totale që UEFA akordon për çdo skuadër që renditet mes 16 më të mirave të Europianit.
Një praktikë të tillë Federata Rumune e Futbollit e ka ndjekur edhe në përfundim të eliminatoreve të Europianit. Futbollistët rumunë, të cilët u kualifikuan si të dytët e Grupit F, madje pa pësuar asnjë humbje, përfituan nga 60 mijë deri 200 mijë euro, në varësi të minutazhit në fushë.
Në fakt, Rumanisë mund të mos i mjaftojë një fitore minimale ndaj kuqezinjve, ndaj premioja e vendosur nga Federata do të jetë një motiv më shumë për të shënuar një sukses me diferencë më shumë se një gol.

Artikulli paraprakRazvan Rat: Shqipëria, skuadër e vështirë
Artikulli tjetërDel Bosque, i lumtur për kualifikimin