Rrezikojnë Botërorin

Rusi 2018 po afron, por Holanda, Portugalia, Argjentina dhe Kameruni janë vetëm disa prej skuadrave të mëdha që rrezikojnë seriozisht të mos jenë pjesë e 31 finalisteve të turneut (Rusia është e 32-ta, si organizatore). Fjala e fundit nuk është thënë ende dhe ka akoma shpresë përderisa matematika e lejon. Këtu nuk duhen harruar edhe ekipet që megjithëse mund të sigurojnë play off-et, rrezikojnë që me dy paraqitje nën pritshmëri të mos presin biletën drejt Rusisë.
Brazili shkëlqen, ndërsa Argjentina futet sërish në telashe. Eliminatoret e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës 2018 konfirmojnë rilindjen e Selecaos, por në krahun tjetër, japin një sinjal alarmi për bardhekaltërit që zbresin në vendin e pestë të klasifikimit. Brazili theu 3-0 Paraguain e pafuqishëm për t’i bërë ballë duke siguruar edhe matematikisht biletën për në Rusi, pasi me 33 pikë në 14 ndeshje bileta është prerë zyrtarisht. Në këtë mënyrë, Brazili bëhet e para skuadër që në fushën e lojës arrin të sigurojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës që do të zhvillohet pas rreth një viti.
Skuadra e trajnerit Tite arriti të vendoste diktatin me golat e Coutinho në pjesën e parë dhe Neymar e Marcelo në të dytën. Ishte pikërisht Neymar protagonisti i ndeshjes së luajtur në “Arena Corinthians” sepse pak minuta pas humbjes së penalltisë realizoi një gol manuali. Një ndeshje pa shumë histori ku trajneri Tite regjistron suksesin e 8 në po kaq ndeshje me statistika të frikshme pasi në 24 golat e shënuar, vetëm 2 prej tyre kanë ardhur nga goditjet standarde.
Ndërkohë, Argjentina mbeti pa oksigjen në La Paz ku në rreth 3500 metra mbi nivelin e detit dhe për më tepër pa Lionel Messin u mund 2-0 nga Bolivia. Kombëtarja “Albiceleste” dukshëm në vështirësi nuk arriti të ruante ekuilibrat duke pësuar dy gola për shkak të gabimeve në mbrojtje. Në krahun tjetër, lojtarët bolivianë dukshëm të favorizuar në këtë duel pasi luajnë prej kohësh në një lartësi të tillë, arritën të dominonin që nga minuta e parë e ndeshjes duke e zbritur Argjentinën në vendin e pestë të klasifikimit që siguron vetëm përballjen play off, por jo biletën për në Rusi. Te fitorja rikthehen Kili dhe Kolumbia që përfitojnë nga disfata e Argjentinës në Bolivi. “Cafeteros” triumfuan 2-0 në transfertën e vështirë të Ekuadorit me gola të James Rodriguez dhe Cuadrados, ndërsa kampionët e Amerikës së Jugut dominuan 3-1 Venezuelën duke u rikthyer në vendin e katërt të klasifikimit.
Më problematiku ndër ato europianë është Grupi A, ku Franca kryesuese me 13 pikë ndiqet nga Suedia me 10. Pas Bullgarisë së vendit të tretë, renditet Holanda që me stonimin e saj në rezultate rrezikon të mungojë edhe në Kupën e Botës, pas Europianit francez. Humbja e së shtunës në Bullgari bën që mundësitë për të parë “tulipanët” në Rusi jenë vërtet të pakta.
Grupi B ka gjithashtu disa pikëpyetje, sidomos ato mbi Portugalinë kampione kontinentale në fuqi. Luzitanët e udhëhequr nga Kristiano Ronaldo ndjekin nga vendi i dytë Zvicrën kryesuese. Mesa duket, për të besuarit e Fernando Santos, në rastin më të keq, rruga drejt kupës së botës do të kalojë nëpërmjet play off-it. Për sa i përket grupit më të rivalizuar, pa dyshim çmimi i takon atij D ku Serbia dhe Irlanda ndajnë vendin e parë me 11 pikë dhe ndiqen në vend të dytë nga dyshja Uells-Austri me nga 7 pikë secila.

Artikulli paraprakBerisha-Cutillo: Vendi rrezikon destabilizimin
Artikulli tjetërPaloka: Pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje as në Kavajë, as më 18 qershor