Rosh nuk do t’i shpëtosh burgut me kartelat false

Elvisi apo Ervini i Bashkisë së Kavajës është fenomen. Para një jave ka paguar një studio ligjore që t’i nxjerrë atij nga një autoritet gjerman një kartelë me dy emra bashkë Ervin dhe Elvis. Kjo është në manovër e dëshpëruar. Të besosh tek kjo kartelë me dy emra bashkë do të ishte e njëjta gjë sikur Roshi t’i kërkonte autoriteteve gjermane një kartelë me emrin Elvira apo Griselda.
Ajo kartelë që Roshi ka nxjerrë është një letër higjienike, e cila nuk e amniston atë nga ligji i dekriminalizimit. Mirëpo kartela e nxjerrë nuk e shpëton Roshin edhe nga burgu për mashtrim që parashikon ligji për dekriminalizimin. Kartela e vërtetë është ajo që do të vijë me gjurmët e gishtërinjve nga Mynihu dhe ajo tjetra që është fshehur në formularin e dekriminalizimit në Zvicër ku Roshi ka bërë tre vjet burg për trafikun e drogës. Kur të vijnë këto kartela, Roshi do të duhet t’i thotë edhe një herë tjetër burgut hapu, sepse tek e fundit burgu për burra si Roshi është.
Për t’i shpëtuar dekriminalizimit, Elvis Roshi ka mashtruar me të dhënat e tij në formularin e plotësuar, ndërsa ka pranuar se është ndaluar nga autoritetet gjermane, por nuk mbante mend arsyen përse. Pak ditë më parë, Elvis Roshi publikoi një dokument të dërguar nga autoritetet gjermane, përmes të cilit po përpiqej të tregonte se emri i tij nuk lidhej me ndonjë ndjekje penale nga autoritetet gjermane. Por në dokumentin e publikuar nga vetë Roshi rezultonte se kërkesa që i ishte drejtuar autoriteteve gjermane kishte të bënte me emrin Elvis-Ervin Roshi, emër për të cilin sigurisht autoritetet gjermane nuk kishin se çfarë të deklaronin. Përmes një deklarate për shtyp, sekretari për Zgjedhjet, Ivi Kaso e cilësoi si qesharak po aq sa edhe kriminal këtë truk të Roshit, ndërsa theksoi se pavarësisht përpjekjeve të tij ai s’do të mund t’i shpëtojë dot dekriminalizimit. “Jemi sot këtu për të denoncuar truket sa kriminale dhe qesharake që përdorin të zgjedhurit e Edi Ramës për t’i shpëtuar dekriminalizimit. Kemi dëgjuar shumë variante për emrin e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, por së fundmi, ai ka nxjerrë një të ri, ku i ka përmbledhur gjithë identitetet në një, duke iu drejtuar autoriteteve gjermane. Në këtë shkresë, i zgjedhuri i Ramës e ka emrin Elvis-Ervin. Mbiemri mbetet po ai, Roshi. Pra, Roshi i Ramës, i thotë autoriteteve gjermane, të japin të dhëna për Elvis-Ervin Roshin. Sigurisht, me këtë emër të sajuar, atij nuk i del asgjë. Pse kryetari model i Edi Ramës, nuk i drejtohet autoriteteve gjermane me emrin Ervin Roshi që ka pasur deri në vitin 2002, siç e pranon edhe vetë në formularin e vetëdeklarimit, kur dhe është dëbuar nga gjykata?”, tha Kaso. Nga ana tjetër, ai theksoi se dekriminalizimi do të jetë i pashmangshëm. “Ndërkohë që ne presim të dhëna të tjera, nga vende të tjera të Europës për Roshin e Ramës, Prokuroria duhet të veprojë me shpejtësi në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, për të verifikuar fshehjen e të dhënave dhe truket e manipulimet e tjera që ky dhe të tjerë të zgjedhur të Edi Ramës po përdorin për të shmangur ligjin. Dekriminalizimi është i pashmangshëm. Pastrimi i politikës nga krimi dhe të inkriminuarit do të bëhet, me çdo kusht e me çdo mjet”, tha Kaso.

Roshi rrezikon jo vetëm heqjen e mandatit, por edhe burgun

Pyetjes në formular nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga ndonjë autoritet i huaj për kryerjen e ndonjë vepre penale, Roshi i përgjigjet me “Po”. Ai thotë se është proceduar nga Gjykata e Mynihut në Gjermani, por çuditërisht ai thotë se nuk e mban mend se përse është gjykuar. Ky hetim i gjykatës ka ndodhur në vitin 2002. Po në mënyrë të habitshme, Roshit nuk i kujtohet as cili ka qenë vendimi i Gjykatës së Mynihut në Gjermani në lidhje me hetimin penal për të cilin ai është gjykuar. Pyetjes nëse është caktuar ndonjë masë shtrënguese e sigurisë personale ndaj tij Roshi i përgjigjet me “Po” dhe vendimi është lënë në fuqi ndaj arrestit me burg. Një tjetër pyetje që ka një përgjigje interesante nga “fenomeni Roshi” i Ramës në krye të bashkive të vendit është nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj? Përgjigjja e kësaj pyetje nga Roshi është “Po”. Ai saktëson se qyteti nga ku është dëbuar është Mynihu dhe ai shton se kjo ka ndodhur përpara vitit 2002, kur ai ndryshoi edhe emrin. Çuditërisht edhe në këtë rast, Roshit nuk i kujtohen arsyet se përse ai është dëbuar nga Gjermania.

Roshi nuk është i virgjër

Ervin Roshi, njeriu që nuk mbante mend se pse e kishin arrestuar, burgosur dhe dëbuar nga Gjermania, u shfaq dje me një letër në dorë duke deklaruar virgjërinë. Por është njësoj sikur putanat të varnin çarçafët në oborr, si dëshmi pastërtie morale.
Ervini që bënte trafiqe nëpër Europë dhe u bë Elvis për t’u bërë kryetar bashkie ka marrë një letër në Gjermani, që është thjesht një dokument i lëshuar përmes avokatëve të tij, ku tregohet se Roshi lejohet të punojë në Gjermani.
Roshi kujton se do të mund të vetëpastrohet me pështymë si macet dhe e mendon dekriminalizimin si një proces që fillon dhe përfundon prej tij. Në formularin e dekriminalizimit, Roshi deklaroi e zezë mbi të bardhë se ishte arrestuar, burgosur dhe dëbuar nga Gjermania, por nuk i mbante mend arsyet. Tepër e çuditshme, pasi një njeri normal mban mend edhe gjobat që merr nga policët e qarkullimit dhe jo të mos mbajë mend prangat në duar, burgun, daljen në gjyq.
Mbase arsyeja e vërtetë është se Roshi ka një histori të gjatë hyrje dhe daljeje nga qelitë, burgjet dhe dyert e gjykatave. Roshi është arrestuar, burgosur dhe dënuar edhe në Shqipëri, edhe në Itali, edhe në Zvicër, edhe në Gjermani për trafiqe droge. Pikërisht kjo dosje e pasur kriminale e ka afruar Roshin me Kryeministrin Edi Rama, i akuzuar shumë herë për një rol udhëheqës në trafikun e drogave të rënda që qarkullojnë përmes Shqipërisë.
Sa i takon ligjit të dekriminalizimit, Roshi pati vetëm një mundësi, të tregonte se kur, ku dhe pse ishte arrestuar, dënuar dhe gjykuar. Roshi, diku mashtroi haptazi, diku devijoi t’i përgjigjej këtyre pyetjeve dhe me “naivitetin” e Ramës tani valëvit një copë letër të pavlerë si çertifikatë pastërtie. Dikush duhet t’ia lexojë ligjin këtij analfabeti, se është Prokuroria që bën verifikimet dhe ato nuk bëhen sipas rregullave të mafias, as sipas “talentit” të tij. Verifikimi bëhet përmes shenjave të gishtave, gjeneraliteteve dhe kërkesat dërgohen nga Prokuroria tek autoritetet e huaja që kanë dosjet, vendimet e dënimeve dhe rekordet e Roshit dhe të gjithë kriminelëve që Edi Rama ka futur në Parlament dhe administratë.

Artikulli paraprakProkuroria urdhëron sekuestron e pajisjes së përgjimit
Artikulli tjetërPa Berishën s’ka Parlament