Ronaldinjo dhe Adriano, oferta zyrtare për t’iu kthyer futbollit

Kanë qenë dy ndër yjet më të shndritshëm të futbollit në Europë dhe në kombëtaren e Brazilit, por Ronaldinjo dhe Adriano, tashmë mund të cilësohen ish-futbollistë, pasi kanë kohë pa zbritur në fushat e stadiumeve për të treguar talentin e tyre.
Ronaldinjo ka luajtur për herë të fundit në shtatorin e vitit 2015, ndërsa për ndeshjen e fundit të Adrianos, duhet të kthehesh edhe më shumë në kohë, në prillin e vitit 2014. Por të dy lojtarët kanë marrë së fundmi oferta për t’u kthyer në fushën e lojës nga skuadra braziliane.
Ronaldinjo kërkohet nga Koritiba, edhe pse lojtari, i cili njëherë e një kohë ishte ndër më të paguarit në botë, vështirë se do të pranojë një rrogë prej 100 mijë eurosh në vit plus bonuse në bazë të paraqitjeve. “Kemi shumë pak fonde, por po kërkoj sponsorë për të rritur këtë shifër”, deklaroi zëvendëspresidenti Baçelari për “Globoesporte”.
Ndërkohë, skuadra e kategorisë së katërt braziliane, Boavista, është gati t’i hapë dyert “Perandorit”. “Nëse ai dëshiron të kthehet, ne e presim”, u shprehën drejtuesit e klubit të vogël të Rio de Zhaneiros, i cili luan ndeshjet në fushat e “favelave” ku tashmë jeton ish-sulmuesi i Interit.

Artikulli paraprakDeulofeu lojtar i Milanit
Artikulli tjetërDybala rinovon me Juven deri më 2021