Roja i sigurisë: Paratë i merr vetë shteti, aty ishte patrulla

Grabiten 10 milionë euro të një banke të nivelit të dytë në mes të ditës në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 13:25 në Qafë Kashar, ku dy makina të blinduara po transportonin paratë e një banke të nivelit të dytë drejt Aeroportit të Rinasit. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bënë të ditur se, kanë qenë 5 persona të veshur me rroba të ngjashme me ato të forcave speciale, por me ngjyrë të zezë dhe me maska.
Grabitësit kanë qenë në dy makina dhe njëra prej tyre ka përplasur blindin ku ndodheshin paratë dhe më pas kanë dalë tre grabitës, duke i drejtuar armët shoferit të blindit. Fillimisht, rojet e sigurisë kanë rezistuar ndaj grabitësve, por maskat kanë qëlluar me breshëri armësh drejt tyre, duke i detyruar që të zbrisnin nga makinat me para.
Të ndodhur nën kërcënimin e armëve, punonjësit e policisë private janë dorëzuar. Grabitësit kanë prerë me një mjet fresibël pjesën e pasme të dy blindave të kompanisë private të sigurisë dhe kanë marrë të gjitha paratë. Dëshmitarë në vendngjarje bënë të ditur se kanë parë grabitësit që kanë marrë 10 thasë me para dhe i kanë futur në njërën nga makinat e tyre. Bëhet e ditur se një thes ka patur 1 milion euro dhe shuma e parave të grabitur është 10 milionë euro. Sipas burimeve, paratë ishin të Bankës Kombëtare Tregtare dhe po transportoheshin drejt Rinasit për t’u dërguar jashtë shtetit.
Pasi kanë marrë paratë, personat e armatosur dhe të maskuar me unifromë të ngjashme me ato të ushtrisë por në ngjyrë të zezë janë larguar në drejtim të Tiranës. Pas disa çastesh makinat janë gjetur të djegura në Fushë-Prezë. Kjo është një taktikë që përdoret nga grabitësit për të humbur gjurmët. Kjo taktikë është përdorur në tre grabitjet e fundit të makinave që transportonin para në të njëjtën zonë.

Rojet e bankës: Paratë i grabiti vetë shteti

Grabitja spektakolare e parave në dy makinat e blinduara në Qafë Kashar është filmuar nga një udhëtar i rastësishëm në rrugë. Ai ka filmuar nga larg momentin kur merren paratë. Në momentin që personi filmon, afrohet pranë vendit të grabitjes, dëgjohen rojet e bankës që bërtasin: “Patrulla aty ishte. Këto i merr vetë shteti”!
Pesë persona të maskuar dhe me armë zjarri i kanë dalë para me dy automjete blindave të bankës, duke goditur një prej tyre dhe qëlluar me armë zjarri mbi të dy. Më pas, nën kërcënimin e armëve kanë detyruar shoferët të shtrihen në tokë dhe më pas kanë zbrazur paratë nga arkat, duke u larguar prej tyre me 10 thasë me para. Policia nuk dha asnjë njoftim për shumën e parave të grabitura, ndërsa burimet bënë të ditur se bëhet fjalë për një shumë prej rreth 10 milionë eurosh.
Paratë ishin ndarë në 10 thasë brenda automjetit të blinduar dhe i përkisnin Bankës Kombëtare Tregtare, një prej bankave të nivelit të dytë më të madh në vend. Mësohet se grabitësit kanë qenë të veshur me kamuflazh të zi dhe në duar mbanin doreza për të shmangur lënien e gjurmëve të gishtave.

Patrulla e policisë ishte pranë grabitjes, nuk ndërhyri

Një patrullë e policisë ishte afër vendngjarjes në momentin që ka ndodhur grabitja e 10 milionë eurove të bankës së nivelit të dytë në Qafë Kashar, por nuk ka ndërhyrë. Po ashtu, disa kilometra më larg ka patur një tjetër patrullë, e cila gjithashtu nuk ka ndërhyrë. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, policia pranon se një patrullë ka qenë afër vendit të ngjarjes, por nuk ka ndërhyrë, sepse ka hasur vështirësi në trafik. “Patrulla e policisë e ndodhur pranë ngjarjes ka hasur në trafik dhe efektivët janë nisur më këmbë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ka qenë i njëjti skenar, në vende të njëjta, ashtu si në 3 dhjetor të 2015, ku persona ende të paidentifikuar grabitën edhe dje blindin që po transportonte paratë e një banke të nivelit të dytë në afërsi të Rinasit, duke ngjallur dyshime të forta se bëhet fjalë për një grabitje të organizuar nga vetë shteti. Dy makina me 5 persona të armatosur i ka prerë rrugën dy blindave me para dhe pasi janë përplasur me to kanë dalë nga mjeti të armatosur, duke neutralizuar rojet e sigurisë.
Pasi kanë marrë sasinë e parave, ata janë larguar drejt Fushë-Tapizës dhe në afërsi të urës së Limuthit, kanë djegur makinën me të cilën grabitën blindat që transportonin paratë e bankës, duke u larguar me një tjetër makinë. Jo pak ngjashmëri me dy rastet e sipërpërmendura ka edhe grabitja spektakolare e 10 milionë eurove brenda pistës së Rinasit, mund të jetë kryer nga e njëjta “dorë”.
Grabitja ndodh fiks 24 orë, pasi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri iu kërkoi Policisë Private të ngrenë rrogat e punonjësve në jo më pak se 330 mijë lekë në mënyrë që t’i motivojnë më shumë.

Roja private i bankës: Pashë lemeri me sy

Një prej punonjësve të sigurisë, i cili ishte pjesë e ngjarjes ku ndodhi grabitja e parave të bankës së nivelit të dytë, tregon se ka parë lemeri me sy në momentin e grabitjes së parave nga personat e maskuar. “Unë ndodhesha në blindën e dytë bashkë me dy kolegë, brenda të cilës kishte paratë e bankës që po i transportonim drejt Rinasit. Dy makina kanë ecur paralel me dy mjetet tona dhe njëra prej makinave, fuoristrada, ka goditur në pjesën ballore blindën e parë ku ndodheshin 2 punonjës, e më pas të dytin. Jam i terrorizuar, pashë lemeri me sy”.
Më pas, makina e dytë është futur mes dy blindave, që të siguronte neutralizimin e tyre dhe që mjetet mos të kishin mundësi të lëviznin. Punonjësi i sigurisë shprehet se ka qenë i terrorizuar nga ajo çfarë ka ndodhur, bashkë me kolegët e tij. “Nuk patëm kohë të reagonim, mjeti i dytë na bllokoi. Ishin 5 autorë, qëlluan në ajër. Autorët në 2 mjete, qëlluan drejt nesh. Kur pamë se xhamat po thyheshin, ne zbritëm. Më pas na shtrinë në tokë, morën paratë dhe u larguan”, tha ai.

Makinat e djegura nuk janë ato që u përdorën në grabitje

Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me grabitjen spektakolare në rrugën e Rinasit, ku persona të armatosur morën rreth 10 milionë euro nga automjetet e blinduara që transportonte paratë e një banke të nivelit të dytë. Sipas informacioneve, dy makinat që u gjetën të djegura në urën e Limuthit nuk janë automjetet që u përdorën për grabitjen e parave.
Autorët ishin me dy fuoristrada në momentin që i zunë rrugën makinave të blinduara dhe u larguan, pasi morën thasët me para. Ndërsa makinat e djegura nuk janë fuoristrada, por autovetura. Hetuesit dyshojnë se kjo skemë është përdorur nga anëtarët e bandës kriminale për të spostuar vëmendjen dhe për t’u larguar në një tjetër drejtim.
Dy makinat e djegura, të cilat dyshohet se kanë shërbyer për grabitjen e blindës me para kanë mbërritur në Policinë e Tiranës. Burimet nga Policia e Tiranës bënë të ditur se pritet që makinave t’i bëhet një ekspertizë për të hedhur dritë mbi identifikimin e autorëve.

Rexhep POLISI

Artikulli paraprak18 shkurti fillimi i fundit të Establishmentit
Artikulli tjetërPse policia fsheh shumën e parave, ishin 10 thasë nga 1 milionë euro