Rithemelim apo Rishpërndarje, me 30 vetë!

Nga Ermal Peçi

Data 17 dhjetor i 2023, ishte dita kur Sali Berisha thërriste për protesta dhe luftë kundrejt regjimit, ndërkohë që prokurorët e SPAK dorëzonin kërkesën për ndryshim të masës nga detyrim për paraqitje në arrest me burg ose arrest shtëpie. E gjithë kjo masë erdhi vetëm si pasojë e Berishës dhe kapriçove të tij 33-vjeçare ndaj drejtësisë. Në atë ditë Berisha thërriti për protestën e datës 27 dhjetor ku Gjykata e Lartë do të vendosë për fatin e vulës.

Por tashmë në datën 27 nuk do të vendoset vetëm për çështjen e vulës se kujt i takon në Partinë Demokratike, por edhe vetë fati i Sali Berishës. GJJKO vendosi në bazë të kërkesës së avokatëve të Berishës për të shtyrë seancën për ditën e nesërme.

Protesta dhe gjuha e ashpër e Berishës është problem për një shtet, i cili aspiron drejt perëndimit ku kryefjala është shteti i së drejtës dhe drejtësia është një institucion, i cili nuk mund të sulmohet në bazë të tekave të politikanëve, të cilët nuk njohin kohën politike se kur duhet të largohen.

E gjithë kjo çmenduri, e cila ka kryefjalë luftën ndaj drejtësisë, do të vazhdojë akoma edhe disa ditë mesa duket.

Gjatë ditës së sotme në media ka qarkulluar një mesazh brenda Rithemelimit ku ndër të tjera thotë: “PD ju fton që nesër në orën 09:00 të mblidhemi përpara Gjykatës së Lartë në mbrojtje të flamurit dhe siglës së PD-së. Rama dhe lolot e tij nuk mund ta marrin peng PD dhe demokratët e vërtetë.

PD ka nevojë sot për të gjithë ne.

O sot, o kurrë!”

Një mesazh, i cili i kërkon t’i bëjë ata demokratë nostalgjikë, të cilët janë shumë të paktë në numër, kokë turku për hallin e një personi që nuk ja ndjen fare për Partinë Demokratike, por ka hallin e problemeve të tij me drejtësinë. Në dy protestat e fundit Berisha duket se po ecën rrugëve të Tiranës me 30 vetë, me shpresën se do ju imponohet institucioneve siç ka bërë gjithmonë. Por kohët kanë ndryshuar dhe momentet politike janë në një tjetër realitet social ku me 30 vetë mund të shkosh në klub, por jo të përmbysë regjime. Nesër gjykata do të duhet të vendosë për vulën e PD dhe mos të mbajë më peng një shoqëri që ka nevojë për një opozitë, e cila do të duhet të sjellë alternativë./dritare.net

Artikulli paraprakPër patriotizëm apo për para? Përse e vrau Avni Rustemi, Esat pashë Toptanin?
Artikulli tjetërNga java që po vjen qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në BE