Rindizet “Pushteti i Thashethemeve”!

Para disa ditësh publikova një shkrim, të cilin e titullova: “E akuzojnë për gjumë, por po i lë të gjithë pa gjumë!”. Në fakt dy janë njerëzit, të cilët janë sulmuar më shumë gjatë këtyre dy viteve. Altin Dumani dhe Lulzim Basha. Emëruesi i tyre i përbashkët është se sulmet janë bërë dhe po bëhen nga klasa e vjetër politike nëpërmjet mekanizmave dhe instrumenteve mediatike në bashkëpunim me oligarkët, të cilët janë fryrë e po pëlcasin nga paratë publike dhe jo nga zotësitë e tyre në sipërmarrje.

Në fakt kjo fuqi politike, ekonomike dhe mediatike ka ngritur dhe “Pushtetin e Thashethemeve”. Një pushtet që ngre mite dhe politikanë të bekuar, por që kurrë nuk thotë të vërtetën. E vërtetë që i duhet shoqërisë shqiptare në këtë moment kaq shumë të vështirë, ku po ndërrohen etapa. Klasa politike e vjetër po përballet me dy rryma, asaj të drejtësisë, e cila nuk ka më frikë nga politika shqiptare dhe do të duhet të japin llogari se çfarë i kanë bërë këtij vendi dhe rryma e dytë është ajo e Lulzim Bashës së bashku me ekipin e tij, i cili i rrezikon pushtetin politik. Kjo është lufta politike-mediatike, e cila nuk ka ndaluar as edhe një ditë, një zjarr, i cili po mbahet ndezur me çdo mjet nga 8 Janari i vitit 2021, ku u sulmua si në mesjetë, me vare dhe mjete të tjera Partia Demokratike deri tek “protestat spontane” tek ballkoni i Berishës.

Që nga dalja e parë e Argita Malltezit janë ngritur pikëpyetje që a po e farkëton politikisht Berisha vajzën e vet për ta katapultuar në krye të Rithemelimit. Ditën e djeshme Argita bëri një sulm në gjuhën e babait të saj duke e quajtur histori të mbaruar Bashën dhe me etiketimin “Lulzim Brava”, por në politikë fiton origjinaliteti që asnjëri prej tyre nuk e ka dhe pa Berishën ajo lëvizje nuk pi më ujë. Koha po e tregon, por ajo që duket është se përveç këtyre sulmeve që janë të pritshme është rindezur dhe lufta e memeve për ta bërë sa më vulnerabël figurën e kryetarit të PD. Por pse e gjithë kjo luftë tani dhe pse është rindezur “Pushteti i Thashethemeve”? E thjeshtë, sepse Partia Demokratike tani është në përfundim të ekipit dhe strukturës së vet dhe do të hidhet në sulm kundrejt kastës 33-vjeçare politike. Ky sulm do të trazojë shumë ujëra të politikës së vjetër dhe botës ekonomike të oligarkisë së Tiranës.

Por më e rëndësishmja është që ky pushtet kërkon të bëj pis çdo njeri i cili nuk varet prej tyre, nuk është i kapur prej tyre dhe mbi të gjitha nuk është i shantazhueshëm nga kjo klasë politike. Prandaj sa herë që ata akuzojnë Bashën dhe njerëzit që mbështesin Partinë Demokratike, për të kapur, për të dobët politikisht, për njerëz që gëzojnë me fatkeqësitë politike, për bashkëpunëtorë të Ramës, se janë pakicë dhe kanë biznese, është komplet e kundërta e vërteta. Ata që sot mbështesin Bashën dhe Partinë Demokratike, janë të fortë, janë shumicë, nuk janë peng të askujt, jo më të Ramës dhe janë të pa shantazhueshëm sepse janë njerëz të lirë dhe koherent me qëndrimet politike mbi të gjitha. Pra çfarë thotë propaganda gjithmonë është komplet e kundërta, kur ky pushtet të sulmon tregon që je më i fortë se kurrë./dritare.net

Artikulli paraprakBerisha-Meta/ Miq të mirë derisa nuk na preket interesi personal!
Artikulli tjetërArgita pasardhëse e Berishës? Roland Bejko: Është ‘non grata’, gafë kur tha se ishte nga shtresa e mesme