Riaktivizohen vatrat e zjarrit në veri, rrezikohet fshati Orosh në Mirditë

Zjarret janë aktivizuar sërish gjatë ditës së djeshme për shkak të erës së fortë në 6 vatra. Fshati Orosh në Mirditë me shtëpi, shkollë, kishë etj., ka qenë i rrezikuar deri dje në mbrëmje, ndërkohë që një situatë e vështirë është krijuar edhe në Shkodër. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 6 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.

Qarku Lezhë 

Ka pasur një shfaqje të re zjarri në vendin e quajtur “Grykë Orosh” në fshatin Orosh, Bashkia Mirditë. Zjarri i favorizuar nga era e fortë ka rrezikuar banesat, shkollën 9-vjeçare, kishën e fshatit dhe pyllin me pisha. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pyll pishe.

Qarku Shkodër

Ka rënë zjarr në pyllin me pisha në fshatin Karmë të Bashkisë Vau Dejës. Shërbimi vendor i MZSH Vau Dejë ka dërguar në vendngjarje forca zjarrfikëse, ndërsa Drejtoria Pyjore ka dërguar forca të saj. Në vendngjarje kanë shkuar 30 forca ushtarake.

Një vatër zjarri nuk u arrit të izolohej për shkak të terrenenit tepër të thyer. Gjatë gjithë natës, forcat e pyjores kanë mbajtur në monitorim vatrat e zjarrit në të gjithë territorin. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha. Sot, forcat dhe mjetet po punojnë për të izoluar plotësisht vatrën e zjarrit të fshehura.

Ka vazhduar puna për të izoluar vatrat e zjarrit në fshatin Velipojë, Njësia Administrative Velipojë, Bashkia Shkodër. Zjarri i rënë në terren të thyer në pyllin me bredh dhe pishë në fshatin Bogë, Njësia Administrative Shkrel, Bashkia Malësia e Madhe është riaktivizuar dhe ka marrë përmasa të mëdha. Shërbimi vendor i MZSH Malësia e Madhe dhe punonjës të pyjores të Drejtorisë së Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (DAKZM) nuk kanë mundur të veprojnë për shkak të terrenit të thyer.

Qarku Korçë

Shërbimi vendor i MZSH Korçë, punonjës të bashkisë dhe punonjës të pyjores, kanë punuar për të shuar vatrat e fshehura të zjarrit në vendin e quajtur “Përroi i Qershisë” ndërmjet kufirit ndarës të Njësisë Administrative Lekas dhe Voskopojë, të Bashkisë Korçë. Zjarri ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me pyll pishe.

Qarku Berat

Në qarkun Berat ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte në fshatin Otllak, Njësia Administrative Otllak, Bashkia Berat. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 2 ha me shkurre dhe 80 rrënjë ullinj të moshës së vjetër.

Artikulli paraprakRikthehet tritoli, shpërthim në banesën e një ish-polici
Artikulli tjetërNjë i dënuar në Itali arrestohet në Shijak