‘Revolucioni’ jep shfaqje, SPAK-u nuk ndjek TV

Nga Namir Lapardhaja

Mund të mblidhesh, të diskutosh, të bësh plane, të thurësh ‘strategji’, të flasësh me veten dhe për veten, të ulërasësh, gërthasësh, çirresh, të komplotosh, sabotosh apo të shpresosh se gjithçka që bën, do frikësojë dikë, mirëpo e ke të kotë, sepse zhurma që bën, ulërima që nxjerr, tymi që lëshon, flaka që synon të ndezësh, nuk i tejkalon ambientet e mureve dhe të sallave, nuk shkon përtej studiove televizive, nuk të sheh askush, sepse SPAK-u nuk ndjek lajme.

Mund të gënjesh militantët e verbër, dhe me mashtrimet e tua shpresa të vakëta të ngjallësh, mund të çuçurisësh me intrigantët, ambiciozët e paskrupullt, që ambicia logjikën dhe arsyen u ka verbuar, me ata pak që të rrethojnë dhe që garojnë se kush të serviloset më shumë, kush të bëjë marrëzinë dhe çmendurinë më të madhe, kush të tregohet më ekstrem në veprime dhe mendime, kush të thotë hajvanllëkun më të madh, sepse këto janë kriteret e vetme të vlerësimit prej të cilave matet besnikëria dhe jepet karta jeshile për të bërë karrierë, nëse mund të bësh karrierë në një bazen me gjanë, por gjithçka të shkon kot, sepse SPAK-u nuk trembet nga ato që transmeton TV-ja, nga ato që manipulojnë portalet dhe gazetat, nga analistët dhe gazetarët e blerë me lekët e korrupsionit tridhjetëvjeçarë, që flasin për të shtuar vjedhjen, duke i dhënë oksigjen një trupi që politikisht është në vdekje klinike, sepse sa më e gjatë agonia, aq më të  shumta paret në konton bankare.

Mund t’i vësh flakën selisë, mund ta shkatërrosh me leva, kokë dashi, qysqi, dyert e godinës, mund të thyesh xhamat, të futesh duke u kacavjerr nga dritaret, mund ta zaptosh dhe ta mbash të zaptuar, ashtu siç ke legjitimuar me ligje leniniste për vite me radhë çdo vjedhje toke në këtë vend, ku çdo i papronë është shndërruar në pronar strategjik dhe çdo pronar ka marrë udhët e botës si i patokë, por gjithë përpjekja të shkon kot, sepse SPAK-u nuk ndjek, si të papunët dhe ata që rrinë gjithë ditën e Perëndisë kot, rrjetet sociale dhe nuk e ka idenë se ç’bën ti për të tërhequr vëmendjen e tij.

Mund të pengosh zhvillimin e mbledhjeve në komisionet parlamentare, mund t’i vësh deputetët para si të ishin manekinë dhe t’i komandosh si marionetë, mund t’i yshtësh që të ndezin flakadanë, të thyejnë karrige dhe tavolina, të shtyhen dhe të zihen me kolegët përpara kamerave dhe të buzëqeshin e të puthen jashtë tyre, madje mund t’i vësh flakën Kuvendit, Kryeminsitrisë, Presidencës, Ministrive, RTSh-së…, mund të ulërasësh dhe trokasësh në çdo derë për të shpëtuar nga hallet e tua, për t’i treguar botës se ‘ose unë në shtëpi (jo në qeli), ose Shqipëria shkrumb e hi’, mirëpo gjithçka bën, nuk ka fajde, SPAK-u nuk sheh lajme, nuk sheh televizor, nuk lexon gazeta, nuk ndjek rrjete sociale, sepse SPAK-u është i zënë me punë, është i mbytur në dosje, është duke shfletuar detin e zi të korrupsionit 30-vjeçar, duke u futur thellë e duke nxjerr prej aty ‘xhevaire’, për t’i dhënë çdokujt atë që meriton.

Mund ta akuzosh SPAK-un si të përdorur politikisht, mund t’i nxjerrësh sejmenët e tu, që janë gati të thonë gjithçka, mjafton që ty të të pëlqejë, mund të shantazhosh, intimidosh, akuzosh, shpifësh për ata prokurorë dhe prokurore, që janë duke u marrë me ty dhe të ngjashmit e tu nga të gjitha palët, pa parë për krah dhe drejtim politik, për ngjyrë dhe parti, sot apo dje, majtas apo djathtas, por e ke të kotë, askush nuk është i vëmendshëm ndaj shpifjeve dhe trillimeve, sepse janë të zënë me provat dhe faktet, leximi i faqeve u zë kohën, dosjet u kanë mbushur zyrat.

Mund të bësh gjithçka, mund të synosh shumëçka, mund të mbahesh në ‘lojë’ nga ata që prej lojës duhet të kishin nxjerrë, mirëpo, je i mbaruar politikisht, sepse revolucioni që po ndodh po transmetohet vetëm në televizor, dhe SPAK-u nuk ndjek shfaqje.

Artikulli paraprakIsh i përndjekuri politikë Nuri Stepa/ Komunizmi na ka torturuar na lidhnin duart me tela me gjemba
Artikulli tjetërDëmtime të bizneseve dhe rrëshqitje dheu, mbyllen shkollat në Greqi pas tërmetit të fuqishëm. Çfarë thonë sizmologët