Rënia e Ramës një hap larg asaj të Berishës

Namir Lapardhaja

Nga Namir Lapardhaja

Askush nuk e ka besuar paralajmërimin e Lulzim Bashës dy vjet më parë se, nëse nuk do merrte masa për ta larguar nga Grupi Parlamentar, ndaj Berishës, fëmijëve të tij, PD-së dhe Shqipërisë do të kishte pasoja.

I pari që nuk e besoi ishte vetë Berisha, i cili, siç e ka pranuar gjatë “Foltores”, kur Basha ia kishte bërë të ditur, i ishte përgjigjur ‘le të bëhen të gjitha’.

Sot, kur gjithçka është realizuar si një lexim mitologjik i parakohshëm fati, i gjithë diskuri është rikthyer atje ku nisi , në datën 9 shtator 2021, kur Berisha u pezullua nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Ndonëse përgjatë dy viteve, ai bëri gjithçka për të mos ardhur te vendimi i sotëm, sërish nuk ia doli. Me miellin e amerikanëve nuk bëhet shaka.

E vetmja gjë që realizoi me sukses, ishte shkatërrimi i PD-së dhe i opozitës, e cila përgjatë dy viteve u fut në një konflikt të brendshëm vëllavrasës, duke i ikur misionit të saj opozitar dhe duke u shndërruar në një arenë përplasjesh, duke u rrotulluar rreth fatit të Berishës. Po të ishe me të, ishe i mirë, dhe po nuk ishe me të, ishe i keq.

Nëse përgjatë kësaj kohe PD-ja ka qenë kaotike, e paqartë, nën presion dhe shantazh nga linçimi i Berishës, i medias dhe i njerëzve të afërt të tij, sot është më e lehtë, situata është më e qartë, nuk ka më asnjë dyshim dhe iluzion se e gjithë kjo marrëzi dyvjeçare ishte një pandemi verbuese dhe shurdhuese, që sot ka kaluar, virusi është mundur dhe pacienti është shëruar, ndërsa peng i kësaj marrëzie mund të qëndrojë vetëm ai që me dëshirë nuk do të shohë dhe të dëgjojë.

Por masa e arrestit ndaj Sali Berishës, guximi i prokurorëve të SPAK-ut dhe vendosmëria e Gjykatës së Posaçme për t’i shkuar deri në fund, sigurisht me mbështetjen e vazhdueshme amerikane dhe britanike, pavarësisht fyerjeve, kërcënimeve, linçimeve dhe përpjekjeve për destabilizim, është një ogur i mirë, është një paralajmërim i hapur, është një shans i madh që tregon se Shqipëria është futur në fazën e pakthim të fundit të pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës. Peshqit e mëdhenj do të bienë të gjithë në rrjetë.

Kjo rënie e palavdi e Berishës, është një kambanë alarmi për vetë Edi Ramën, i cili, në dallim nga ata pak mbështetës me lidhje shpirtërore dhe historike që ka Berisha, paradoksalisht ka mbledhur rreth vetes urrejtjen e një pjese të madhe të socialistëve, të cilët, ndonëse e kanë votuar vazhdimisht si një marrëdhënie pragmatiste dhe klienteliste për të shkuar te pushteti, mezi presin rënien dhe përballjen e tij me drejtësinë, si një hakmarrje për ta parë në bankën e të akuzarëve atë që u shkatërroi partinë, i dha ngjyra dhe nuanca të tjera politike dhe kuptimore.

Përveç kësaj, kjo dëshirë e madhe për atëvrasje tek e majta, ka lidhje edhe me raportin e saj filozofik me “babanë” politik, kështu që për Ramën nuk do të ketë as “Foltore” as përpjekje për t’i dalë në mbrojtje apo për të thirrur protesta, sepse, veç të tjerave, nuk ka kuptim dhe logjik që të anatemojë një strukturë dikush që deri dje është mburrur se ai dhe forca e tij politike kanë kontribuar për ngritjen e saj.

Atyre që mendojnë se këto janë ëndrra me sy hapur, i kujtojmë se kështu kanë menduar dhe për Berishën, madje deri pak kohë më parë askush nuk e ka menduar se mund të vihej deri te kjo masë, mirëpo normalizimi i hetimeve dhe krijimi i precedentit për nivele të tilla, hap dhe lehtëson rrugën për çdokënd tjetër.

Rënia e triumviratit të tranzicionit do të shkaktojë efektin domino, vendi do duhet të hyjë në një fazë të re, ku zhbërja e ndryshimeve Kushtetuese që mban të bllokuar dhe të polarizuar skenën politike shqiptare do të hapë lojën politike, do t’i hapë rrugë figurave të tjera, larg të qenurit liderë të fortë tipik ballkanas, një narrative tjetër dhe një qasje të re ndaj pushtetit dhe shtetit.

Artikulli paraprakNga dasma e Zogut tek e Enverit, kush është fotografi që “fiksoi” epokat! Pse vendosi t’i zhdukë fotot e “rrezikshme”
Artikulli tjetërAnaliza e BBC: Viti 2023, i pakëndshëm për Perëndimin