Rektori i Universitetit të Vlorës fushatë për PS-në

Rektori i Universitetit të Vlorës, Roland Zisi, në kundërshtim me ligjin bën fushatë për Partinë Socialiste. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas një mesazhi të dërguar në adresë të tij nga një pedagog i Universitetit Vlorë. Pedagogu shkruan se, Zisi jo vetëm që bën fushatë për PS-në, por detyron edhe pedagogët të dalin në fushatë gjatë orarit të punës.
“Narko-Rektori i Vlorës, Zisi, dhunon ligjin elektoral dhe atë të arsimit. Ai mobilizon Universitetin e Vlorës për Partinë Kanabiste! Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e pedagogut dixhital.
I bëj thirrje ministres së Arsimit t’i propozojë Presidentit të Republikës shkarkimin e menjëhershëm të këtij shkelësi të ligjeve të vendit dhe ta dërgojë atë për ndjekje penale!”, shkruan Berisha.
“Zoti Berisha. Uroj të jeni mirë dhe doja t’ju bëja një denoncim flagrant dhe shumë konfidencial. Unë jam një pedagog i Universitetit Vlorë, por për arsye sigurie spo ju prezantohem, pasi jemi nën presion nga punëdhënësi jonë, Rektori i Universitetit Vlorë, shkrimtari hajdut Roland Zisi, i cili edhe pse urdhëri që ka ardhur për mospjesëmarrje në fushata elektorale, ai jo vetëm që nuk i zbaton, por ka filluar del hapur nëpër podiume fushate, në fundjava dhe ditë normale pune me kandidatët për deputetë. Ka filluar na imponon dhe ne pedagogëve nëpërmjet njerëzve të punësuar prej tij që të votojmë për subjektin politik që ai do, pasi është një njeri që është sjellë në atë detyrë nga ish-qelbësira Koço Kokëdhima.
Nuk e kuptoj që edhe pse ministrja Karabina erdhi në Universitetin e Vlorës dhe foli shumë qartë ky rektor (titullarët e kanë të ndaluar me ligj pjesëmarrjen nëpër tubime dhe propaganda elektorale), sapo ajo largohet merr guximin dhe thotë që s’ka çfarë të na bëjë ministrja, pasi ne jemi staf pedagogjik dhe nuk jemi subjekt kontrolli. Bashkangjitur po ju nis këto foto të kapura në fshehtësi të plotë në disa takime që ka bërë me 3 kandidatët për deputetë dhe kryetarin e Bashkisë në auditorin Rilindja të Universitetit të Vlorës, në ditë të ndryshme të muajit maj, me stafin e universistetit madje, duke mbajtur fjalim dhe propaganduar për partinë politike, të cilën pretendon se i përket ky një hajdut ordiner që ka lënë nam në Universitetin e Gjirokastrës me korrupsionin që ka bërë. Ju lutem merrni masa dhe zhvilloni kontrolle nga Departamentet Antikorrupsion ndaj këtij personi për veprimet e tij ndaj nesh si staf që na mban në presion, por edhe për shkatërrimin që po i bën Universitetit me korrupsionin që ka implementuar që kur ka ardhur ai në krye të institucionit”, shkruan pedagogu i Universitetit të Vlorës.

Shkarkohen tre drejtorë për pjesëmarrje në fushatë

Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjirokastrës, Krenar Kulla është shkarkuar nga detyra për shkak se ka marrë pjesë në fushatën zgjedhore. Shkarkimi është bërë me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Arben Beqiri. Krenar Kulla, i cili njëkohësisht mban edhe postin e kryetarit të LSI në Gjirokastër, ka qenë drejtori i Spitalit Rajonal Gjirokastër që prej vitit 2015.
Krenar Kulla, i shkarkuar nga detyra me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, është një emër i njohur. Rreth një vit më parë, mediat denoncuan një rast të ndodhur në Spitalin e Gjirokastrës, kur Kulla mblodhi rreth 40 punonjës dhe hodhi short me letër, ku në 10 prej tyre ishte shkruar “Largohu” dhe në 30 të tjera “Qëndro”. Ziliha Voco, e cila asokohe ishte punonjëse e spitalit, tërhoqi letrën ku shkruhej “Largohu”.
Ajo ka punuar si sanitare për 27 vjet në Spitalin Rajonal “Omer Nishani”. Voco denoncoi rastin për “Fiks Fare” dhe tha se, “nuk kishim guxim ta kundërshtonim shorteun, asnjëra nga punonjëset e pranishme nuk foli”.
Vetë ish-sanitarja e Spitalit të Gjirokastrës tregoi se shkoi në zyrën e drejtorit të shkarkuar Krenar Kulla.
Në bisedë me të, drejtori e pranoi se është organizuar një short dhe se ishte në hall se kishte tre muaj që e zvarriste këtë pune, se nuk dinte kë të hiqte e kë të mbante. Kur bashkëshorti i ish-sanitares i kërkoi drejtorit që t’ia shpjegojë edhe një herë si e bëri shortin, drejtori iu përgjigj se bashkëshortja e tij e di shumë mirë.
Një tjetër zyrtar i lartë është pezulluar nga detyra me urdhër të ministres së Arsimit, Mirela Karabina. Bëhet e ditur se, Drejtori Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në MAS, Alqi Kushi, është pushuar nga detyra nga ministrja Mirela Karabina, vetëm një ditë, pasi ndaj Kushit është depozituar edhe kallëzimi në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në njoftimin e MAS, thuhet se pas depozitimit të kallëzimit penal për shtetasin Alqi Kushi, me funksion drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse pranë kësaj ministrie, sot, më datë 16.06.2017 ministrja e Arsimit dhe Sportit, zonja Mirela Karabina, ka urdhëruar  pezullimin e menjëhershëm të z. Kushi nga detyra”.
Sipas Ministrisë së Arsimit, kallëzimi që i parapritu pezullimit është bërë për shkak të shkeljeve të rënda ligjore të kryera nga Kushi në lidhje me moskryerjen dhe mospërmbushjen e detyrave të caktuara, të cilat kanë sjellë pengimin e punës në këtë institucion në periudhën e proceseve të rëndësishme sipas kalendarit të MAS. Bëhet e ditur se, Kushi ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, “Kryerje të Veprimeve Arbitrare”, “Kanosje për shkak të detyrës” si dhe “Fyerje për shkak të detyrës”.
Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija i ka kërkuar ministrit të Transporteve, Sokol Dervishaj, të lirojë nga detyra drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Gazmir Tahiri. Në cilësinë e drejtuesit të Task Forcës, Mandija i kërkoi ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, shkarkimin nga detyra të drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Gazmir Tahiri, i cili referuar informacioneve në kundërshtim me pikën 13 të VKM-së Nr.473, datë 1.06.2017 ka vënë në dispozicion të një subjekti elektoral mjete, të cilat janë pronë e administratës shtetërore.
Sipas informacionit të provuar me pamje filmike në datën 27 maj nga Porti i Vlorës ka dalë për lundrim një anije, e cila është pronë e Kapitenerisë së porteve, në të cilën disa të rinj, simpatizantë të një subjekti politik në praninë e një kandidati për deputet, propagandojnë dhe manifestojnë me simbole partiake.
Zëvendëskryeministrja i kërkon ministrit Dervishi të marrë masa në mënyrë të menjëhershme si dhe referimin e rastit pranë organeve të Prokurorisë së Përgjithshme.

Artikulli paraprakSkandal, Plarent Ndreca fshin serverat që heton Prokuroria
Artikulli tjetërKriminale, Rama, thirrje policisë të mbledhë votat