Reforma zgjedhore/ Kthupi: Në Komision janë të përfaqësuara të gjitha rrymat opozitare, PD s’bën pazare

Të premten pritet të mblidhet Komisioni Parlamentar për Reformën zgjedhore. Prezenca e OSBE-ODIHR në Shqipëri, është shprehur e gatshme të ofrojë ndihmë teknike për realizimin e saj.

Sekretar ligjor i PD, Rezart Kthupi, i ftuar në News Line në ABC News, tha se bazuar edhe në praktikat e mëparshme, krahas aktorëve të politikës së brendshme, në mbledhje duhet të jenë edhe dy ekspertë të OSBE-ODIHR, të cilët do ta ndihmojë procesin.

“Mbledhja e parë e komisionit nuk mund të fillojë me gjëra thelbësore, por me një rend dite se si do vijohet në të ardhmen. Në mbledhje sipas praktikave të mëparshme duhet të jetën edhe dy ekspertë të OSBE/ODIHR. Është bërë kërkesë, pritet të përcaktohen dhe të jenë pjesëmarrës në mbledhje”, tha ai.

Ai u shpreh se në komision janë të përfshira të gjitha rrymat opozitare. Sipas Kthupit, aktorët politikë janë të lirë të bëjnë propozime konkrete, ndërsa tha se PD-ja do bashkëpunojë me të gjithë aktorët, që mbrojnë interesin e qytetarëve.

“Në Komision janë të përfaqësuar të gjitha rrymat opozitare. Nuk i mohohet dikujt për të depozituar propozimet. Askush nuk ka veto në Komisione,. Dy bashkëkryetarët kontrollojnë punën, por pjesa e brendshme e punës nuk varet nga dy bashkëkryetarët. Reforma zgjedhore është nevojë emergjente. Qëllimi është të arrijmë një reformë zgjedhore, që është në dobi të qytetarëve. Ky është parimi, dhe rreth këtij bashkëpunimi bashkëpunojmë me këdo”, tha ai.

Ai theksoi se PD-ja nuk pranon të bëjë “pazare” në kurriz të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa përmendi këtu çështjet si; vota e emigrantëve dhe hapja e listave zgjedhore.

“Një reformë zgjedhore, që nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk është më reformë. Nuk bëjmë pazar në kurriz të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Artikulli paraprak“I sigurova se për PD-në Reforma Zgjedhore përbën prioritetin kryesor, i cili duhet të jetë gjithëpërfëshirës dhe transparent”/ Alibeaj zbardh takimin me ambasadoren e OSBE
Artikulli tjetërPD, Kulluri: Listat e hapura kanë shqetësuar ata që duan të emërohen nga kryetarët, jo të zgjidhen nga qytetarët