Real-Juventus, reagon Collina ishte penallti apo jo?

Kanë kaluar gati dy muaj nga Çerekfinalja e kthimit të Ligës së Kampionëve, Real Madrid-Juventus, por momenti i penalltisë në kohën shtesë, që u kthye në gol nga Ronaldo dhe u dha spanjollëve kualifikimin në gjysmëfinale, vazhdon të shkaktojë polemika. Kontakti Benatia-Vazquez u vlerësua si penallti në favor të “Los Blancos” nga kryesori anglez, çka u shoqërua me shpërthimin e Buffon dhe presidentit Andrea Agnelli të bardhezinjve.
Dizenjatori i aribitrave në UEFA, Pierluigi Collina, është kthyer në atë episod shumë të diskutuar, siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”: “Incidenti është ende për t’u diskutuar në nivelin teknik, pavarësisht se kanë kaluar pothuajse dy muaj nga ajo situatë. Ka kontrast mendimesh për dyluftimin Benatia-Lucas Vazquez. Ndoshta, nëse kryesori Oliver do të ishte konsultuar me VAR, do të kishte konfirmuar vendimin e marrë në fushë”.
Por, për VAR-in në Ligën e Kampionëve do të duhet të presim pak: “Në lidhje me VAR duhet të sqarohet një gjë: presidenti i UEFA-s, Ceferin, nuk ka thënë se është kundër pozicionit të klubeve dhe federatave të ndryshme europiane. Ne nuk jemi ende gati për çështjet e teknologjisë. Nuk e di kur mund ta aplikojmë VAR, por po punojmë për ta bërë atë funksional. VAR në Kupën e Botës në Rusi ka filluar më herët dhe FIFA është në gjendje ta mbështesë atë”.
Duke folur për sezonin europian që u mbyll, në kuadrin e arbitrimit, Collina ka shtuar: “Performanca ishte e mirë, edhe pse sezoni më i mirë mbetet 2015-2016. Ka pasur më shumë gabime se sa pritej, por ne kemi mbajtur shënim gjithçka. I kemi identifikuar gabimet dhe do të punojmë si t’i korrigjojmë ato”.

Artikulli paraprak“Ndëshkoni Sergio Ramos”, mbi 200 mijë vetë nënshkruajnë peticionin
Artikulli tjetërSkandal, Gjykata liron Tahirin, SHBA pranon kapjen e drejtësisë