Raporti i Bazelit: Shqipëria e para në rajon për pastrimin e parave të krimit të organizuar

Flamur VEZAJ

Prej fillimit të pranverës, kompleksi “Gjoka” në Sallmone të Shijakut i është rikthyer biznesit të dasmave. Tingujt e muzikës popullore shpërndahen prej restorantit të katit të dytë drejt hapësirës prej rreth 7 mijë metrash katrorë të kompleksit, të shtunën e parë të majit, ndërkohë që dasmorët me veshje shumëngjyrëshe mbushin oborrin e dekoruar ngjitur me hyrjen kryesore.
Atmosfera festive në kompleksin luksoz është në kontrast të thellë me një vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që në 5 gusht 2015 urdhëroi sekuestrimin e biznesit kryesor të kompanisë “Gjoka shpk” dhe kalimin e tij në duart e Agjencisë së Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK.
Nëntë muaj më pas, ky biznes vazhdon të gjenerojë të ardhura për familjen e Dashamir Gjokës, i dënuar në Itali si kreu i një rrjeti të shfrytëzimit të prostitucionit.
Kompleksi “Gjoka” nuk është biznesi i vetëm që në letra rezulton i sekuestruar, por në realitet menaxhohet nga të afërm të të dënuarve për krime të rënda, në shkelje të ligjit “Antimafia”.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se 13 kompani biznesi u sekuestruan me vendim gjykate gjatë vitit 2015, por vetëm njëra prej tyre administrohet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK.
Shqipëria-“një lavatriçe” e parave të pista në Ballkan po përballet me vështirësi prej më shumë se një dekade me sfidën e gjurmimit dhe konfiskimit të parave që rrjedhin nga krimi i organizuar. Rezultatet mbeten të vakëta, ndërsa një raport i Institutit të Bazelit për Qeverisjen e renditi Shqipërinë të parën në rajon për vitin 2015, sa i përket nivelit të lartë të parave të pista që gjenerohen në ekonomi.
E rrethuar nga një mori problemesh, puna e AAPSK në administrimin e kompanive të sekuestruara të biznesit përbën edhe pikën më të dobët të saj, thanë ekspertë të ndryshëm në intervista të veçanta.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi sekuestrimin paraprak të 7 kompanive të biznesit, të cilat u përkasin tre të dënuarve në Itali për vepra penale të krimit të organizuar gjatë vitit 2015. Gjashtë kompani të tjera, të sekuestruara nga Gjykata e Tiranës i përkasin koorpusit “Beccheti”, biznesmeni italian që akuzohet nga Prokuroria shqiptare për ngritjen e një skeme mashtrimi me vlerë 38 milionë euro.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara drejtohet aktualisht nga Artur Kala, ish-kryetar i Partisë Socialiste të Bulqizës. I kontaktuar nga BIRN, Kala refuzoi të intervistohej, por pranoi t’u përgjigjej pyetjeve përmes një zëdhënëseje.
AAPSK i tha BIRN se, ka marrë nën ruajtje 7 shoqëri, ndërsa administron plotësisht vetëm njërën nga 13 kompanitë e sekuestruara me vendim gjykate gjatë vitit 2015.
Përballë proceseve të tejzgjatura gjyqësore, vakumit ligjor dhe vendimeve, shpeshherë në kundërshtim me aktet ligjore që rregullojnë punën e saj, AAPSK ka vendosur t’i lërë këto kompani në duart e të dënuarve apo familjarëve të tyre.

Ligji “Antimafia”

Në vitin 2004, Parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin “për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve…”, i ndërtuar sipas modelit italian të ligjit “Antimafia”. Në të njëjtin vit u vendos edhe ngritja e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara-fillimisht një strukturë e vogël prej 5 personash në varësi të Ministrisë së Financave.
Në pesë vitet e para, Agjencia krijoi një traditë të brishtë në administrimin e pasurive të paluajtshme, por vakuumi ligjor dhe stafi minimal do ta ekspozonin atë përballë një sërë problemesh në trajtimin e çështjeve më komplekse.
Hekuran Vladi, ish-drejtor i AAPSK kujton për BIRN se në vitin 2009 kishte kërkuar me forcë hartimin e një ligji organik, që do t’i krijonte mundësinë Agjencisë të kishte sukses edhe në administrimin e kompanive të sekuestruara të biznesit, por përpjekja kishte dështuar.
Ai tregon se në vitin 2009, legjislatori u mjaftua vetëm me një kapitull për AAPSK brenda ligjit “Antimafia”, çka sipas tij e bën teorikisht të pamundur menaxhimin e një ndërmarrjeje biznesi nga administratorët e Agjencisë.
Vladi e quan veten me fat që në kohën e drejtimit të tij, Agjencisë nuk i ra për pjesë të merrte nën administrim kompani të sekuestruara, ç’ka do ta sprovonte atë me një “sërë ekuacionesh të pazgjidhshme”.
“Do të kisha dhënë dorëheqjen”, përgjigjet ai, duke e quajtur drejtimin e kësaj Agjencie si “punën më të keqe në botë”.
Një prokur i Task-Forcës, i cili foli për BIRN në kushtet e anonimatit tha se ligji “Antimafia” e ka bërë komode punën e Prokurorisë në hetimet pasurore, por jo punën e administratorëve të AAPSK. Ai shpjegon se, vendimet gjyqësore për sekuestrimin e kompanive i dërgohen AAPSK, ndërsa kjo e fundit përballet me një sërë peripecish ligjore për të kryer një administrim të vërtetë mbi to.
“Problemi është se shumë administratorë bllokojnë shkresat dhe letrat në QKR apo Hipotekë, por nuk ndërhyjnë në bordin e administrimit të kompanisë”, tha prokurori.
“…ka probleme ligjore, por duhet ndërhyrë në bordin e kompanisë dhe jo vetëm në letra”, shtoi ai.
Agjencia për Administrimin e Pronave të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ofron arsye të ndryshme për secilën prej kompanive që ka dështuar të marrë në administrim. Në përgjigjen për BIRN, AAPSK rendit vendimet e gjykatave, të cilat janë dhënë në kundërshtim të ligjit që rregullon punën e saj e deri tek mungesa e kuotave për të ndërhyrë në bordin e kompanive të sekuestruara si argumente që e pengojnë të kryejë detyrat e veta.
“Probleme dalin në administrimin e bizneseve me vendime të gjykatave, jo konform akteve ligjore që rregullojnë veprimtarinë e AAPSK-së. Në kuadër të Reformës në Drejtësi, mendojmë se do të përmirësohen edhe këto procedura”, tha Agjencia për BIRN përmes një zëdhënëseje.

Çfarë po ndodh me “Becchetin” dhe pse rrezikojmë?

Përgjatë 10 viteve të aktivitetit të tij në Shqipëri, Francesco Becheti krijoi një seri kompanish guackë, para se të procedohej nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës kriminale” dhe të shpallej në kërkim.
Sipas akt-akuzës së dërguar në Gjykatë, Prokuroria shqiptare e akuzon atë për një skemë mashtrimi me vlerë 38 milionë euro në dëm të Tatimeve dhe bankave.
Paralelisht me këtë hetim, Gjykata e Tiranës urdhëroi sekuestrimin e kuotave të gjashtë kompanive të Bechetit, të cilat janë “Agon Set”, “Energji”, “Cable System”, “400 KW”, “Fuqi” dhe “Investime të rinovueshme”. AAPSK deklaron se ka marrë në ruajtje këto kompani, por e ka të pamundur t’i administrojë ato për mungesë kuotash.
Ekspertë të intervistuar nga BIRN e cilësojnë rastin Beccheti si një test të dyfishtë për AAPSK dhe për shtetin shqiptar. Nëse çështja kundër tij do të dështojë në gjykatë, atëherë Shqipëria rrezikon t’i paguajë atij miliona lekë dëmshpërblim për kompanitë e sekuestruara.
I kontaktuar nga BIRN, një prokuror në Tiranë tha se, Shqipëria rrezikon dëmshpërblime marramendëse, nëse rezulton që pasuritë e sekuestruara janë çuar drejt falimentimit. Ai shpjegon se nuk ka një praktikë të konsoliduar të ligjit, ndërsa në disa raste, Gjykata e Lartë ka prishur vendimet e konfiskimit, duke e ekspozuar vendin përballë proceseve të komplikuara të dëshpërblimeve.
Ish-drejtori i AAPSK, Hekuran Vladi bie dakord me këtë konstatim, ndërsa e cilëson rastin Beccheti si “një ekuacion të pazgjidhshëm nga Agjencia”. Shkak sipas tij është mungesa e rregullimeve ligjore për mënyrën e administrimit të ndërmarrjeve të sekuestruara.
“Sikur Beccheti të jetë krimineli më i madh në Europë, shteti shqiptar rrezikon t’i detyrohet sërish miliona euro veç për mungesë të rregullimeve ligjore”, thotë Vladi.
Të frustruar nga vakuumi ligjor, zyrtarët e Agjencisë rendisin një sërë problemesh të tjera që vuajnë mbi shpinë, gjatë përpjekjeve të tyre për administrimin e pasurive të sekuestruara. AAPSK i tha BIRN se afatet e gjata të gjyqeve rrisin kostot e administrimit dhe ulin vlerën e pronave të sekuestruara.
Ata përballen gjithashtu me vonesa në ekzekutimin e vendimeve apo me raste kur vendimet e gjykatave jepen në kundërshtim me rregullimet ligjore të përcaktuara në ligjin “Antimafia”.
Në fund, shitja e pasurive të sekuestruara nga personat me aktivitet kriminal nuk është një mision i lehtë, sipas AAPSK.
“Përveç frikës së konfliktit që mund të krijojë blerja nga biznesi privat i pasurive që vijnë nga aktivitete kriminale, kërkohet edhe përmirësim ligjor dhe efikasitet nga institucionet shtetërore”, tha zëdhënsja e AAPSK.
Pasi ka shkelur më parë në të njëjtën rrugë, Hekuran Vladi thotë se, drejtuesit aktualë të Agjencisë nuk mund të gjykohen, përsa kohë ligji nuk rregullon në mënyrë të plotë veprimtarinë e tyre. Ai thekson se në SHBA ky sektor i është lënë në dorë shërbimit Marshall-më i kualifikuari në zbatim të ligjit, ndërsa në Shqipëri mungon prej vitesh vullneti politik për t’i dhënë zgjidhje betejës kundër pasurive të krimit.
“Nuk ka e nuk do të ketë asnjë vlerë gjurmimi i parave të paligjshme, nëse nuk gjen një thes ku t’i mbledhësh. Në Shqipëri, prej kohësh ka munguar vullneti politik për këtë çështje”, përfundon Vladi.

Artikulli paraprakSekuestrimet në firo dhe fiasko e Drejtorisë së Pastrimit
Artikulli tjetër3.2 miliardë lekë abuzime, KLSH publikon raportin për 4-mujorin