Rama, shembull i trukimit të zgjedhjeve edhe në Francë

Rama ka hyrë tashmë në historinë e së majtës europiane, por edhe më gjerë si simbol i trukimit dhe manipulimit të zgjedhjeve. Alarmi ka ardhur nga eksponentë të lartë të socialistëve francezë, të cilët kanë paralajmëruar drejtuesit e partisë së tyre se po “tenton të bëjë zgjedhje sikurse bën Rama në Shqipëri”.
E majta franceze po bëhet gati për të zhvilluar zgjedhje brenda partisë. Socialistët do të duhet të vendosin se si do ta zgjedhin kandidatin apo kandidatët e tyre për garën presidenciale të vitit 2017.
Por kundërshtarët e Presidentit Francois Hollande kanë shprehur shqetësimin se këto “primare” po organizohen vetëm për të legjitimuar atë dhe jo për të bërë një garë reale. Ish–ministrja e Kulturës, Aurelie Filippetti, thotë se socialistët francezë që mbështesin Hollande po kërkojnë të ndjekin modelin shqiptar.
Në një artikull në gazetën “Le Parisien”, ajo flet për rrezikun e “primareve alla shqiptare”, të organizuara vetëm për të religjitimuar Francois Hollande.
Ajo shprehet: “Ata ëndërrojnë primare alla shqiptare: një kandidat i vetëm, Francois Hollande dhe asnjë kandidat të spikatur”.
Partia Socialiste e Francës e ka shtyrë për në qershor vendimin nëse do të ketë një apo disa kandidatë. Sekretari i Parë dhe disa të afërm të Presidentit të vendit janë shprehur pro kandidaturës së vetme të Francois Hollande.
Por sipas ish–ministres Filippetti, në këtë mënyrë socialistët po mbysin garën brenda partisë, akuza këto të njëjta të bëra në Shqipëri nga deputeti Ben Blushi dhe disa deputetë të tjerë kundër Edi Ramës, pasi ai vendosi të mos lejojë garën për kreun e partisë.
Kërkesës për të zhvilluar garë për kreun, Rama iu kundërpërgjigj me referendumin e së shtunës, për të legjitimuar qëndrimin e tij në krye të PS–së.
Sipas asaj që deklaron Filippetti, kjo mënyrë e të bërit zgjedhje në Partinë Socialiste të Shqipërisë, do të mbahet mend si një fenomen politik. Filippetti ka qenë anëtare e kabinetit qeveritar francez deri në vitin 2014. Ajo është ish-bashkëshortja e ekonomistit të njohur francez, Thomas Piketty. Ajo e ka kritikuar vazhdimisht Presidentin Hollande edhe për politikat qeverisëse, duke thënë se qeveria franceze nuk është më e së majtës.

I damkosur si manipulues

Damkë më të keqe për një lider politik nuk do të mund të kishte. Rama është sot simbol i së keqes dhe shkeljes së rregullit bazë të demokracisë, atij të votës së lirë. Një damkosje e tillë nënkupton qartërisht një lider autoritar me prirje diktatoriale që shtyp të drejtën themelore mbi të cilën pluralizmi politik, të drejtën e zgjedhjes dhe të zgjedhurit. Këtë e bëri hapur brenda partisë së tij, duke zëvendësuar zgjedhjet në strukturat drejtuese me referendumin ku e shpalli veten të përjetshëm. Një model i tillë i imponuar me pahir është sot një rrezik jo më për rrëshqitjen e një partie tek një model autoritar, por një rrezik për të gjithë shoqërinë. Vetëm pak orë pas farsës së atij referendumi, Sekretari Organizativ i PS, Klosi doli para mediave dhe deklaroi se këto standarde do të duhet të implementohen edhe në zgjedhjet parlamentare. Kjo deklaratë e Ramës përmes gojës së sekretarit të tij është një paralajmërim për të gjithë shqiptarët dhe opozitën. Rama po kërkon që të mbetet në pushtet përmes varrosjes së zgjedhjeve dhe votës së lirë. Atë që bëri në parti po kërkon ta bëjë në zgjedhjet parlamentare. Kjo është e vetmja mënyrë që ai shikon të mbajë pushtetin. Ai e di se me zgjedhje të lira, Rama del në opozitë, ndaj dhe beteja e tij e vetme është varrosja e zgjedhjeve të lira. Në funksion të kësaj skeme është edhe zvarritja pa fund e procesit të dekriminalizimit dhe ngritja e Byrosë së Hetimit. Implementimi i këtyre dy reformave madhore do të bënte që Rama të shihte veten në opozitë dhe tani ai po lufton për të zëvendësuar standardet demokratike me ato të partisë-shtet, gjë që nuk do të mund të bënte gjë tjetër veçse do të afronte destabilizimin e vendit.

Berisha: Edi Rama bëhet famëzi në mbarë Europën!

Ish-Kryeministri Berisha ka ironizuar Ramën në lidhje me deklaratat e ish-ministres franceze, e cila në një deklaratë të saj tallej me mënyrën se si është katandisur PS sot nën drejtimin e Ramës. “Socialistët në Francë: Mos të bëjmë primare si Edi Rama në Shqipëri! Ish-ministrja e Kulturës e Francës, Aurellie Filippetti thotë se socialistët francezë nuk duhet të bëjnë zgjedhje me një kandidat të vetëm (alla Edi Rama) (alla shqiptarçe). Kjo dëshmon se Edi Rama është bërë famëzi në të majtën europiane me standardin e tij zgjedhor”, shkruan Berisha.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakSi e manipuloi Rama referendumin
Artikulli tjetërShkeljet dhe afera kriminale me helikopterin e Gjeneralit