Rama rrezik kombëtar, e pret koshi i plehrave të historisë

Sali BERISHA

Në një ndërmjetësim dhe negociata intensive 24-orëshe, zëvendësasistenti i sekretarit të Shtetit arriti të paraqesë para palëve një paketë të njëjtë, me ndryshime të pranueshme, me atë që njihet si paketa apo propozimi McAllister, të cilën e mbështet edhe qeveria amerikane.
Opozita e bashkuar e pranoi plotësisht paketën dhe informoi për këtë vendim ambasadën e SHBA. Paketa McAllister parashikon votimin e vettingut në Parlament. Këtë paketë kompromisi, e cila ishte pranuar nga Edi Rama, gjë që e konfirmoi në një deklaratë të tij të dt. 26 prill delegacioni i BE në Tiranë, dje Edi Rama e hodhi poshtë dhe e refuzoi atë.
Meqenëse negociatat janë në vazhdim, nuk po ndalem në arsyet absolutisht të paqëndrueshme të refuzimit të Ramës, por vetëm po theksoj se me këtë refuzim, Edi Rama dëshmon se ai përbën një rrezik kombëtar absolut për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo së pari sepse, me këtë refuzim, ai dëshmon se është i vendosur, qoftë dhe me çmimin e një konflikti të ashpër, të vazhdojë fushatën si fantazma e Enver Hoxhës, për të varrosur pluralizmin dhe vendosur monizmin në Shqipëri.
Së dyti, me këtë akt Edi Ramës i bie maska dhe del cullak si njeri që nuk e voton vettingun nga frika dhe tmerri i sarajeve të Surrelit, pallatit 5-katësh, lidhjeve të tij të tmerrshme me drogën, vjedhjet e tij qindra milionëshe në CEZ dhe koncesione të tjera.
Refuzimi i paketës McAllister nga Rama është pra, refuzimi i vettingut dhe dëshmi e vullnetit të tij për të bërë vettingun vetë dhe zëvendësuar opozitën e sovranit me opozitën e tij të kartelit, pra me ato parti që i regjistroi me firma të mbledhura nga PS.
Me këtë akt, çdo shqiptar apo dhe i huaj, që për një arsye apo për një tjetër besoi gabimisht gënjeshtrën bajate të Edi Ramës se opozita ka frikë nga vettingu ndaj dhe nuk e voton atë, e ka të qartë se ka besuar një mashtrim banal dhe se ai që nuk e voton vettingun nga frika dhe tmerri i tij është vetëm Edvin Kristaq Rama.
Shkaku i këtij qëndrimi destabilizues antikombëtar të Edi Ramës është një dhe vetëm një: vendosmëria e tij për të vjedhur me çdo çmim zgjedhjet për shkak të humbjes absolutisht të sigurtë që e pret!
Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, në veçanti të gjithë atyre që besuan mashtrimin e Ramës, se opozita nga frika nuk e voton vettingun, të bashkohen me revolucionin demokratik për ta hedhur Edi Ramën, këtë fantazmë të Enver Hoxhës që do me çdo çmim të varrosë pluralizmin në Shqipëri, në koshin e plehrave të etërve të tij mizorë!

Artikulli paraprakJardim te Interi?
Artikulli tjetërDenoncimi, maturantit iu dha teza e provimit në këmbim të votës