Rama përgatit lirimin e ish-deputetit Frroku

Gjyqi ndaj ish-deputetit të mazhorancës, Mark Frroku është shtyrë sërish ditën e djeshme. Për të tretën herë avokatët e tij kanë kërkuar më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen. Duket se Rama po përgatit lirimin e Frrokut me të njëjtën skemë si me atë të lirimit të kapobandës së Durrësit, Lulzim Berisha dhe të anëtarëve të bandës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”.
Akuza më e rëndë që rëndon mbi ish-deputetin e mazhorancës është ajo për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Belgjikë. Pas arrestimit me kërkesë të autoriteteve belge ndaj tij janë ngritur edhe disa akuza të tjera për pastrim parash, fshehje pasurie e ndërtim pa leje.
Për vrasjen, Frroku ishte në gjyq së bashku me Kristian Marinajn, i akuzuar nga belgët si bashkëpunëtor i tij në vrasjen e 18 viteve më parë. Më 15 mars, Gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm Marinajn, i cili u gjykua në mungesë. Togat e zeza rrëzuan të gjitha provat e servirura nga belgët.
Ngjarja për të cilën akuzohet ish-deputeti i mazhorancës, Mark Frroku ka ndodhur më 05 mars të vitit 1999 në Bruksel. Vëllai i viktimës i ka thënë Prokurorisë belge se Arben Frroku, kishte paguar 10 mijë dollarë për vrasjen e Aleksandër Kurtit e kryer nga vëllai i tij, Mark alias Besnik Morina. Sipas këtij dokumenti, motivi i vrasjes ishte: “Raporti midis viktimës dhe shtetases L. po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër”.
Në datë 05.03.1999, viktima Aleksandër Kurti, lindur me 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint-Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, i njohur si Piro Sofrani. Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes. Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën, por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. Kristian Marinaj, i njohur si Arjan Bytyçi, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisen jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes.
Janë të njëjtat prova mbi të cilat është dënuar edhe Frroku me 10 vjet burg në Belgjikë, në shkallën e parë. Për pasojë, Gjykata pritet t’i rrëzojë edhe në rastin e Frrokut. Prokuroria ka kërkuar që ai të dënohet me 25 vjet burg, 17 për vrasjen në Belgjikë, 3 vjet për fshehje të pasurisë dhe 4 për ndërtim të paligjshëm. Vepra për ndërtim të paligjshëm dënohet nga 1 deri në 5 vjet sipas nenit 199/a të Kodit Penal. Ajo për fshehje të pasurisë, sipas nenit 287 dënohet me burg nga 6 muaj deri në 3 vjet. Vepra për pastrim të parave, sipas nenit 257 të Kodit Penal dënohet me gjobë deri në 3 vjet. Mark Frroku është arrestuar më 2 prill të vitit 2015. Nëse akuzat për vrasje do të bien, ai pritet të lirohet, pasi ka kryer 2 vjet burg në paraburgim.
Arrestimi i tij nxorri në dritë një skandal, atë të fshehjes së udhër-arrestit të dërguar në zyrën e Interpol Tiranës nga autoritetet belge, në të cilin u përfshi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, i cili u akuzua se kishte vepruar për llogari të Saimir Tahirit.

R.POLISI

Artikulli paraprakProkuroria: Policia dekonspiroi operacionin e 11.6 tonelatat e drogës në Përmet
Artikulli tjetërVrasja e ish-drejtorit, Prokuroria verifikim bisedave telefonike