Rama paralizon Vettingun, i shkurton me 40% kërkesat

 

“Rama po saboton që në hapin e parë vettingun dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë. Edi Rama duhet të ndajë mendjen, nuk mund të jetë edhe me bandat edhe me drejtësinë”
Me vetëm votat e mazhorancës, Komisioni i Ligjeve kufizoi dje burimet njerëzore dhe financiare në dispozicion të institucioneve të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke gjymtuar rëndë organikën e vettingut. Partia Demokratike kundërshtoi fort këtë vendim në Komisionin e Ligjeve, ndërsa kërkoi reflektimin e mazhorancës.
“Mosvënia në dispozicion e stafit të mjaftueshëm për organet e Vettingut përbën kërcënim ndaj veprimtarisë tepër të rëndësishme të tyre. I bëjmë thirrje mazhorancës që të reflektojë deri ditën e enjte”, tha Halimi. Kryetarët e institucioneve të vettingut shprehën shqetësimin për shkurtimin e numrit të punonjësve, pasi parashikimet janë që volumi i punës në muajt në vazhdim do të jetë i lartë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri thirrje dje Ramës të mos sabotojë punën e instucioneve të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Dje, kemi patur një mbledhje të gjatë të Grupit parlamentar, ku kemi diskutuar për rendin e ditës në seancë plenare. Por çështja më e rëndësishme e diskutuar ka qenë ajo që ka të bëjë me mbështetjen e organeve të vettingut. Organet e vetingut kanë bërë një kërkesë për t’i mbështetur sipas ligjit, me personelin, i cili do t’i ndihmojë në procesin e shqyrtimit të integritetit, të profesionalizmit dhe ndershmërisë së gjyqtarëve, pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim që procesi i vettingut të nisë pa vonesë dhe shqiptarët të kenë sa më shpejt rezultatin e dëshiruar; pastrimi i sistemit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe një drejtësi, e cila të mos mbrojë, por të ndëshkojë krimin dhe korrupsionin. Edi Rama ka vendosur që ta sabotojë që në hapin e parë zbatimin e vettingut.
Me urdhër të Edi Ramës, mazhoranca ka shkurtuar në komision parlamentar me pothuajse 40% kërkesat e Komisioneve të Vettingut. Edhe sot e dëgjuam Edi Ramën të justifikonte këtë si një akt gjoja për të mbrojtur paranë e taksapaguesit. Në fakt, është i njëjti Edi Ramë që e ka zgjidhur qesen dhe paguan më shumë personel në Kryeministri se ç’paguan Donald Trumpi në Shtëpinë e Bardhë, gjysmën e ka sharës me pagesë të kundërshtarëve politikë, të opozitës, të mediave, të çdokujt që del kundër praktikave të korruptuara apo vendimeve të qeverisë të tij. Para për sharës me pagesë ka plot”, tha Basha.

Kreu i PD, Basha paralajmëroi se me këtë akt Rama ka si synim vënien nën kontroll të procesit të vettingut dhe kontrollin ndaj këtij procesi. “Qindra-mijëra euro, miliona lekë të taksapaguesve shqiptarë hidhen ditë për ditë për të paguar njerëz, që nuk i sjellin asnjë shërbim qytetarit. Ndërsa, për procesin më të rëndësishëm, që është procesi i reformimit të drejtësisë, procesi i vettingut, nuk gjenden para për të mbështetur me këshilltarë organet e vettingut. Ky është një akt djallëzor sabotimi i Reformës në Drejtësi. Bëhet me një qëllim të caktuar: Pa ndihmën e duhur, pa këshilltarët që do të bëjnë të mundur një proces transparent, profesional dhe të shpejtë, vettingu do të kalojë në kalendat greke dhe do të mbetet në dorë të ekzekutivit, do të mbetet në dorë të Edi Ramës, do të mbetet në dorë të drejtorëve të Edi Ramës që ka qenë prej fillimit plani i tij”, u shpreh kreu i PD.

-Zoti Basha, sa qëndron ky argument kur ju ishit ata që bllokuat vettingun, ndërsa Partia Socialiste bëri edhe fushatë elektorale për vettingun. Si mund ta akuzoni tani?
Eshtë fare e qartë që ne nuk bllokuam vettingun. Ne bllokuam një përpjekje për ta kapur vettingun. Vettingu u votua në Kushtetutë nga Partia Demokratike. Pra, kjo që thoni ju është një keqinterpretim apo një dezinformim i suksesshëm i Edi Ramës. Ne votuam vettingun më 22 korrik të vitit të kaluar. Ky është fakt.

-Dhe pastaj ngritjen e komisioneve e bllokuat?
Komisionet u votuan në qershor. Komisionet janë ngritur me votën e Partisë Demokratike. Eshtë kështu apo jo?! T’ia kujtojmë qytetarëve; ne kemi votuar për komisionet e vetingut dhe ne votuam dje në Komision të Ligjeve, që këto komisione të vetingut të kenë mbështetjen e duhur financiare dhe mbështetjen e duhur me personel që të nisin sa më shpejt dhe të përfundojnë pa vonesë procesin e vettingut. Shapin nga sheqeri e ndajnë faktet dhe jo fjalët. Me fjalë, Edi Rama ka dalë si kampion i vettingut, me fakte del kundër vettingut. Po saboton që në hapin e parë vettingun dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë. Edi Rama duhet të ndajë mendjen, nuk mund të jetë edhe me bandat edhe me drejtësinë. Nuk mund të jetë edhe mbrojtësi dhe përfituesi i bandës së Elbasanit, bandave të Durrësit, bandave të Vlorës, bandave të Shkodrës dhe të Lezhes, dhe nga ana tjetër, të na dalë si kampioni i drejtësisë. Të dyja nuk rrinë në një vend. Kaq e kupton çdo shqiptar, i djathtë, apo i majtë, demokrat apo socialist, me shkollë, apo pa shkollë. O me bandat, o me drejtësinë. Ne kemi zgjedhur të qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të reformimit të drejtësisë. Ndaj, të enjten, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, do të propozojë në seancë plenare amandamentet, për të rivendosur atë që kanë kërkuar organet e pavarura të Vettingut. Ne do të jemi në krah të organeve të pavarura të vettiungut, që të kenë mbështetjen e plotë financiare dhe me personel dhe të mos jenë në mëshirën e një njeriu, i cili deri më sot me fakte ka zgjedhur bandat dhe jo drejtësinë.

-Zoti Basha, për Reformën Zgjedhore kryeministri ju kujtoi sërish marrëveshjen e 18 majit dhe tha që nuk pranon kushte nga ana e opozitës.
Ne do të kemi projektin tonë, ne do të kemi propozimet tona që do të vijnë pas një procesi konsultimi me aleatët tanë politikë dhe me faktorët e tjerë shoqërorë. Me një konsultim me qytetarët që t’i japim Shqipërisë një sistem zgjedhor, i cili vë në qendër qytetarin, jo bandat, jo kriminelët dhe jo oligarkët.

-A do të pranoni të uleni në një tryezë me Edi Ramën për Reformën Zgjedhore?
Unë jam ulur e me siguri do të ulem edhe me pasardhësin e Edi Ramës. Nuk është ky problemi. Problemi është, a do të zgjidhim diçka dhe kjo varet tërësisht nga qendrimi që Edi Rama do të mbajë ndaj procesit deformues të 25 qershorit. Nëse zgjedh, si ka zgjedhur deri më sot, të mbyllë sytë para faktit që ka një mazhorancë fiktive, e cila nuk ka dalë nga vullneti i shqiptarëve, nga vota e ndershme e shqiptarëve, atëherë kursi tjetër është kursi i përballjes, dhe për këtë Partia Demokratike dhe aleatët, janë më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë.

-Zoti Basha, keni folur për reformim të Partisë Demokratike. Kur do të futen strukturat e Partisë Demokratike në zgjedhje?
Procesi i parë do të jetë një proces konsultimi me anëtarësinë e Partisë Demokratike, nga i cili ne do të dalim me konkluzionet tona, sa i përket organizimit, ashtu edhe sa i përket ndryshimeve të mundshme statutore dhe hapave të tjerë që do ta bëjnë Partinë Demokratike më të fortë, më demokratike, më të bashkuar.

Artikulli paraprakBilanci i Buxhetit dhe Borxhi i Jashtëm në vendet e Ballkanit
Artikulli tjetërPD, paketë amendamentesh për organikën e Vetingut