Rama në krye të detyrës, ekspozon zyrën me flutura në Napoli

Një tjetër ekspozitë në kohën e kolerës. Ndërsa mijëra e mijëra marrin rrugët, duke ikur nga kolera e pushtetit, Rama ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të shijuar luksin e pushtetit. Ai është rehatuar dy ditë më parë në llozhat luksoze të këtij qyteti, ku ka hapur ekspozitën e tij të radhës.
Rama ka hapur të hënën një ekspozitë me skicat e tij në Napoli të Italisë. Ai ka qenë i pranishëm në përgatitjet e fundit dhe pastaj në ceremoninë hapëse të ekspozitës.
Në një Shqipëri të zhytur në drogë, krim dhe korrupsion, ku mijëra vetë i shtohen çdo ditë armatës së shqiptarëve të skamur, nuk mund të kalohet në heshtje suksesi i jashtëzakonshëm që po korr Kryeministri ynë. Përmes kronikave të përgatitura në laboratoret mediatike të qeverisë, na është dhënë si informacion i verifikuar se Kryeministri po fiton para të madhe nga shitja e shkarravinave të tij dhe do të jetë shumë shpejt një artist supermilioner. Ai ka hapur ekspozita në Gjermani, Itali, Hong Kong e Kinë dhe na është thënë se ka ekspozuar qindra punë të tij dhe punët e tij po shiten me një shpejtësi marramendëse dhe ka fituar shuma të konsiderueshme.
Pavarësisht se në një vend normal, aktiviteti i Kryeministrit dhe shfrytëzimi që i bën ai postit për të nxjerrë përfitime personale do të përbënin një furtunë të vërtetë politike dhe mediatike, Rama ka merak të na bindë se po fiton para nga shitja e pikturave të tij. Ai nuk na ka shpjeguar ende se kush ka paguar për udhëtimet e tij, kush ka paguar për transportin e punëve të tij dhe a kanë kaluar ato drejt shteteve të ndryshme të Europës si dhe shteteve në kontitentet e tjera nëpër procedurat e duhura që parashikon ligji. A janë dërguar këto punë në shtetet europiane ku janë zhvilluar ekspozitat si dhe shtetet e tjera si postë diplomatike? Kush ka paguar për shpenzimet e qëndrimit të tij dhe delegacionit që shoqërojnë Ramën në këto vizita ? Si është nënshkruar marrëveshja me galeritë ku ekspozon punët e tij, sa ka paguar dhe si ndahen fitimet? Sa është kontributi i institucioneve dhe administratës shqiptare (Kryeministria, Ministria e Kulturës, Ministria e Jashtme, ambasada shqiptare në vendet ku zhvillohen ekspozitat) për një projekt dhe biznes personal të piktorit Edi Rama?

Artikulli paraprakRoshi rrezikon burgun edhe për mashtrim me formularin
Artikulli tjetërNuk ka armëpushim