Rama i jep Veliajt 28 mijë metra katrorë në qendër të Tiranës për aferën e parkingut

Qeveria ka vendosur t’i kalojë në pronësi Bashkisë së Tiranës një pronë prej rreth 28 mijë metra katrorë në qendër të kryeqytetit për të ndërtuar parkingun nëntokësor. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave. Me këtë vendim, tashmë i hapet rrugë Bashkisë së kryeqytetit për të ndërtuar parkingun nëntokësor tek Parku “Rinia”. Projekti në fjalë ka të bëjë me një aferë të nisur nga Rama në kohën kur ai ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës, e që tashmë po vihet në jetë nga Erjon Veliaj. Parkingu do t’i jepet me koncesion ortakut të vjetër të Ramës, Besnik Sulaj. Këshilli Bashkiak futi në rend dite në mbledhjen e datës 30 dhjetor 2015 një kontratë koncesioni për ndërtimin e një parkingu privat në tokë shtetërore në Parkun “Rinia”, duke riaktivizuar një vendim të administratës së Bashkisë të vitit 2009, kohë kur Bashkia drejtohej nga Kryeministri aktual Edi Rama. Vendimi i Këshillit Bashkiak [Mbi] “miratimin e termave kryesore të kontratës koncesionare”, argumenton se procesi i kërkesës së koncesionit me nismë të koncesion marrësit është marrë në maj të vitit 2009, ndërsa miratimi i termave të kontratës u bë në vitin 2015. Në tenderin formal për kontratën e koncesionit të zhvilluar në vitin 2009 pati vetëm një pjesëmarrës, i cili u shpall fitues. Sipas kontratës, kompania Taiwan shpk do të marrë një sipërfaqe toke në Parkun “Rinia” (sasia e tokës nuk përcaktohet) dhe do të shpenzojë 1.9 miliardë lekë (13.5 milionë euro) për ndërtimin e parkingjeve nëntokësore me kapacitet prej 1342 vende. Kompania ka paraqitur në Bashki tarifat që do të aplikojë për parkimet, të cilat fillojnë nga tarifa bazë prej 120 lekë për orë, tarifë që ulet në 100 lekë për orën e dytë, të tretë dhe të katërt dhe më pas, në 30 lekë për çdo gjysmë ore më pas. Sipas kontratës, Bashkia e Tiranës do të marrë një “tarifë koncesioni” prej 10 për qind të fitimeve. Kjo formë tarife koncesioni ka rezultuar deri tani shumë e pafat për Shqipërinë, (p.sh. rasti i koncesionit të Bankersit), pasi kompanitë koncesionare janë në gjendje që të fryjnë shpenzimet dhe ta shpallin kompaninë e koncesionit me humbje përgjatë të gjithë periudhës së koncesionit. Parku “Rinia” është një pronë publike që i qe transferuar Bashkisë së Tiranës në vitin 2006 me një vendim qeverie, por që më pas në vitin 2009 iu kalua po me vendim qeverie Ministrisë së Punëve Publike. Në shtator 2015, një vendim tjetër i qeverisë ia kaloi sërish Bashkisë së Tiranës këtë truall. Kompania Taiwan shpk është nën pronësinë e biznesmenëve Besnik Sulaj (80%), Apostol Goci, (5%) Albano Aliko (5%) dhe Avni Braçaj (10%). Ajo ka aktivitet të deklaruar në shërbime hotelerike, bare e restorante, shitje me shumicë e pakicë, administrimi i parkingjeve dhe tregtimi me pakicë i karburanteve. Sipas të dhënave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, xhiroja e saj për vitin 2014 qe 131 milionë lekë (rreth 935 mijë euro). Por aksionet e aksionerit kryesor, Besnik Sulaj, janë shpallur nën sekuestro që nga korriku i këtij viti për shkak të një detyrimi të pashlyer prej 100 mijë eurosh borxhe.  Këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Tiranës thonë se projekti për parkingun nëntokësor në Parkun “Rinia” mund të çojë deri në tjetërsim të këtij parku, nga një zonë e gjelbërt në një shesh me sipërfaqe betoni. Investimi për parkingun nëntokësor do të kryhet nga konçesionari në vlerën e 1 miliard 937 mln lekë. Bashkia do ta rimarrë në kompetencë këtë parkim pas 30 vitesh.

Koncesioni

Veliaj në serinë rekord të shkeljes së ligjit në pak muaj të ushtrimit të funksionit ka bërë të njëjtën gjë edhe për procedurën për dhënien me koncesion të parkimit nëntokësor tek Parku “Rinia”. Kjo proçedurë e filluar në vitin 2008 nga eprori i tij me qëllime të pastra klienteliste dhe korruptive, vazhdoi pas 7 vjetësh dhe u përmbyll brenda disa ditëve në shkelje të plotë të ligjit nga z. Veliaj. Ai zbatoi ligjin e gabuar në mënyrë që të shmangte ato hallka proceduriale të detyrueshme siç ishte negociimi me operatorin e renditur i pari, “Shoqëria Tajvan shpk”, shmangu dhënien e miratimit me shkrim, të detyrueshëm, nga ana e njësisë së trajtimit të koncesioneve “Atrako” dhe hallvën e pjekur ia dërgoi Këshillit Bashkiak për të marrë vendim në lidhje me miratimin e kushteve të kontratës koncesionare. Në të njëjtën ditë që Veliaj i kërkon kinse miratimin për të vijuar apo jo procedurën e para shtatë viteve me shoqërinë “Tajvan shpk”, në të njëjtën ditë i paraqet Këshillit Bashkiak për miratim kushtet kontraktore të kontratës koncesionare.

Arben Shahini

Artikulli paraprakDeputetja e PS, Hafizi me eurodeputetët për degradimin e qeverisë Rama
Artikulli tjetërALBtelecom mbështet Autoritetin Rrugor Shqiptar për ndriçimin e hyrjes së autostradës Tiranë-Elbasan