7 milionë euro për fermerët, 15 milionë euro bileta avioni

Sektori i bujqësisë, një nga sektorët më të rëndësishëm në ekonominë e vendit ndodhet në pikën e tij më kritike. Fermerët, kategoria që duhej të subvencionohej dhe mbështetej nga qeveria është më e braktisur se kurrë. Të vetmit përfitues, janë klientët pranë Ramës, të cilët me ardhjen e rilindjes në pushtet, gjallëruan dhe aktivitetet e tyre të biznesit, duke i zgjatur në bujqësi e në tregti. Partia Demokratike denoncoi dje favorizimin e klientëve të Ramës, ndërsa bëri të ditur se vetëm 14 tregtarë vit për vit morën mbi 70% të buxhetit të bujqësisë, ndërsa pjesa tjetër u braktis tërësisht nga qeveria në katër vite.
“Pasi i braktisi për 4 vite fermerët shqiptarë, pasi ndërtoi një narko-shtet dhe vendosi gjithçka në shërbim të miqve dhe klientelës, Edi Rama predikon sot mashtrime të reja.
Në 4 vite, Edi Rama nuk bëri asnjë investim në infrastrukturë dhe mijëra hektarë u përmbytën rregullisht, duke sjellë pasoja katastrofike për prodhimin e fermerëve.
Në 4 vite, numri i përfitueseve nga skema e subvencionit është ulur mbi 5 herë. Përfituan çdo vit vetëm 14 tregtarë, klientë të qeverisë që morën mbi 70% të buxhetit të bujqësisë.
Çmimet për imputet bujqësore u rritën deri në 30%.
Çmimi i naftës u rrit me 30 për qind”.
Partia Demokratike ka një projekt të realizueshëm dhe ambicioz që do të transformojë bujqësinë dhe do të nxjerrë zonat rurale nga varfëria.
PD në progrmain e asaj parashikon një subvencionim prej 150 miolionë euro çdo vit për bujqësinë. “150 milionë euro do të investohen çdo vit në këtë sektor. 100 milionë euro në formën e subvencioneve direkte për çdo familje fermere bazuar vetëm mbi prodhimin e tyre.
50 milionë euro investime në infrastrukturë si vaditje dhe kullim, rregullim tregjesh dhe siguri ushqimore. Prodhimet e fermerëve shqiptarë do të mbrohen përmes tarifave doganore nga importet e oligarkëve të Ramës. Kjo do të ndodhë më 25 qershor, kur fermerët shqiptarë së bashku me qytetarët në mbarë Shqipërinë do t’i japin fund me votën e tyre të lirë, republikës së vjetër që i zhvati, mashtroi dhe varfëroi dhe do të votojnë për projektin kombëtar të Republikës së Re, Republikës së qytetarëve.
A e dini sa ka dhënë Edi Rama subvencione për Shqipërinë vitin e kaluar? 7 milionë dollarë për gjithë Shqipërinë. Po a e dini sa ka harxhuar për bileta avioni?! 15 milionë dollarë. Dy herë më shumë para për të udhëtuar në të gjithë botën se sa subvensione për fermerin shqiptar.
Rama kishte premtuar heqjen e tatim-fitimit për industritë e reja agropërpunuese në 4 vitet e para. Në të vërtetë rezulton se ky është një mashtrim i vërtetë dhe Rama nuk i ka hequr asnjë tatim industrisë agropunuese. Rama po ashtu para katër viteve kishte deklaruar se do të ngrinte bankën në ndihmë të fermerëve. Në të vërtetë në vend të bankës në ndihmë të fermerëve Rama ngriti Bankën e Lindës, bashkëshortes së tij për të pastruar paratë e drogës dhe korrupsionit me koncesionet”, thuhet në reagimin e PD.

Artikulli paraprakKomuniteti i pamundur i Facebook
Artikulli tjetërLufta ka nisur, sa deputetë marrin LSI dhe PDIU pas goditjes nga Rama