Rama drejt largimit të sigurtë si pjesë e problemit…

Nga Kastriot Islami

Rama është më i vetmuar se kurrë. Jo vetëm opozita, por edhe aleatët kryesorë po i  kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme me  një qeveri që siguron besimin e të gjithëvë. Përveç opozitës që është shprehur për një qeveri pa Ramën kryeministër, edhe të gjithë forcat e tjera politike janë të angazhuara për të shkuar në zgjedhje vetëm me një qeveri pa Ramën kryeministër, që dikush e quan “qeveri teknike”, dikush tjetër “qeveri besimi” apo dikush tjetër “qeveri kujdestare të zgjedhjeve të lira e të ndershme”.  Jemi në një fazë, kur të gjithë janë bashkuar në një pikë që mund të formulohej se “zgjedhjet e lira e të ndershme mund të garantohen vetëm nga një qeveri pa Ramën kryeministër”.
Të gjithë po pozicionohen kundër Ramës, duke e stigmatizuar atë si problemin. Këtë qëndrim që po konsolidohet çdo ditë po e ushqen edhe vetë Rama, i cili po bën ekzaktësisht të kundërtën e asaj që i kërkojnë të gjithë të tjerët të bëjë. Rama në mënyrë direkte apo indirekte, eksplicite apo implicite, qoftë edhe kur shprehet i gatshëm për dialog thotë: jam i gatshëm të lëshoj gjithçka përveç karrikes së kryeministrit. Edhe ai vetë e kupton se ky është një qëndrim i paarsyeshëm, por nuk gjen forca për të vepruar ndryshe, sepse është i paaftë të zgjidhë dilemën mes “fundit të tmerrshëm” dhe “tmerrit pa fund”…
Rama çdo ditë e më shumë po bindet se po doli nga zyra e kryeministrit nuk do të mund të futet më kurrë aty. Pra e shikon largimin nga posti i kryeministrit si fundin e tmerrshëm. Duket që kjo paranojë po e mbërthen çdo ditë e më shumë… Kjo sigurisht e ka izoluar dhe e ka bërë më të vetmuar, duke i krijuar perceptimin se të gjithë, përveç kupolës së ngushtë, ndjehen më të çliruar dhe më të sigurtë jashtë kontrollit dhe arrogancës së tij. Prandaj, ata po largohen dhe në ditët në vijim edhe më shumë do t’i largohen. Të gjithë presin që ai të vetëlargohet, duke mos përjashtuar që në momentin e përshtatshëm edhe ta largojnë.
Të gjithë forcat politike kërkojnë largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë, si kushtin e vetëm për të hapur rrugën e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Këtë e kërkojnë haptas PD dhe të gjithë forcat opozitare. Kjo nënkuptohet nga propozimi i LSI. Kjo nuk përjashtohet edhe nga propozimi i PDIU…Kjo me shumë gjasa është një dëshirë e socialistëve të zemëruar me Rilindjen. Madje kjo qarkullon edhe në kokën e atyre personazheve që kanë ambicjen për t’i zënë vendin, duke e konsideruar këtë si momentin e volitshëm për të projektuar të ardhmen e tyre në krye të PS, po ashtu siç Rama kishte vepruar 12 vjet më parë.
Me frikën e madhe të largimit nga zyra e Kryeministrit që po e shtyn çdo ditë e më shumë në vetëizolim, Rama është tashmë pjesë e problemit, madje në një gjendje të pakthyeshme. Ai po rrëshket drejt përplasjes që mund të jetë e “butë” si një përplasje politike në Parlament ose e “fortë” si një përballje me qytetarët në protestë. Por në çdo rast, Rama është vetëm një hap larg largimit se e ka konsumuar kohën e vetëlargimit. Rama, duke qenë një frikacak tipik edhe mund të vetëlargohej, por frika këtë radhë është përtej limiteve tipike për të, duke e shtyrë të ngurtësohet në karriken e kryeministrit dhe për pasojë, duke e zhvendosur në trajektoren e largimit të ‘butë” ose “të fortë”. Opozita në mbështetje të qytetarëve në protestë është e gatshme për të dy opsionet, kurse aleatët po përpiqen më shumë ta fusin në trajektoren e largimit të “butë”. Një gjë është e sigurtë, Rama nuk mund të jetë më pjesë e zgjidhjes dhe do të largohet si pjesë e problemit. Të gjithë po ashtu e perceptojnë si humbës dhe jo si fitues dhe përgjithësisht aleatët nuk dëshirojnë të jenë në një varkë me të, ndonëse ka ndonjë që llogarit se mund të përfitonte më shumë, duke qëndruar me humbësin, të cilit do të jepte një të shtyrë, duke u hedhur në anën e fituesit pas zgjedhjeve…Dhe kjo gjendje natyrisht do të jetë me pasoja edhe në rezultatin zgjedhor që do të jetë katastrofik për Sektin Rama, rezultat që të gjithë, aleatë apo kundërshtarë, e dëshirojnë dhe e presin me padurim. Dhe Rama e ndjen këtë gjë, e cila e shtyn të saldohet më fort pas kolltukut të kryeministrit e kështu vice versa.

Artikulli paraprakKoalicioni Opozitar: Katër detyrat e qeverisë teknike
Artikulli tjetërSa janë ata që të duan ditën e fundit!? E di?!