Rama dhe Tahiri nuk reaguan për Shullazin pas kërkesës së Rektorit

Profesori Dhori Kule ka deklaruar në Prokurori se ka takuar ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për kërcënimet që i janë bërë nga Emiljano Shullazi. Burimet bëjnë të ditur se, Profesor Kule ka deklaruar para hetuesve se është kërcënuar nga disa persona, kërcënim për të cilin ai ka pranuar në Prokurori se e ka vënë në dijeni edhe kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit, ka njoftuar ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, i cili së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Haki Çako dhe drejtorin e Policisë Tiranë, Ervin Hodaj kanë takuar 1 orë para se ish-kryeministri Berisha të dalë publikisht e ta denoncojë këtë fakt. Në deklarime, Profesor Kule thotë se gjatë bisedës, ministri Tahiri i ka premtuar se do ta zgjidhë këtë kërcënim. Por pa dhënë shpjegime, se si do të ishte zgjidhja, ligjore apo private me të dyshuarin që u arrestua 11 orë pas këtij takimi me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda.
Në Laboratorin e Policisë Shkencore janë dërguar edhe pamjet e hotelit të njohur në vend, në oborrin e të cilit Profesor Dhori Kule është kërcënuar nga Shullazi. Sipas këtyre pamjeve, Profesor Kule duket që takon disa persona, por nuk mund të identifikohen me sy të lirë se kush janë ata.
Bëhet e ditur se Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore rreth 30 kamera të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga biznese e rrugë të ndryshme në Tiranë. Në mesin e këtyre pamjeve, mësohet se janë pamjet e kamerave të siguruisë së hyrje-daljeve të kryeqytetit, kamera e bashkisë që ndodhen në kryqëzime dhe rrugë kryesore, kamera të policisë si dhe bizneset e ndryshme. Sipas Prokurorisë, nuk janë gjetur kamera sigurie në momentin e kërcënimit dhe dhunimit të Profesor Mynyr Koni.
Prokuoria për Krime të Rënda bëri të ditur se do të vazhdojë hetimet për akuzën e “gjobëvënies” për Emiljano Shullazin, pavarësisht se biznesmenët e kërcënuar nuk pranuan të bëjnë kallëzime penale. ABC News ka mësuar se hetimet ndaj Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtar të “bandës” së tij, do të vazhdojnë edhe pse deri më tani, biznesmenët nuk kanë pranuar se janë gjobitur. Burimet thonë, se për momentin Prokuroria nuk po merret me pyetjen e këtyre biznesmenëve, pasi po punohet në rrugë operative që të provohet kontakti i tyre me bandën e Shullazit dhe personave ndërmjetës.
Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazi, thonë burimet nuk është vepër penale që personi mund të heqë dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të Prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.
Sa i përket informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror, burimet thonë se ata nuk mund të përdoren si prova materiale në fashikullin e hetimit. Por si informacion që përdoren nga agjentët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore për të shkuar te prova materiale. Për këtë fakt, burimet sqarojnë se që nga shkurti Prokuroria ka punuar në mbledhjen e provave për të provuar gjobëvëniet e Shullazit ndaj biznesmenëve. Përveç kësaj, hetuesit thonë se para hetuesve ende asnjë nga dëshmitarët e pyetur nuk ka mohuar atë se çfarë ka deklaruar në fazën e hetimit paraprak, duke ju referuar edhe deklarimeve në media të noterit M. Prifti.

Një tjetër institucion qeveritar vihet në mbrojtje të Shullazit

Emiljano Shullazi u arrestua me urdhër të Prokurorisë për kërcënimin me jetë ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, si dhe për gjobëvënie ndaj bizneseve. Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Shullazin dhe dy anëtarë të bandës së tij. Opozita ka denoncuar disa herë lidhjet e Emiljano Shullazit me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe me kryeministrin Edi Rama. Emiljano Shullazi u  shoqërua në polici pas denoncimit të ish-kryeministrit Sali Berisha për kërcënimin e kandidatit për rektor në UT, Mynyr Koni. Pas shoqërimit, Prokuroria nxori fletë-arrestin për Shullazin.
Një javë pas arrestimit të tij, një institucion tjetër mjaft i rëndësishëm, i cili ka për detyrë të hetojë pastrimin e pasurive ka lënë jashtë vëmendjes Shullazin. Bëhet fjalë për Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Ky institucion, heton edhe personat e dyshuar që janë të përfshirë në organizata kriminale përmes të cilave përvetësojnë pasuri në vlerë monetare apo prona të paluajtshme në kundërshtim me ligjin.
Në fakt, Emiljano Shullazi deklaroi në Gjykatë gjatë dhënies së masës së sigurisë se është një person i papunë dhe pa asnjë të ardhur, por pas arrestimit dolën në shesh pasuritë e tij, të cilat dyshohet se janë vënë në kundërshtim me ligjin. Nga “Pastrimi i Pasurive” nuk ka pasur asnjë hetim për pasurinë e Shullazit edhe pse për rastin në fjalë nuk duhet ndonjë hetim i thelluar për të zbuluar të vërtetën.
Si mundet një person që nuk është i punësuar, nuk ka biznese dhe të ardhura legale, regjistron prona dhe pasuri, nuk është hetuar asnjëherë nga institucioni përgjegjës për hetimin në këtë fushë? “Pastrimi i Parave” nuk e ka hetuar Shullazin në kohën kur në krye të këtij institucioni ishte Genti Gazheli, por as pasardhësi i tij, Alket Hyseni, nuk e ka bërë diçka të tillë. Gazheli, njihet si njeri i kryeministrit Rama, i cili më parë merrej me financat e PS-së, ndërsa tani është ambasador i Shqipërisë në Turqi. Ai mund ta ketë anashkaluar së bashku me pasardhësin, Alket Hyseni hetimin ndaj Shullazit.
Mungesa e hetimit ndaj pasurisë së Emiljano Shullazit ngre hije të forta dyshimi se, institucionet shtetërore kanë heshtur qëllimisht ndaj hetimit të pasurive të kapobandës. Është bërë një vesh shurdh dhe një sy qorr, nga frika apo me urdhër politik këtë duhet ta zbardhë Prokuroria. Kemi një fakt kokëfortë, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave nuk e ka hetuar asnjëherë Shullazin.

Dosja “Shullazi”, kamera pranë rektoratit nuk ka qenë funksionale

Prokuroria për Krimet e Rënda, që po heton dosjen “Shullazi”, ka urdhëruar sekuestrimin e një numri të madh kamerash sigurie në Tiranë. Të gjitha këto filmime janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore, ku do të këqyren nga ekspertët. Kjo do të shërbejë për të identifikuar momentet, kur është kërcënuar rektori aktual i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, në rrugën “Fortuzi”, aty ku banon.
Nga ajo çfarë kanë parë prokurorët në këtë moment duken disa makina dhe Profesor Koni. Por nuk dallohen personat e tjerë. Për këtë është urdhëruar edhe sekuestrimi i kamerave të disa bizneseve private. Gjithashtu në laboratorin e policisë ndodhen dhe filmimet e disa kamerave pranë rektoratit në Sheshin “Nënë Tereza”, aty ku u kërcënua ish-rektori.
Ndërkohë, një kamera në këtë zonë, e cila ka pasur pozicion të mirë me vendin ku është bërë kërcënimi nuk ka qenë funksionale. Ekspertët do të krahasojnë automjetet në të dyja vendngjarjet, për të parë nëse janë të njëjtat automjete. Në të njëjtën kohë, hetuesit vazhdojnë veprimet për të dokumetuar akuzat e ngritura ndaj Emilajno Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi. Do të deponojnë disa dhjetëra persona në lidhje me këtë ngjarje, të gjitha ata që janë përmendur në përgjimet e SHISH.

Manovrat për regjistrimin e hotel “Vollgës” në pronësi të Shullazit

Hetimi i nisur nga prokuroria e Durrësit për pronësinë e ish-hotel “Vollgës” ka zbuluar shkelje të shumta që dyshohet se janë kryer jo vetëm nga trupi gjykues, por edhe nga administrata e gjykatës. Në dosjen e prokurorisë detajohet historia e pronësisë së Vollgës, e cila nis në vitin 1993, kur u njihet e drejta e pronësisë, trashëgimtarëve të familjes Fortuzi.
Që prej asaj kohe, kjo çështje është endur dyerve të gjykatave deri në vitin 2014, kur një pjesë e saj i është dhuruar Emiljano Shullazit, tashmë i arrestuar për gjobëvënie. Por krahas gjykimit të çështjes në shkallët e tjera të gjyqësorit, Gjykata e Durrësit ka vendosur që prona të regjistrohet në emër të kompanisë “Saudit Brothers Commercial”.
Ky vendim është konsideruar si shkelje nga prokuroria, e cila ka nisur një hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj tre gjyqtarëve. Njëri prej tyre tha se gjykata nuk ka bërë asnjë shkelje, por ka korrigjuar një gabim të bërë nga Zyra e Regjistrimit, duke urdhëruar regjistrimin e pronës. Kjo çështje tashmë po hetohet nga prokuroria, e cila gjatë verifikimeve të para për këtë çështje ka konstatuar parregullsi edhe nga administrata gjyqësore.
Sipas prokurorisë, kancelarja dhe kryesekretarja e gjykatës i kanë vendosur vulën e formës së prerë vendimit, edhe pse çështja ishte duke u gjykuar në Apel dhe më pas në Gjykatën e Lartë.
“Konstatohet se vendimi me nr. 449, datë 18.2.2013 është konsideruar se ka marrë formë të prerë sipas vulës së vendosur nga administrata, konkretisht nga kryesekretarja shtetasja A. K. dhe kancelarja A. V. më datë 18.3.2013”, thotë prokuroria.
Pra, vula e formës së prerë i është vënë vendimit për regjistrimin e pronës, një muaj pasi ai është marrë nga gjykata. Por ndërkohë, rezulton se ndaj këtij vendimi është bërë ankim nga shtetasi Zanmir Hasa, më datë 8.3.2013 dhe njoftimi i fundit për palën e paditur, Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive Durrës, është bërë më datë 19.3.2013.
“Ankimi i shtetasit Zanmir Hasa është kundërshtuar nga shoqëria ‘Saudit Brothers Commercial Company’ më datë 25.3.2013 dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr. 09, datë 28.3.2013 ka vendosur mospranimin e ankimit të ankuesit Zanmir Hasa. Ky vendim është ankimuar dhe Gjykata e Apelit me vendimin nr.3, datë 16.1.2015 ka vendosur ndryshimin e vendimit nr. 09, datë 28.3.2013, duke rrëzuar kërkesën e kërkuesit “Saudit Brothers Commercial Company”, thotë prokuroria.
Ndërsa çështja vijonte të ishte në shqyrtim nga gjykatat më të larta, vendimi i shkallës së parë ishte vulosur si i formës së prerë dhe i ishte dërguar Hipotekës për ekzekutim. Prokuroria thotë se pas rrëzimit të kërkesës, shoqëria “Saudit Brothers Commercial” më datë 26.1.2015 ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Në pritje të kësaj vendimmarrjeje, dosja e vendimit nr. 449, datë 18.2.2013 nuk është dërguar në Gjykatën e Apelit, ku do të shqyrtohej ankimi i shtetasit Zanmir Hasa, i cili kundërshtonte vendimin që urdhëronte Hipotekën e Durrësit të regjistronte pronën.

R.POLISI

Artikulli paraprakMinistrja britanike: Shqipëria, probleme me krimin, korrupsionin e terrorizmin
Artikulli tjetërSi po vidhen kontributet e emigrantëve shqiptarë