Rama arrogancë ndaj opozitës, Opozita betejë në Parlament

Arroganca e shfaqur dje e Edi Ramës dhe enturazhit të deputetit që ka rreth tij nuk ishte e zakontë. U mundua me gjithçka që kishte në dorë për të bllokuar fjalën e ish-kryeministrit Berisha. Madje nervozizmi i tij u pa dhe ndaj kryetares së seancës Valentina Leskaj, e cila megjithëse u tregua e bindur ndaj urdhrave të shefit, sërish nuk i shpëtoi dot inatit të tij. Kamerat kapën një çast nervozizmi teksa Rama i hakërrehej nënkryetares së Kuvendit, e cila dje kishte zëvendësuar Ilir Metën, që mungoi përgjatë gjithë seancës.

Seanca

Seanca e djeshme që në fillim nisi e tensionuar. Valentina Leskaj, urdhëroi teknikën të priste zërin teksa fliste ish-kryeministri Berisha. Diskutimi i Berishës kishte të bënte me akuzat e ngritura nga mazhoranca për çështjen e integrimit. “Ju në vend që të shprehni një vlerësim, vini në bankën e të akuzuarve opozitën. Në rast se u mor rekomandimi, u mor se u votua nga ana e opozitës Reforma në Drejtësi. Nëse nuk ju hapën negociatat, nuk ju hapën se keni këtë sjellje. Ju dilni këtu, mashtroni, trilloni dhe thoni shpëtuam shpirtin. Por shpirti nuk shpëtohet me mashtrime”, tha Berisha. Ishte ky momenti që Leskaj urdhëroi teknikën t’i ndërpritej fjala, me urdhër të Kryeministrit Rama. Leskaj do të justifikohej se ndërprerja e kohës u bë, pasi Berisha e kish marrë fjalën për procedurë dhe do fliste një diskutant tjetër dhe do e merrte fjalën sërish. Por pikërisht, kur duhej që ish-kryeministri të merrte fjalën, Valentina Leskaj thirri kryeministrin në foltore. Deputetët e opozitës, kërkuan që të respektohej Rregullorja e Kuvendit. Ishte deputeti i PD Flamur Noka, ai që u ngrit drejt foltores së Kuvendit, duke kërkuar nga ana e kryetares së Kuvendit, respektimin e asaj që kish anonçuar vetë. Në  foltoren e Kuvendit u ngrit dhe kryeministri Rama, ndërkohë që Leskaj, pasi i mori leje shefit ndërpreu seancën. Pas kësaj, vetë nënkryetarja e Kuvendit do të binte viktimë e inatit të kryeministrit, kur gjatë kohës që ajo iu afrua për të sqaruar pozicionin e saj, ai iu drejtua me nervozizëm me fjalët: “Mbylle gojën, dhe m’u hiq sysh”.

Hakërrimi ndaj Leskajt

Por përse gjithë ajo arrogancë e shfaqur dje nga Rama, në seancën e parë pas kthimit të tij nga Amerika, ku shkoi me shpresën të rregullonte diçka nga ajo që kish deklaruar për Presidentin e zgjedhur Donald Trump. Duket se pas zhvillimeve në SHBA, Rama kërkon të tregojë sërish forcën. Një arrogancë që të kujton periudhën e errët të viteve 1997-2001, kur Kuvendi drejtohej nga Skëndër Gjinushi dhe opozita nuk lejohej të merrte fjalën në seancat plenare. Edi Rama dje u la në baltë dhe nga aleati i tij Meta. Ky i fundit qëndronte vetëm pak metra larg Kuvendit,  diku në afërsi të ushtarit të panjohur, duke pozuar me Veliajn.

Artikulli paraprakAsnjë fjalë për viktimat e përmbytjeve
Artikulli tjetërAktivistja i zbraz salcën në kokë Lindita Nikollës