Rakitiç: Nuk fituam prej tifozëve

Ivan Rakitiç shënjestron ultrasit e Kroacisë pas barazimit 2-2 me Republikën Çeke. Mesfushori i Barcelonës akuzon tifozët për mungesën e fitores, pasi kundërshtarët barazuan vetëm pas ndërprerjes së lojës për shkak të hedhjes së mjeteve ndezëse në fushë, që goditën madje edhe një punonjës zjarrfikës. Për këtë episod UEFA ka nisur një procedim disiplinor. “Pas asaj që ndodhi rrezikojmë të kthehemi në shtëpi. Të shohim nëse do të mund të luajmë ndaj Spanjës. Ndoshta do të jemi të detyruar të largohemi para kohe nga ky turne për shkak të sjelljes së tifozëve tanë. Jo më kot kemi luajtur edhe me dyer të mbyllura”, u shpreh Rakitiç.
Mesfushori i Barcelonës është i bindur se nëse loja nuk do të ndërpritej, fitorja do të administrohej, pasi Kroacia në ato momente po e dominonte kundërshtarin. “Përveç 20 minutave të fundit, kemi luajtur shumë mirë. Pas ndërprerjes së ndeshjes për disa minuta, për shkak të hedhjes së mjeteve ndezëse nga tifozët tanë, e humbëm ritmin. Për sa i përket 11-metërshit, duhet t’i besojmë arbitrit, ai e pa më mirë atë episod”, tha ai.
Në ndeshjen e fundit në grup Kroacia do të përballet me Spanjën, ku duhet të shmangë humbjen për të siguruar vendin e dytë, në të kundërt, mund të rrezikojë edhe eliminiminm në varësi edhe të ndeshjeve në grupet e tjera.

Artikulli paraprakStrasburgu rrëzon qeverinë: Kompensimi i pronave me çmimin e tregut
Artikulli tjetërStançu: Shqiptarët të mirë, e dimë çfarë duhet të bëjmë