Qyteti i Shkumbinit si fillim i ndryshimit kombëtar

Nga Luçiano Boçi

“Ai që nuk sheh Qytetin e Shkumbinit (Skampinin), ka humbur rrugën!” – thotë një fjalë e lashtë. Në zemër të rrugës Egnatia, Elbasani, ka shenjuar jo vetëm drejtimin, por edhe kthesat e mëdha të historisë. Gurrë e një qytetërimi të përjetshëm, unazë e artë në rrugën mes Lindjes dhe Perëndimit, Elbasani ka shënuar fillim-fundin e perandorive të mëdha, pikëndarjen e epokave historike dhe kapërcimet më të rëndësishme politike të një trualli shumë më të madh se perimetri i tij rajonal. Edhe në këto zgjedhje Elbasani, përsëri do të shënojë fillimin e një ndryshimi të thellë me përmasa kombëtare.
Elbasani është qarku i katërt më i madh në Shqipëri. Por nga roli, kujtesa historike dhe për nga pesha e mendjes në arealin kombëtar – ai ka qenë dhe mbetet i pari. Elbasani ka shërbyer si kampioni ideal i çdo studimi të bërë në vend: asnjë rajon tjetër nuk përfaqëson më besnikërisht Shqipërinë moderne – në demografi, strukturë kulturore dhe psikologjike. Sjellja e Elbasanit gjithmonë ka pasqyruar realisht orientimin e shqiptarëve drejt asaj që mishëron të ardhmen e vendit.

Qeveria mund ta ketë harruar Elbasanin. Por Elbasani nuk mund ta harrojë vetveten! Ai përsëri do të shënojë në këtë shekull ngjarje të mëdha historike siç është kthimi i Shqipërisë në një vend anëtar të Europës.
Ky truall që laget nga Skampini realisht ka prodhuar më shumë histori sesa mund të konsumojë mendja e vogël e atyre që qeverisin sot.
Ky qytet 2,400 vjecar, u themelua nga një perandor me origjinë ilire, i cili qeveriste Perandorinë Romake. Diokleciusi është po ashtu, i pari perandor në historinë botërore që iku vetë nga froni. Por Edi Rama duhet ta dijë këtë!
Ky qytet shënoi fillim fundin e të dy perandorive që zgjodhën ta harrojnë Qytetin e Shkumbinit në periferinë më të largët të tyre. Ato humbën. Kurse Skampini mbeti!

Kalaja e Elbasanit ka përcjellë dy perandorë romakë dhe një sulltan, ndoshta më të famshmin e tyre – Mehmet Fatih Ngadhnjyesin. Perandorët ishin të dy me origjinë ilire: Diokleciusi ishte nga Ulqini, Justiniani i Parë – nga rrethinat e Prishtinës. Të tre ata e ndërtuan kalanë. Ajo prapë flet vetëm për fundin e tyre.

Fati dhe fatkeqësia e Elbasanit u lidh me rrugën Egnatia; kur ajo lulëzonte, rajoni shkëlqente me vrull. Për këtë gjatë qeverisjes së PD, SHBA lobuan në krah të shqiptarëve dhe e ripërfshinë atë në korridoret e rëndësishme europiane si Korridori 8. Rrugë të reja e lidhën Elbasanin me Durrësin dhe me Tiranën – financuar nga Partia Demokratike.
Qytetin historikisht e kanë rrënuar përsëritshëm dyndjet e barbarëve dhe dhuna e atyre që plaçkisin gjithçka kur ndjehen pushtues. (Pse më vjen në mend po i njëjti emër, Edi Rama?!).

Por Elbasani ka shumë çfarë t’i mësojë dikujt për traditën shtet-formuese të shqiptarëve, për organizimin korporativ dhe për shumë shprehi’ që konsiderohen fjalë kyçe në aftësinë e një vendi për zhvillim.
Qyteti shqiptar ka si emblemë zejtarinë. Elbasani ka pasur asi zejtarësh që kanë marrë pjesë në panaire ndërkombëtare qysh prej vitit 1.311. Në 1580-tën ata kishin korporatën e tyre. Ky është Elbasani im!

Esnafët e këtij qyteti kanë qenë organizuar në llozha hierarkie – ndarë sipas fesë dhe zejeve dhe bashkëqeverisnin në vendimarrje. Në Elbasan kishte 60 zeje të ndryshme përfshi prodhimin e armëve. Me Kanune precise, ata kishin caktuar taksat, çmimet, peshat, masat, tregëtinë e jashtme, doganat, me një ndershmëri të mahnitshme. Termi i përdorur deri në Selanik ” Elbasan Pazar” nënkuptonte çmim të pandryshuar – një tipar që ndan tregjet e lindjes nga ato të perëndimit.

Kjo ka ndodhur në Elbasan 500 vjet më parë! Elbasani e ka ndarë pazarin edhe këtë herë! Elbasani Fiton!
Mos e harroni traditën e jashtëzakonshme të këtij qyteti kur rrahja e shkopit të Kreut të Esnafëve (Tabakëve) tri herë në kalldrëm të Bezistanit shkaktonte mbylljen e dyqaneve brenda disa minutave dhe gadishmërinë luftarake e të gjithë zejtarëve të qytetit.
Maja e arritjes së kësaj kulture është padyshim Kisha jonë Ortodokse Autoqefale “Shën Maria” – e cila u bë vatër e gjuhës shqipe nën penën e Dhaskal Todrit, Teodor Haxhifilipit, Konstandin Kristoforidhit, Aleksandër Xhuvanit e shumë të tjerëve.

Mos harroni zemërgjerësinë unike të Elbasanit që strehoi e mbrojti me guxim një bashkësi të rëndësishme hebreje, e cila u integrua e plotë në jetën dhe indin e qytetit të Shkumbinit. Elbasani ka të gjithë stofin e qytetit perandorak, e metropolit modern, e shtëpisë së hapur – në mendje e në zemër.

Mos e harroni Elbasanin! Sepse “kush nuk e sheh Qytetin e Shkumbinit (Skampinin), ka humbur rrugën!” – thotë një fjalë e lashtë.
Elbasani në këtë kapërcyell shekujsh do të udhëheqë përsëri ndryshimin e madh të Shqipërisë drejt një vendi anëtar të Bashkimi Europian. Shqipëria fiton sepse Elbasani fiton! Kjo është e vërteta!

Artikulli paraprakKruja voton për veten!
Artikulli tjetërKoha për të mposhtur frikën përmes një bashkimi të madh qytetar