Qeveria, tjetër borxh 50 milionë euro

Teksa depozitat në euro kanë shënuar rritje të ndjeshme muajt e fundit, sidomos në gusht e nëntor dhe ato në lekë janë në rënie të vazhdueshme, financat kanë njoftuar se do të blejnë sërish borxh në valutë nga tregu (bankat, institucionet e tjera financiare, por edhe individët).
Më 24 janar do të zhvillohet ankandi nga Banka e Shqipërisë për llogari të Ministrisë së Financave për emetimin e një obligacioni fiks dyvjeçar në euro prej 50 milionë eurosh. Kuponi indikativ është 0.7%, duke qenë një alternativë interesante edhe për individët, që mund të fitojnë më shumë sesa nga interesi i depozitave në banka.
Ky është obligacioni i dytë brenda pak muajsh, pas atij me vlerë 35 milionë euro, që u emetua më 30 nëntor. Financat pritet ta përdorin këtë shumë për financimin e deficitit të qeverisë. Ankandi bëhet në euro për të përfituar nga oferta më e lartë e operatorëve vendas në këtë valutë, në raport me monedhën vendase.
Në nëntor u shënua një rritje e lartë e depozitave në valutë, në nivelin më të lartë që prej muajit gusht. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kursimeve në valutë në nëntor u rrit me rreth 40 milionë euro në raport me muajin e mëparshëm, duke arritur në rreth 3.8 miliardë euro. Në gusht, depozitat ishin rritur me bazë mujore me rreth 150 milionë euro, ndërsa muajt e tjerë kanë pasur në pjesën më të madhe rënie, ose rritje fare minimale.
Në të kundërt, depozitat në lekë në nëntor ranë me 8 milionë euro me bazë mujore, teksa individët vijojnë të zbrazin depozitat me afat në lekë, të dekurajuar nga normat e ulëta të interesit që janë afër zeros. Depozitat me afat në lekë u ulën sërish me rreth 17 milionë euro. Ato kanë vijuar tkurrjen për të 40-in muaj radhazi (që nga shtator 2013), duke u reduktuar me rreth 750 milionë euro për periudhën në fjalë.
Rënia e likuiditeteve në monedhën vendase të bankave ka çuar në një rritje të shpejtë të kostos së borxhit në lekë të qeverisë. Në ankandin e fundit të bonove 1-vjeçare Yield-i (interesi) arriti në 3.22%, nga 1.2% që ishte në gusht dhe rreth 22% në fillim të vitit të kaluar.
Më 19 janar do të zhvillohet dhe ankandi për shitjen e 4.8 miliardë lekë obligacion fiks 2-vjeçar me kupon indikativ prej 3.4%.
Në shtator 2016, borxhi i qeverisjes qendrore është në vlerën 1,067.0 miliardë lekë ose 71.04% e PBB. Në kuadër të realizimit të planit vjetor të huamarrjes dhe mbulimit të nevojave të qeverisë për likuiditet, borxhi i qeverisjes qendrore gjatë nëntëmujorit është rritur me rreth 24.7 miliardë lekë ose rreth 71% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Artikulli paraprakTAP avancon me 95 kilometra
Artikulli tjetërMungesa në mbrëmjen e FIFA, Injesta kërkon ndjesë