Qeveria, 4.6 miliardë lekë në dy muaj për votën në Dibër

Janë të dyja bashki në veri të vendit, por njëra është e “njerkës”, tjetra e “nënës”. Njëra etiketohet kryeqendra e veriut, por drejtohet nga një kryebashkiake e opozitës, tjetra deri dje ishte fare pa kryetar, por kishte zgjedhje të cilat Kryeministri dhe “Rilindja” i trajtuan si deçizive për fatin e tyre të ardhshëm. Bëhet fjalë për paratë që ka hedhur qeveria në Shkodër dhe Dibër gjatë dy muajve të fundit të kësaj vere.
Emisioni investigativ “Fiks Fare” ka bërë një vëzhgim të thjeshtë në Agjencinë e Prokurimit Publik nga rezulton se, Bashkia e Shkodrës, përgjatë këtyre dy muajve, ka marrë në total rreth 750 milionë lekë të vjetra. Gjithsej, kjo bashki ka hapur tri tendera. Ka marrë nga buxheti i shtetit 638 milionë për rregullimin e bllokut të pallateve në lagjen “Xhabije”. Nga këto, ka përdorur 387 milionë.
Po kjo njësi e rëndësishme administrative me shtrirjen dhe numrin më të madh të banorëve në veri të Shqipërisë, ka marrë nga buxheti i shtetit edhe 50 milionë lekë të vjetra për pastrimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese. Tenderi i tretë ka qenë për blerjen e artikujve të ndryshëm ushqimorë, ku ka marrë 74 milionë lekë. Kaq ka marrë Bashkia që drejtohet nga Voltana Ademi dhe duket se edhe këto i ka shumë, pas kërcënimit që i bëri ballas Kryeministri, se nuk do të ketë asnjë kacidhe, nëse ajo nuk bën si do ai.
Nga ana tjetër kemi edhe Bashkinë e Dibrës, në të cilën do të zhvilloheshin zgjedhjet lokale të pjesshme, të cilat Rama i konsideroi si “jetë e vdekje” dhe për këtë qëllim vendosi të përdorë çdo mënyrë për të arritur atë që siç deklaroi mbrëmë edhe vetë, “rëndësi ka vetëm rezultati, të tjerat janë llafe”. Kështu sipas këtij vëzhgimi rezulton se kjo bashki, ku e ku më e vogël se ajo e Shkodrës “demokrate”, ka bërë mbi 30 tendera, ku nga këta 10 me paratë e buxhetit të shtetit. Vetëm përgjatë dy muajve, korrik dhe gusht, duket se qeveria nuk ka zgjidhur qesen, por ka shqyer thesin dhe i ka akorduar, një fond prej 4.6 miliardë lekësh brenda 60 ditëve.
Qeveria ka financuar 1.7 miliard lekë të vjetra, vetëm për përmirësimin e një pjese, asaj më të dukshme të infrastrukturës vendore. Fituesi i tenderit, i cili njëkohësisht ishte edhe pjesë kryesore e shtabit elektoral të kandidatit Muharrem Rama është shpallur që në muajin gusht, disa javë para zgjedhjeve. Por loja që u bë me dibranët, ishte duke iu thënë, se këto investime në infrastrukturë do të kryheshin nëse fitonte kandidati i qeverisë dhe u proklamuan me të madhe si premtime elektorale. Në fakt pavarësisht se kush fitonte, tenderi ishte mbyllur dhe firma fituese e kishte siguruar fondin duke qenë kështu e detyruar me ligj të vazhdonte punën me Ramën apo Shehun në krye të bashkisë.
Një nga premtimet e tjera bujëmëdha të kandidatit të PS-së që faktikisht fitoi ishte rinovimi dhe bërja me standard modern i bulevardit qendror në Peshkopi “Elez Isufi”, rrugës “Safet Zhulali” dhe rinovimi i “Rrugës së Muzeut”. Edhe për këto u premtua se do të bëheshin nga Bashkia pas fitores së Muharrem Ramës, por në fakt tenderi është bërë që në muajin gusht dhe me lekët e firmosura nga vetë Kryeministri, në shumën 922 milionë.
Edhe në Maqellarë, aty ku kandidati i majtë, kishte më pak shpresa se kudo për të triumfuar, përveç të tjerave u përdor e njëjta skemë. U premtua, se nëse i jepnin votat, ai do të zgjidhte një nga gangrenat e kësaj zone, çështjen e shkollës së mesme, e cila ishte lënë këto tri vite “Rilindje” në gjendje katastrofike. Tenderi në fakt ishte kryer dhe qeveria kishte akorduar me kohë që në muajt korrik-gusht 800 milionë lekë të vjetra për këtë çështje.
Mësohet gjithashtu se nga buxheti i shtetit është financuar në Dibër edhe për asfaltimin e rrugës Borde-Peshkopi, me fond prej 540 milionë lekësh. Ndërkohë, janë edhe shumë tendera të tjerë, të cilët në fakt duhet t’i zhvillonte Bashkia, por të gjithë janë bërë me fond “special” nga paratë e buxhetit të shtetit.
Në ato dalje publike nga qyteti i Peshkopisë Kryeministri jua bëri të qartë dibranëve: nëse nuk votonin kandidatin e tij do të kishin fatin e Shkodrës, asnjë kacidhe për atë zonë nga qeveria. Ndoshta dibranët kanë pyetur vetveten, se të kujt i ka këto miliarda Edi Rama që i përdor si të dojë dhe për kë të dojë? Janë trashëgimi nga babai i tij skulptor Kristaqi apo para të mbledhura edhe me kërbaç, nga gjithë taksapaguesit shqiptarë?
Pavarësisht nga kjo, ky kërcënim që ashtu si në Shkodër është bërë realitet, në Dibër funksionoi më së miri.

Ndihma ekonomike u shpërnda 48 orë para ditës së votimeve

Fushata zgjedhore në Dibër ka nxjerrë në pah një skandal me skemën e ndihmës ekonomike. Në 3 muajt e fundit, pas shkarkimit të kryebashkiakut Shukri Xhelili dhe kur pritej mbajtja e zgjedhjeve të reja, vetëm në një zonë, atë të Maqellarës janë shtuar 83 familje në skemën e ndihmës ekonomike. Drejtuesit e emisionit thanë se janë gati që këto dokumente t’ia venë në dispozicion Prokurorisë për hetime.
Për këtë çështje ka reaguar dhe Partia Demokratike, e cila bën përgjegjës direkt për fryrjen e listave me përfitues të ndihmës ekonomike, në prag të zgjedhjeve lokale në Dibër, Kryeministrin Rama, që sipas saj, shpreson të marrë ndonjë votë duke luajtur me mjerimin e banorëve.

Dhjetra tendera të shpallura nga Bashkia e Dibrës javët e fundit

Miliona para u morë përmes buxhetit të Bashkisë  së Dibrës për të shkuar në favor të blerjes së votave. Vetëm në buletinin e një jave më parë të Prokurimeve Publik u shpallën me dhjetëra njoftime për fituesit dhe lidhjen e kontratave për nisjen e punimeve nga kjo bashki. U shpall fitues për kanalizimet e ujërave të zeza përgjatë përroit të Tominit, kompania “DODA NDERTIM” shpk, Peshkopi me fond limit 3,2 milionë lekë. Gjithashtu kompania “SELAMI” Shpk me aktivitet në Peshkopi u shpall fituese për sistemin dhe asfaltimin e rrugës Borde –Peshkopi me një vlerë  65 milionë lekë megjithë TVSH. Burimi i financimit për këtë rrugë është buxheti i shtetit dhe Bashkia e Dibrës. Bashkia e Dibrës hapi tenderin për shërbim, përmirësim i infrastrukturës Vendore, Aksesit, Lëvizshmërisë dhe Rivitalizim i Hapësirave Publike në zonën pranë Pallatit të Kulturës me vlerë 1 milion lekë. kompania “EGLAND” u shpall fituese për punime për rrethim dhe shtesë për depon e ujit në Shkollën Karmën “Myslim Shehu”, me vlerë 833 mijë lekë.
Bashkia e Dibrës ka përfshirë në procedura prokurimi me vlerë 10 milionë lekë mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit. Në fund të muajit që shkoi u hap tenderi për sistemim i përroit të Llixhave, Segmenti Ura e Pazarit-Lixha dhe Rikualifikimi Urban i Zonës” me vlerë 3.3 milionë lekë pa TVSH-në. U fut në fund të muajit që shkoi në procedura prokurimi “Shërbim Projekt zbatim i objektit Rikonstruksion i Rrugës Kryesore –ish-NBSH deri ish-SMT” me vlerë 5 milionë lekë. Dy muajt e fundit prokurimet e fondeve publike për Bashkinë e Dibrës janë shumëfishuar në krahasim me njësitë e tjera vendore që kanë të njëjtën madhësi, kjo vetëm me qëllim blerjen e votave në Dibër në zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë.
Nga ana tjetër 3.35 miliardë lekë është fatura përmes së cilës, Sadri Abazi ka zhvatur nga paratë e dibranëve. Me vetëm tre tenderave të majmë, deputeti socialist, ka fituar jo pak, por mbi 3.35 miliardë lekë përmes kompanisë së tij, megjithëse në Bashkinë e Dibrës nuk është bërë asnjë investim publik përgjatë gjithë vitit. Janë tre tendera që Bashkia Dibër i ka dhënë kompanisë së Sadri Abazit, përkatësisht një tender prej 870 milionë lekësh, një tjetër tender prej 1 miliard e 720 milionë lekë si dhe një tjetër prej 780 milionë lekësh, me një total prej 3.35 miliardë lekësh. Por këto tre tendera nuk janë të vetmet që ka përftiuar Abazi. Partia Demokratike ka denoncuar se Abazi jo vetëm që zhvat tenderat dhe paratë publike, por çdo tender i ftiuar prej është me ofertën më të lartë në krahasim me pjesëmarrësit e tjerë që skualifikohen.

Artikulli paraprakAbuzimet 2.4 mln USD në Tiranë-Elbasan, KLSH çon për ndjekje penale zyrtarin e ARRSH
Artikulli tjetërMaturantët protestojnë, raundi i dytë, një farsë