Qeveria, 1 miliard lekë për 5 mijë ish-ushtarakë

Instituti i Sigurimeve Shëndetësore do të pezullojë çdo proces gjyqësor ku ish-ushtarakët të dalë në pension kërkojnë të rimarrin vlerat e mbajtura nga përllogaritjet e pensioneve suplementare nga viti 2009 e në vazhdim.
Ligji, i miratuar së fundmi në Parlament, i dha zgjidhje këtij problemi jo të vogël për ish-ushtarakët, jo vetëm nga ana financiare, por edhe nga zvarritjet në dyert e gjykatave.
“Ka qenë një ligj, i cili është zbatuar nga ISSH dhe për shkak të procesit administrativ është krijuar një debi nga rillogaritja që përcakton ligji. Parlamenti vendosi që gjithë këtë debi t’ua falë ish-ushtarakëve dhe atë pjesë të debisë që ata kanë shlyer nga muaji në muaj t’ua kthejë. Edhe proceset gjyqësore, nëse ka, automatikisht ato do të pezullohen sepse ne kemi filluar që më 1 nëntor t’u kthejmë lekët ish-ushtarakëve”, ka deklaruar drejtori i ISSH, Astrit Hodo.
Është përllogaritur që deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm të kompensohen të gjithë ish-ushtarakët, të cilët në total janë 5.500 që përfitojnë nga ky ligj. Kostoja financiare e këtij ligji për buxhetin e shtetit llogaritet në rreth 1 miliard lekë.
Për efektet e këtij ligji, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi së bashku me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli zhvilluan një bashkëbisedim me ish-ushtarakët.

Zero lekë për ish-të përndjekurit

Ndërsa Rama ka vendosur që të rrisë me 1 miliard lekë fondin për ish-ushtarakët e dalë në lirim që duhet të marrin të gjithë këtë shumë parash brenda muajit mars, një qëndrim diskriminues u vërejt nga Rama për shtresën e ish-të përndjekurve politikë. Qeveria nuk ka parashikuar asnjë fond për këtë shtresë. Këto janë standarde të dyfishta që Rama përdor ndaj shtresave të ndryshme. Nga njëra anë mundohet të joshë një shtresë afër saj si ish–ushtarakët dhe nga ana tjetër të ndjekë një model persekutues për ish-të përndjekurit politikë. Kjo është një tjetër skemë e pastër elektorale e Ramës. Vetë fakti se të gjitha këto para do të hidhen në treg vetëm tre muaj para zgjedhjeve është një tjetër përpjekje e hapur e qeverisë për blerjen e votave. Ish-të përndjekurit paralajmëruan pak ditë më parë se në rast se nuk do të ketë një reagim nga qeveria për këstet e dëmshpërblimit që duhet të ishin dhënë, atëherë ata do të nisin një tjetër grevë urie. E tani qeveria ka bllokuar të gjitha këstet për ish-të përndjekurit dhe ky është edhe një tjetër thyerje e premtimeve të dhëna tre vite më parë.

Artikulli paraprakNdërron jetë pronari i spitalit “Hygea”
Artikulli tjetërTirana në emergjencë të trafikut