Qelia bosh e terroristëve të “Hakmarrjes” i përket Ramës

Të gjithë anëtarët e bandës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi” janë shpallur të pafajshëm dje nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Ky vendim kriminal është dhënë pas presioneve të kryeministrit Rama ndaj gjyqësorit. 17 krimet për të cilat akuzohen anëtarët e bandës janë ngjarje të rënda, që kanë tronditur të gjithë vendin, por pas 18 vitesh përballje me drejtësinë, dje ata janë shpallur të pafajshëm.
Tashmë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, dy themeluesit e kësaj organizate terroriste, Leart Shyti dhe Orik Shyti si dhe anëtarët e saj Altin Arapi, Pasho Novruzi, Dritan Hate, Gëzim Gjoni, Gentian Haka, Nikolin Novruzi, Roland Shyti, Kreshnik Spahiu dhe Altin Arapi do të jenë të lirë dhe të pafajshëm dhe mund të kthehen në Shqipëri kur të duan.
Dy themeluesit e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi” janë djemtë e Hajredin Shytit, një prej figurave të rëndësishme të Ministrisë së Brendshme në diktaturën komuniste. Hajredin Shyti u dënua me 17 vjet burg për “vrasje me dashje indirekte” të 4 demonstruesve civilë në 2 prill 1991 në Shkodër. Themelimi i kësaj organizate terroriste nisi si një hakmarrje për dënimin e Shytit për të krijuar destabilitet në vend.
Në fakt, shpallja e pafajësisë për anëtarët e organizatës terroriste ishte paralajmëruar që në mars të viti 2016, ku Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen “Hakmarrja për Drejtësi”, duke ia kaluar atë për gjykim Apelit të Krimeve të Rënda.
Rikthimi i shqyrtimit të dosjes “Hakmarrja për Drejtësi” është bërë me porosi të Ramës, i cili i ka bërë një presion të jashtëzakonshëm Gjykatës së Lartë për t’u dhënë pafajësinë dy terroristëve Leart dhe Orik Shyti, të dënuar me burg për jetë. Leart dhe Orik Shyti u dënuan para 6 vitesh me burgim të përjetshëm për aktin terrorist të vendosjes së autobombës në qendër të Tiranës tek supermarketi i VEFA në vitin 1996 dhe vrasjen në këtë akt terrorist të 6 qytetarëve dhe plagosjen e 13 të tjerëve, thyerjen e bankave dhe vrasjen e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi në vitin 1996 e një seri vrasjesh dhe grabitjesh të tjera, si dhe vrasjen e shoferit të Prokurorit të Përgjithshëm, Dhori Sollaku në vitin 2000 në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Gjykatat shqiptare i kanë dënuar shtetasit Altin Arapi dhe Orik Shyti me burgim të përjetshëm, në kuadër të dosjes “Hakmarrja për drejtësi”, ndërkohë që për Gentian Cakën është vendosur 25 vjet burg, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar burg përjetë. Po kështu, janë dënuar me 24 vjet Leart Shyti dhe me 25 vjet burg Roland Shyti.

Gjyqtarët që dhanë pafajësi për “Hakmarrjen për Drejtësi”

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda shpalli dje të pafajshëm dy vëllezërit Orik dhe Leart Shyti, dhe gjithë anëtarët e organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”. 17 krimet për të cilat akuzohen anëtarët e bandës janë ngjarje të rënda, që kanë tronditur të gjithë vendin. Por pas 18 vitesh përballje me drejtësinë, sot ata janë shpallur të pafajshëm.
Gjyqtarët që kanë dhënë pafajësinë, janë Alaudin Malaj, Sotiraq Lubonja, Artur Kalaja, Stavri Kallço dhe Etleva Theme.
Pafajësia për ta është dhënë me urdhër të Ramës dhe pas vendimit të djeshëm të Gjykatës të gjithë anëtarët e kësaj bande terroriste do të jenë të lirë dhe do të përdoren nga Rama për të ushtruar terror tek zgjedhësit në votimet e 18 qershorit.

Prokuroria kundër vendimit: Do të apelojmë çështjen

Pas lirimit të të gjithë anëtarëve të bandës famëkeqe “Hakmarrja për Drejtësi” ka reaguar edhe Prokuroria. Prokurori i Apelit për Krimeve të Rënda nuk është pajtuar me vendimin e dhënë ditën e djeshme nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda për dhënie pafajësie për dy vëllezërit Shyti dhe gjithë anëtarëve të tjerë të bandës terroriste.
Burime pranë Prokurorisë së Apelit për Krimeve të Rënda, bënë të ditur se, prokurorët shprehen se ky vendim i dhënë nga 5 gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Tiranë është dhënë në kundërshtim me ligjin. Kështu, Prokuroria do të kërkojë ndryshimin e tij në Gjykatën e Lartë, ku do të kërkojnë dënimin e të pandehurve.

Terroristët u liruan me urdhër të Ramës për të grabitur votat

Dy themeluesit e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”, Leart Shyti dhe Orik Shyti, si dhe të gjithë anëtarët e tjerë të kësaj bande u liruan me urdhër të Ramës për t’i përdorur në zgjedhjet e 18 qershorit për grabitjen e votave. Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, duke përdorur bandat për vjedhjen e votave. Ai jo vetëm që i përdori banditët e kriminelët për grabitjen e votave, por disa prej tyre i futi në Parlament, duke i bërë deputetë. Këtë strategji po kërkon të ndjekë edhe në zgjedhjet e ardhshme. Ai po liron nga burgu të gjithë banditët dhe nuk është çudi që vëllezërit Shyti apo edhe Lul Berishën t’i bëjë deputetë.
Rama e nisi me lirimin e kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha dhe vazhdoi me anëtarët e “Hakmarrjes për Drejtësi”, për të vijuar edhe me të tjerët. Po qarkullojnë zëra se së shpejti me porosi të Ramës pritet të lirohet edhe Emiliano Shullazi me katër anëtarët e bandës së tij, të cilët ndodhen në qeli për gjobëvënie. Më pas do të lirohet Aldo Bare dhe Zani Çaushi. Edhe Aldo Bare, me porosi të Ramës, po ndjek të njëjtën strategji si vëllezërit Shyti, duke i bërë kërkesë Gjykatës së Lartë për të marrë pafajësinë.
Rama liroi nga burgu anëtarët e bandës famëkeqe dhe më të rrezikshme në Shqipëri, por qelia që po lënë terroristët do të jetë një ditë e vetë atij. Drejtësia do të vihet në vend dhe asaj nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësi kryesor që porositi lirimin e terroristëve të “Hakmarrjes”.

Kush është “Hakmarrja për Drejtësi”

Organizata terroriste “Hakmarrja për Drejtësi” ka kryer një seri krimesh që nga vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi dhe deri tek bomba e vendosur tek supermarketi i VEFA-s. 10 anëtarët e bandës “Hakmarrja për Drejtësi” kanë shumë vite në arrati dhe me vendimin e djeshëm të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda mund të vijnë lirisht në Shqipëri.
Vendimi u dha pas një kalvari të gjatë gjyqesh, ku anëtarët e organizatës u dënuan në mungesë nga “burg përjetë” deri në “22 vite burgim”. Dy djemtë e ish-ministrit të Brendshëm, Hajredin Shyti kanë qenë krerët e kësaj organizate terroriste.
Organizata “Hakmarrja për Drejtësi” u shpall publikisht më 13 tetor 1996, por ajo ishte krijuar që në vitin 1994 në qytetin e Durrësit. Qëllimi i krijimit të një organizate të tillë ishte destabiliteti i vendit.
“Hakmarrja për Drejtësi” ka qenë organizata kriminale më e madhe në vend në vitet 1992-1996. Anëtarët e kësaj bande arritën të largohen nga vendi gjatë trazirave të ’97-ës dhe kanë marrë azil politik në vendet e Europës dhe nuk kanë vuajtur asnjë ditë dënim nga burgu që u ishte dhënë në Shqipëri, por gjithnjë kanë kërkuar pafajësinë deri në ditën e djeshme, kur e arritën atë pas presionit dhe ndërhryrjeve të kryeministrit Rama në drejtësi. Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda vendosi dje të shpallë të pafajshme “Hakmarrjen për drejtësi”.

Dënimi

Në vitin 2008, pas 12 vitesh hetime, Gjykata vendosi t’i dënojë për 17 akuza që nga organizatë terroriste, vrasje, grabitje, rrëmbim, etj. Kështu me burgim të përjetshëm u dënua Orik Shyti, Altin Arapi dhe Gentian Caka. Me 24 vjet burg u dënua Nikolin Novruzaj, 25 Roland Shyti, 22 vjet Leart Shyti dhe Kreshnik Spahiu, me 21 vjet burg Pasho Novruzaj e Dritan Hate dhe me 8 vite burgim Gëzim Gjoni. Vendimi i Apelit u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.
Në 2011, Gjykata Kushtetuese kthen mbrapsht për rishqyrtim dosjen penale ndaj dhjetë personave të akuzuar si anëtarë të “Hakmarrja për Drejtësi”, pasi sipas saj, nuk ishte zhvilluar një proces i rregullt gjyqësor.
Në fazën e hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ata ishin akuzuar për krime të kryera pas vitit 1992, ku përfshiheshin 8 vrasje, 17 plagosje dhe 13 vjedhje e grabitje me armë. Sipas Prokurorisë, nga vjedhjet e grabitjet e kryera, të akuzuarit kanë përfituar më se 500 mijë dollarë dhe rreth 300 milionë lekë.

Historia

Historia e organizatës së quajtur “Hakmarrja për Drejtësi” filloi pasditen e datës 12 tetor të vitit 1996, kur Televizioni Shqiptar (TVSH) transmetoi lajmin se “në një apartament në qendër të Tiranës ishte zbuluar një arsenal i madh armësh”. Lajm i cili shoqërohej me sekuenca filmike, që tregonin një arsenal armësh të llojeve të ndryshme, por nuk thuhej asgjë për adresën ku ndodhej ky apartament dhe kujt i përkisnin.
Tre ditë më pas, mediat e asaj kohe njoftuan se, “vrasja e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, akuzë kjo e cila më pas iu adresua anëtarëve të “Hakmarrjes për Drejtësi”, ishte urdhëruar nga Burgu i Bënçës ku vuante dënimin ish-ministri i Brendshëm në vitin 1991, Hajredin Shyti. Këtu filloi edhe dalja në skenë i emrave të parë të të akuzuarve si pjesëtarë të kësaj organizate.
Por, më 12 dhe 13 mars të vitit 1997, burgjet u hapën dhe të arrestuarit e dyshuar si pjesëtarë të organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”, u larguan për mos t’u kthyer më në Shqipëri.

17 krimet e “Hakmarrjes për Drejtësi”

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda u dha pafajësi dje Orik e Leart Shytit dhe gjithë anëtarëve të tjerë të bandës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”, ndonëse ishin dënuar me prova për 17 krime. Pafajësia për krerët dhe anëtarët e kësaj bande ka qenë një vendim i paralajmëruar. Kryeministri Rama ka kërcënuar gjykatësit për të mos nxjerrë nga burgu fukarenjtë që nuk kishin mundësi të paguanin faturat e dritave, nuk bëri asnjë reagim për skandalin e shpalljes të pafjashëm nga Gjykata të bandës terroriste, vendim që ka tronditur opinionin publik.
Kjo bandë e themeluar nga vëllezërit Orik e Leart Shyti, ka kryer 17 krime, nga vrasjet tek pengmarrja, shkatërrimi i pronës e grabitjet, etj. Duke iu referuar dosjes hetimore, bëhet fjalë për shumë krime, për të cilat shkallët e gjyqësorit, para Apelit të Krimeve të Rënda kanë dhënë edhe dënimet përkatëse, mes të cilave edhe burgime të përjetshme.
29.01.1993 – Grabitet dega e valutës së Bankës së Kursimeve rreth 307 mijë dollarë.
13.04.1993 Grabitet selia e shoqërisë “IAP”, ku vidhen rreth 53 mijë dollarë.
15.12.1993 – Vritet tek “21 dhjetori” Sami Jata dhe nuk mund t’i vidhen lekët që transportonte.
11.08.1994 – Shoqëria “Shkumbin Petrol” grabitet në mes të ditës, merret kasaforta dhe shpërthehet më vonë, ku i vodhën 2.6 milionë lekë të reja.
12.10.1994 – Grabitet shoqëria “IAP”, merren 3.500 dollarë dhe plagoset roja, Eduard Trimi.
13.12.1994 – Vidhet me pasojë vdekjen shtetasi Pal Prendi nga Vlora, punonjës i pikës së grumbullimit të parave të “Gjallicës”. Grabiten 2 arka me para. Shuma 3 milionë lekë.
14.01.1995 – Grabitet argjendaria “Agron”, në vlerën 576.377 lekë të reja.
20.01.1995 – Grabitet Banka e Kursimeve dega në Vlorë, në vlerën 2.6 milionë lekë
21.01.1995 – Grabitet kompania e sigurimeve shoqërore “INSIG”, ku grabiten rreth 156 mijë lekë të reja, me pasojë plagosjen e punonjësit të kësaj shoqërie.
03.03.1995 – Grabitet Ndërmarrja e Lëndëve Djegëse në Tiranë “Butongas”, ku i vidhen rreth 430 mijë lekë të reja.
12.04.1995 – Vritet dhe më pas i merren lekët shtetasit Pirro Komini, që transportonte lekët e “VEFA”-s në banesën e tij, në afërsi të Gjykatës së Tiranës. Vlera 18 milionë e 500 mijë lekë i grabiten.
15.06.1995 – Grabitet fabrika e sfungjerit “Albafon” në Laprakë ku i vodhën rreth 940 mijë lekë të reja.
31.10.1995 – Rrëmbehet fëmija Erjon Nushi, prindërve u kërkohet 200 mijë dollarë, por lirohet 3 ditë më pas pa marrë lekët e kërkuar.
12.01.1996 – Grabitet filiali i shoqërisë “VEFA” në Vlorë, merren 145 mijë dollarë.
18.04.1996 – Grabitet Banka Kombëtare Tregtare dega Vlorë, merren 2.2 milionë lekë të reja.
26.02.1996 – Vendosja e eksplozivit në super-marketin e kompanisë “VEFA” në Tiranë, vriten katër persona plagosen 17 të tjerë
26.07.1996 – Vritet ish-drejtori i Burgjeve, Bujar Kaloshi në afërsi të shtëpisë së tij.

Artikulli paraprakEurodeputetja rumune: Kujdes me emërimet në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion
Artikulli tjetërNga kjo betejë, nuk kthehemi pa fitore