Pushuesit vuajnë trafikun nga Lungomare deri tek Uji i Ftohtë

Segmenti nga Lungomare deri në zonën e Ujit të Ftohtë është kthyer në një tmerr për pushuesit. Për çdo ditë, por sidomos në fundjavë, pushuesit përballen me një trafik të rënduar. Shqetësimin e drejtuesve të automjeteve nuk po e zgjidh dot as prania e policisë në rrugë. Për të shkuar në destinacionin e tyre u duhet një kohë e gjatë. Përveç fluksit të pushuesve, problemet në trafik vijnë edhe nga punimet që po bëhen në Lungomare.
Prej kohësh aksi përgjatë Lungomares është kthyer në një gangrenë për pushues e turistë vendas e të huaj, ndonëse investimi përgjatë tij nuk ka përfunduar ende dhe punimet janë ndërprerë deri në përfundim të sezonit. Qytetarët thonë se mungojnë mbikalimet, sinjalistika është inekzistente, ndërsa pengesë bëhet edhe mungesa e ndriçimit gjatë mbrëmjes, ku terri mbulon gjithçka. Efektivët e rrugores janë përpjekur të disiplinojnë qarkullimimin, duke patrulluar në zonat më problematike përgjatë aksit të Lungomares, por pa ia arritur qëllimit.

Fluks pushuesish nga Kosova në bregdetin e Shëngjinit

Fundjava shënoi fluks të lëvizjeve të shqiptarëve të Kosovës, dhe të Maqedonisë, të cilët kanë zgjedhur bregdetin e Shëngjinit për të kaluar pushimet e tyre në bregdetin Adriatik dhe Jon. Në pikën e kalimit kufitar të Morinës, në orët e para të mëngjesit kanë kaluar doganën mbi 100 autobuzë, ndërsa uniformat blu bëjnë të ditur se mbi 20 mijë pushues kaluan kufirin. Fatmirësisht kalimi i pikës kufitare nuk shënoi orë të gjata pritjeje, pasi sportelet e të dyjave palëve punuan pa ndërprerje.
E shtuna ka shënuar një fluks të madh lëvizjesh në doganën e Morinës të shtetasve kosovarë dhe atyre maqedonas që i janë drejtuar bregdetit shqiptar. Të pyetur për destinacionin, shumë prej pushuesve kanë zgjedhur Shëngjinin. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, qershori i këtij viti shënoi më shumë se gjysëm milioni hyrje të personave, në vendkalimin kryesor në autostradën e Kombit, në Vërmicë-Morinë.
Kriza që është krijuar në Turqi për shkak të tentativës së “grushtit të shtetit”, ka detyruar shumë pushues të huaj që të vijnë për pushime në vendin tonë. Turistë ukrainas, rusë e çekë kanë mbipopulluar plazhin. Në prononcimet e tyre, kanë deklaruar se po e vizitojnë Shëngjinin për herë të parë e janë të mrekulluar me klimën dhe atë çfarë u ka ofruar ai. Përveç banjove të diellit ata argëtohen në mënyra të ndryshme.
Shqiptarët që jetojnë e punojnë në Zvicër shprehen se kanë braktisur pushimet në Turqi, për të qëndruar në Durrës. Të gjithë të huajt bien në një mendje, kur vjen fjala për çmimet. Çmimet janë të lira, duke marrë parasysh që është një vend turistik. Turistët polakë, përveç banjove të diellit, në guidat turistike kanë të përfshira edhe vizitat në vendet arkeologjike e historike të qytetit antik.

Artikulli paraprakSi dhunohej 14-vjeçarja nga nëna e saj për të lypur
Artikulli tjetërKorrupsioni në burgje, Zoto në dijeni të aferave për 6 tenderat