PS nuk pranon që të dëgjohen Llalla dhe Ajazi

Deputetët socialistë refuzuan dje thirrjen në seancë dëgjimore të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Prokurorit të Përgjithshëm, kreut të Policisë së Shtetit dhe atij të SHISH për të raportuar mbi çështjen e skandalit të përgjimeve. Deputeti demokrat Flamur Noka, në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë kërkoi dje që komisioni të thërrasë autoritetet përkatëse të raportojnë për shkak të rëndësisë së kësaj çështje, e cila përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.
Noka kërkoi që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, të paraqitet në Komisionin e Sigurisë për të dhënë shpjegime lidhur me pajisjen e përfolur të përgjimit, si dhe për çështjen e Klement Balilit dhe Arben Frrokut. Sipas Nokës, përgjimi nga Policia përbën krim të rëndë dhe shkelje të të drejtave.
“Ka dalë lajmi i një pajisjeje përgjimi, që fillimisht u mohua. Më vonë rezultoi se Prokuroria ka nisur një hetim. Kjo përbën krim të rëndë ndaj një grupi deputetësh të opozitës ndaj kemi thirrur Tahirin, Llallën, Vishën dhe Çakon. Sepse ekzistenca e pajisjes shkel ligjin dhe të drejtat e njeriut. Nesër (Sot)  në ora 10:00 presim Tahirin të japë përgjigje. Në 11:00 presim Adriatik Llallën. Në 12:00 do thirret Haki Çako, dhe në 13:00 kreun e SHISH, për të dhënë shpjegime”, deklaroi Noka.
Por kjo kërkesë e Nokës ka sjellë reagimin e menjëhershëm të deputetëve socialistë, të cilët refuzuan thirrjen në Komision të autoriteteve në fjalë me qëllim kalimin e skandalit të përgjimit në heshtje.  Ata i kanë kërkuar opozitës më shumë informacion për çështjen në mënyrë që të mbështesin kërkesën e tyre.
“Po të jetë, sigurisht që është hataja, por nuk e dimë në është apo nuk është. Ne jemi të prirur të marrim një vendim të pjekur, sepse kjo çështje është sensitive. Keni dy alternativa, ose të na sillni materiale informacione që i keni, t’i diskutojmë dhe të marrim vendim, ose ushtroni kompetencën që ju jep rregullorja me 1/3 të firmave tuaja”, është shprehur Pirro Lutaj.
Në debat me deputetët demokratë, përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Komisionin e Sigurisë parlamentare braktisën mbledhjen, duke i thënë opozitës se kërkesa për të thirrur në seancë dëgjimore ministrin e Brendshëm, drejtuesin e Policisë së Shtetit, Prokurorin e Përgjithshëm dhe kreun e Shërbimit Informativ nuk është e bazuar në rregullore.
Lëvizja Socialiste për Integrim ishte në mbështetje të kërkesës së Partisë Demokratike, por sipas deputetit Luan Rama, seancat dëgjimore duhet të nisin me kreun e Shërbimit Informativ. Rama tha se, nëqoftesë kjo çështje rezulton e vërtetë, skandali është i madh dhe nuk prek thjeshtë Ministrinë e Brendshme.  “Nëse kjo praktikë provohet, atëherë hyjmë në një kapitull tjetër, të trajtimit të një skandali që ka të bëjë me zbatimin e ligjshmërisë në këtë vend, me rolin e institucioneve në këtë vend”, tha Luan Rama.
Në mungesë të deputetëve socialistë, anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ata të Partisë Demokratike kanë rënë dakort që t’i përcillet kërkesa për të dhënë sqarime para Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ministrit të Brendshëm, Prokurorit të Përgjithshëm, kreut të Shërbimit Informativ dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Pak minuta më vonë socialistët jashtë sallës së Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare e zbutën qëndrimin. “Ne i kemi kërkuar kolegëve të opozitës të formatojnë kërkesën në bazë të Nenit 36 të rregullores. Autoritetet e Kuvendit të komunikojnë me drejtuesit e institucioneve të shtetit, qoftë me ministrin e Brendshëm, qoftë me kreun e SHISH dhe secili prej tyre do të vijë në komision për të raportuar”, u shpreh Lutaj.

Pajisja përgjon të gjithë rrjetet sociale që përmban spartphon-i

Kjo pajisje përgjon të gjithë rrjetet sociale që ka smartpohne. Ndryshe nga pajisjet e tjera të përgjimit, kjo ka antenë falco, e cila përforcon valët e telefonit. Problemi është se nuk duhet të hyjmë kaq thellë, por kjo pajisje është kapur në punë. Janë përgjuar, sepse janë kapur frekuenca. Deputeti demokrat, Flamur Noka, e ka cilësuar një skandal dhe krim të rëndë shtetëror, pajisjen e përgjimit, për të cilën është folur gjerësisht dy ditët e fundit. Në një prononcim për “News 24”, Noka tha se sipas ligjit për përgjimet, ky atribut i takon Prokurorisë së Përgjithshme, dhe jo ndonjë institucioni tjetër. Sipas deputetit demokrat, me këtë pajisje përgjimesh, cenohet rëndë siguria kombëtare si dhe cenohen të drejtat e liritë e qytetarëve. “Nisur nga informacionet mediatike apo jo mediatike, u shqetësuam, dhe e përcollëm këtë në komision. Kërkuam seancë dëgjimore me ministrin, kreun e SHISH dhe kryeprokurorin. U pranua se ekziston një pajisje e tillë, por sipas ministrit Tahiri, përdoret për çështje trajnimesh. Është një rast i paprecedentë që të futet kështu në vend një pajisje e tillë e paligjshme. Nuk ka bërë vaki në gjithë vitet e pluralizmit kjo gjë. Në përpëlitje për të shpëtuar nga kjo histori, thonë se është pajisje për trajnim. Unë kam qenë ministër i Brendshëm, por edhe kushdo që e njeh ligjin për përgjimet, thotë se atributi i përgjimeve i takon Prokurorisë së Përgjithshme. Mund të iniciojnë institucionet e ndryshme, por duhet miratimi i Prokurorit të Përgjithshëm. Por edhe ky i fundit duhet të marrë konfirmimin e Gjykatës për hetime në kohë të gjatë. Çfarë trajnimi u bëka me një pajisje që nuk përdoret për përgjim. Ky është skandal, është një krim i rëndë shtetëror, një krim i paprecedentë. Në rast se deri sot kemi ecur mbi bazën e aludimeve, por sot flasim ndryshe, kur e pranon ministri, pasi cenohen të drejtat dhe liritë e njeriut. Kjo pajisje e instalua në një institucion të paligjshëm sa i takon përgjimit, përbën krim. Të gjithë ata që kanë konsumuar këtë vepër penale, këtë krim, do të përgjigjen para ligjit. Në SHBA ka ndodhur një skandal i ngjashëm me këtë që po flasim ne, dhe ka dhënë dorëheqjen një president, pasi cenohet rëndë siguria kombëtare.

Debatet në komision, LSI: Jemi para një skandali

Flamur Noka: “Do kërkojmë që nesër (sot) në 10:00 ministri Tahiri të jetë në Komision për të dhënë shpjegime.
Në 11:00 do thirret Llalla për të dhënë detaje mbi hetimin çfarë ka rezultuar.
Në orën 12:00 do thirret kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Në orën 13:00 do thirret kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika për raportim.
Pirro Lutaj: “S’mund të thirren krerët e institucioneve kur ka nisur hetim për çështjen”tha Lutaj, i cili kërkoi hedhjen në votim të kërkesës.
Luan Rama: “Tani kemi një denoncim mediatik mbi përgjuesin. Parimisht mbështes rritjen e rolit të Komisionit për çështje të tilla. Të kërkojmë informacion zyrtar para thirrjes së drejtuesve. Unë rezervoj të drejtën ta besoj informacionin. Nëse policia ka vepruar në kundërshtim me ligjin jemi para një skandali. Nuk do paragjykojmë pa patur një informacion zyrtar. Nëse është e vërtetë çështja duhet trajtuar shumë më thellë. Nëse kjo pajisje ka hyrë në vend implikimi është më i madh se Policia. Implikohen disa individë e institucione, duke nisur nga dogana”.
Sterkaj-Luan Ramës: Po e bëni fakt çështjen e pajisjes së përgjimit.
Luan Rama: Nuk e bëj fakt, por të kërkojmë informacion zyrtar.
Noka: Pajisja është fakt dhe kjo është e vërtetuar.
Luan Rama: Të formalizojmë informacionin për të mësuar të vërtetën. Jam i prirur të besoj se pajisja e përgjimit nuk ekziston. Pajisja mund të ketë lajthitje të drejtuesve të Policisë së Shtetit.
Sterkaj: Nuk mund të bëjmë analiza sikur pajisjen e kemi në tavolinë. Duhet të marrim informacion nga njerëzit kompetentë. Informacioni është thjesht mediatik. Ne ta çmojmë nëqoftëse e duam ministrin apo jo dhe e hedhim në votë. Nëse ka nisur një hetim s’mund t’i ftojmë autoritetet në Komision, nuk mund të dalim jashtë kompetencave.
Luan Rama:Çështja ka dalë në gazetë, se po ta kishte thënë Doktori do ta besoja. Të marrim informacion nga institucionet, më pas thërrasim titullarët.
Noka: Ne jemi përpara një skandali me përmasa kombëtare. Titullarët janë thirrur për çështje më me pak rëndësi. Ky është skandal i paprecedentë në historinë e vendit. Ne e kemi thënë, seancë dëgjimore dhe marrim informacionin.
Lutaj: Na sillni informacion që kërkesën ta kemi të bazuar.
Deputetët e PS, Lutaj, Qefalia, Çuko dhe Ndreu largohen nga mbledhja e Komisionit të Sigurisë.
Patozi: Deputetët e PS ikën se janë të shqetësuar për titullarët më shumë se për skandalin. Nëse skandali i përgjimit rezulton i vërtetë përmbys pushtetin pajisja e përgjimit. Është media që në shumë raste ka zbuluar skandalet, ndaj nuk duhet injoruar. Titullarët të vijnë për të dhënë versionin e tyre e të hedhin dritë për ngjarjen.
Luan Rama: Nuk e nënvlerësoj rolin e medias për çështje. Të jemi të matur për të zbardhur çështjen mbi bazën e një logjike që hedh dritë. SHISH të jetë institucioni i parë që do na japë informacion. Ta trajtojmë çështjen hap pas hapi, të mos bëjmë propagandë.
Noka: Unë nuk çmoj renditjen e titullarëve, por thelbin e ngjarjes.
Luan Rama: Drejtori i SHISH është ai që na nis proçesin, kjo çështje është logjike.

Tahiri të tregojë si hyri pajisja në Shqipëri

Noka: Kjo pajisje është e paligjshme, është prodhuar në Itali, kanë tentuar ta fusin në procesin ligjor dhe nuk është lejuar. Mund të na thotë ky ministër si ka hyrë kjo pajisje, është dhuruar, është regjistruar në doganë? Duhet të ketë një dokument për secilin rast, dhe duhet një regjistrim në regjimin e përkohshëm. Në momentin që e merr për pak kohë, futet në regjimin e përkohshëm doganor. Nëse e merr një pajisje jashtë çdo procedure ligjore, t’i je bandë. Është momenti për të vënë alarmin, siguria kombëtare në këtë vend, nuk ka qenë kurrë në rrezikun që është sot. Unë do konkludoj kur të shoh një dokument të Interforzës. Jam i prirur të besoj se nuk mund t’i shkojë mendja asnjë zyrtari të saj të përgjojë në Shqipëri”, është shprehur Noka. Deputeti demokrat bëri të ditur se kjo pajisje përgjon të gjithë rrjetet sociale që ka smartpohne. “Ndryshe nga pajisjet e tjera të përgjimit, kjo ka antenë falco, e cila përforcon valët e telefonit. Problemi, është se nuk duhet të hyjmë kaq thellë, por kjo pajisje është kapur në punë. Janë përgjuar, sepse janë kapur frekuenca.

Arben Shahini

Artikulli paraprakTahiri pastron dosjen e Balilit në polici dhe sistemin TIMS
Artikulli tjetërDEA amerikane përjashtoi Tahirin nga hetimi për baronin e drogës, Balilaj