Fatura e ujit mbi 40 mijë lekë

Qytetarë dhe shoqata kundër rritjes së çmimit të ujit kanë paralajmëruar dje vijimin e protestave dhe revoltës deri në zhbërjen e vendimit të Veliajt për rritjen e çmimit të ujit. Tarifat aktuale të ujit në Tiranë deri 6 herë më të larta në raport me të ardhurat për frymë. E ndërsa aktualisht fatura e ujit që paguajnë konsumatorët shqiptarë varion nga 17 mijë lekë të vjetra e deri në 25 mijë lekë të vjetra, me rritjen e bërë dje në darkë nga Bashkia e Tiranës fatura do të kriposet edhe më shumë duke kapur nivelin e minimumit që paguajmë për energjinë elektrike, deri në vlerën e 40 mijë lekëve të vjetra.  Përgjatë kohës që mbahej mbledhja e Këshillit Bashkiak, ku Veliaj po mbyllte pazarin e tij, jashtë shumë qytetarë të Tiranës, të thirrur nga grupimi qytetar kundër rritjes së çmimit të ujit, organizuan një protestë. Me anë të një deklarate ata dolën kundër rritjes së çmimit të ujit, duke u shprehur se ajo është e paargumentuar dhe vjen vetëm si pasojë e keqmenaxhimit të Ujësjellës-Kanalizimeve. Një prej folësve tha se, Veliaj dhe në këtë rast po vepron njësoj, siç rriti taksat për biznesin dhe çdo taksë tjetër që rëndon mbi kurrizin e qytetarëve. Janë pikërisht këta qytetarë që mashtruesi që është në krye të Bashkisë do i konsideronte qenëri. Kryemashtruesi, që i rëndon mbi kurriz vdekja e 17-vjeçarit në landfillin e Sharrës, nuk ngurroi dhe një herë të ofendojë njerëzit e këtij qyteti, që po i vjedh dhe po i takson çdo ditë e më shumë.

Revolta e protestuesve

Në deklaratën e shpërndarë nga protestuesit theksohet qartë se, fajtori i vetëm për keqmenaxhimin e këtij sektori është Bashkia e Tiranës dhe pasojat e këtij keqmenaxhimi kërkon t’ua faturojë qytetarëve “Ne jemi një grup qytetarësh të angazhuar dhe të shqetësuar nga një informacion publik, i cili na bën me dije se në mbledhjen e datës 26 korrik 2017, ndër të tjera do të shqyrtohet edhe vendimi ‘për dhënie mendimi për ndryshimin e tarifave’. Më poshtë po shtjellojmë disa nga argumentet. Bashkia argumenton se UKT është një ndërmarrje jo rentabël, e cila nuk ka likuiditet që të kryejë investime, por bazuar në deklarimet publike vetëm për vitin 2016 UKT ka arkëtuar një fitim prej 5 milionë eurosh. Qartazi kompania nuk është në vështirësi financiare siç pretendon. Bashkia pretendon se rritja e çmimit do të përmirësojë shërbimin, por bazuar në informacionet zyrtare ne mendojmë që mungesa e shërbimit qëndron tek keqmenaxhimi dhe jo te tarifat. Më konkretisht, sipas raportit të ERU në vitin 2016, 67.1% e ujit të shpërndarë nga ujësjellësi nuk tarifohet. Praktikisht vetëm 22.9% e ujit të shpërndarë faturohet, pjesa tjetër ose vidhet ose shpërdorehet duke i shkaktuar dëme kompanisë. Nëse ndjekim një logjikë të thjeshtë bazuar tek tarifat e deklaruara nëse kompania do të mirëmenaxhohej dhe mos shpërdorohej, fitimi i saj minimalisht do të rritej me dhjetë milionë euro në vit, shumë kjo e mjaftueshme për të realizuar investimet. Sipas një raporti të BB, Shqipëria ka çmimin më të lartë të ujit në rajon. Ne ja kalojmë për shtrenjtësi të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që po sipas BB, Shqipëria ka popullsinë më të varfër të rajonit. Dhe të ardhurat duhet të jenë në proporcion. Kjo diferencë në çmim. Mungesa e shërbimit e ritheksojmë se nuk vjen si pasojë e mungesës së burimeve hidrike, se ne kemi burimet më të shumta në rajon, por si pasojë e keqmenaxhimit dhe korrupsionit. Rritja e çmimit nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit dhe do të varfërojë dhe më shumë qytetarët shqiptarë. Tirana sot është qyteti më i shtrenjtë në Shqipëri. UKT ka nevojë urgjente për mirëmenaxhim. Një institucion kampion në shpërdorimin e parasë publike, nuk mund të kërkojë më të administrojë shumë fonde. Në raportin e KLSH theksohet qartë se vetëm si pasojë e largimit të punonjësve nga puna dhe punësimit jashtë kritereve ligjore, UKT ka shkaktuar një dëm prej 347 mijë eurosh, kjo brenda një viti. Ndërsa shpërdorimi i fondeve ka kapur shifrën e 5.5 milionë eurove. Përpara se t’i japim më shumë fonde kësaj kompanie është urgjente të mbyllen gropat e abuzivitetit”, thuhet në deklaratën e grupimit qytetar kundër rritjes së tarifave të ujit.

Tarifat aktuale të ujit në Tiranë deri 6 herë më të larta, por kjo nuk mjafton

Ka një parim të përbotshëm që karakterizon metodologjitë e miratimit të tarifave të ujit, ku familjet me të ardhura të ulëta duhet të jenë në gjendje të plotësojnë nevojat bazë të konsumit duke shpenzuar jo më shumë se 5% të të ardhurave të tyre për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizime. Ky parim bëhet i ditur nga Enti Rregullator i Ujit (ERU), i cili shpjegon se ky kufi vlen edhe për ndërmarrjet shqiptare të ujit, qoftë ato në pronësi publike apo private. ERU thotë se tarifa, që familjet më të ardhura të ulëta duhet të paguajnë, nuk duhet të jetë më shumë se 5 për qind e të ardhurave mujore, por në Tiranë tarifat aktuale të ujit jo vetëm që kapërcejnë këtë kufi po janë disa herë më të larta. Tarifa aforfe e ujit në Tiranë për personat që nuk kanë matës në zonën e Komunës së Parisit është 2340 lekë. Kjo vlerë është sa 15 për qind e pensionit mesatar në Tiranë. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore pensioni mesatar në zonat urbane në vitin 2016 ishte 14,873 lekë. Për rrjedhojë tarifa e faturës aforfe e ujit që duhet të paguajë një pensionist, që jeton vetëm, është sa 15 për qind të ardhurave mujore ku parimi që udhëheq vendosen e tarifave të ujit kërkon që të jetë më pak se 5%. Gjithashtu fatura aforfe e ujit zë 28 për qind të të ardhurave te një familje që jeton me ndihmë ekonomike, e cila aktualisht në nivelin maksimal të saj është 8000 lekë në muaj. Përllogaritjet tregojnë se fatura e ujit edhe me çmimet aktuale është më e lartë se aftësitë paguese të familjeve me të ardhura të ulëta. Sipas relacionit, për familjarët propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lekë/ m3 në 65 lekë/m3. Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3. Sipas relacionit të Bashkisë, shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e planit të biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës, nga 75% më 2016, në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021 dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018”. Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës-Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rikuperimit të detyrimeve të prapambetura. Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015.

Artikulli paraprakMinistrat e PD, gati dorëheqjet nga qeveria
Artikulli tjetërPazari Veliaj-LSI, tradhëton Tiranën