Protesta në Himarë, banorët: “Do t’i mbrojmë me jetë pronat tona”

Banorët e Himarës janë hedhur sërish në protestë dje, kundër shembjes së banesave të tyre nga INUK. Të mbledhur para Bashkisë, banorët janë shprehur se do t’i mbrojnë me jetën e tyre pronat. Protestuesit u vendosën ashtu si dhe herët e tjera përballë Bashkisë, ku me pankarta në duar hodhën thirrje se nuk do të lejojnë asnjë lloj ndërhyrjeje në tokën e tyre, nëse nuk do t’i regjistrohet prona dhe të shpronësohen.
“Çështja e pronave duhet të zgjidhet sa më parë. Jemi gati të japim jetën për pronën. Po provokohemi. Duhet të ruajmë qetësinë nga provokimet”, kanë thënë banorët. Vendimi i qeverisë për t’i shembur disa shtëpi si pjesë e planit rregullues, ka shkaktuar prej kohësh pakënaqësi e protesta. Ai u bë objekt debatesh të forta në Parlament mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të PBDNJ, Vangjel Dule.
Rama tha se, të tilla ndërtesa janë shembur në të gjithë vendin dhe Himara nuk bën përjashtim. Por, Dule i kërkoi që përpara se të prishte shtëpitë e banorëve të Himarës, të shembte ato të miqve të tij të ndërtuara pa leje dhe jashtë çdo rregulli.
Për Himarën ka reaguar edhe Athina, çka ka bërë që tensionet mes dy vendeve të rriten. Tensionin e rriti një postim i kryeministrit Rama të Akropolit, me një shënim që dikur në Athinë ishte folur shqip dhe që Akropoli ishte shpëtuar nga shqiptari Gjergj Dushmani.
Edhe Nikollaq Neranxi, Kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Pronave të Bregdetit dhe Biznesit të Vogël iu ka bërë thirrje ambasadorëve të kthejnë sytë nga Himara. “Apel ambasadave që ta shikojnë me prioritet problemin e Himarës. Himara është një popull që i ka mbështetur të gjithë. Do lidhemi me zinxhirë dhe pronën nuk do ta lëshojmë. Kjo është protesta e fundit përballë Bashkisë, pasi Jorgo Goro nuk e meriton.
Himarjotët e rritën një djalë çam që ngeli në rrugë. Çamët kur kanë ardhur në Shqipëri janë mikpritur nga himarjotët. Goro e dha përgjigjen e tij që është i vendosur të na marrë pronën. Ai është i kapur. Nuk do lejojmë që Himarën të na e marrin përderisa e kemi. Nuk do të lejojmë qeverinë që të mbajë qëndrim selektiv, duke i dhënë njërit komunitet pronën dhe tjetrit jo”, deklaroi Neranxi. Për të ruajtur rendin, protesta është mbajtur nën vëzhgim nga forca të shumta policie.

Artikulli paraprakGrabitje me armë në Kurbin
Artikulli tjetërGjobë shoferit pse dëgjonte këngën e Sali Berishës