Protesta e rrallë në Kongres e demokratëve

Në SHBA, një grup prej rreth 30 demokratësh në Dhomën e Përfaqësuesve organizuan një protestë të pazakontë të mërkurën ndaj refuzimit të republikanëve për të hedhur në votë një rezolutë që parashikon kufizimin e blerjeve të armëve.
Ligjvënësit ecën në pjesën e përparme të Dhomës së Përfaqësuesve brenda ndërtesës së Kongresit. Ata njoftuan se po protestonin për të detyruar Kryetarin e Dhomës, Paul Ryan, udhëheqës i shumicës republikane, që të anulojë pushimin njëjavor të Dhomës së Përfaqësuesve të planifikuar për javën e ardhshme.
Demokratët bënë thirrje për një debat dhe votim mbi masat për të zgjeruar kontrollet ndaj personave që blejnë armë si dhe për të mos lejuar blerjen e armëve nga ata që dyshohen si terroristë.
Disa nga ligjvënësit demokratë u ulën në dysheme, duke i lënë të habitur republikanët me këtë taktikë që është e zakonshme për protestat në rrugë, por jo në Kongres.
Protesta drejtohet nga ikona e të drejtave civile, John Lewis nga Georgia, i cili tha se “në 12 vitet e fundit krimet me armë morën më shumë jetë amerikanësh sesa SIDA dhe mbidozat me narkotikë së bashku”.
Ligjvënësi republikan që kryesonte seancën, Ted Poe i Teksasit, deklaroi pushimin e saj dhe dha urdhër të ndërpritej mbulimi televiziv.

Artikulli paraprakPhillips: Burgjet shndërrohen në universitete për xhihadistët
Artikulli tjetërIvanov gjen armiqtë e brendshëm