Protesta, banorët bllokojnë punimet për impiantin e mbetjeve në Fier

Banorët e fshatrave Kallm dhe Verri i janë drejtuar makinerive që po ndërtojnë impiantin e mbetjeve në Fier, duke bllokuar punimet, të shtyrë nga frika për dëmin mjedisor që ky impiant mund të shkaktojë. As policia që u njoftua, por nuk ndërhyri, dhe as kompania që bëri dëgjesë publike me banorët, nuk ka bindur banorët të ndërpresin protestën e tyre për ndalimin e ndërtimit të impiantit. Të shqetësuar, prej 3 ditësh protestuesit bllokojnë këto punime dhe thonë se ky projekt do të ndotë mjedisin ku ata jetojnë dhe tokat bujqësore.
Më parë, impianti i mbetjeve në Fier ishte planifikuar të ndërtohej në fshatin Portëz, por banorët e kundërshtuan këtë ndërtim në zonën e tyre, sikurse banorët e Mbrostarit, të cilët kanë dy muaj që kundërshtojnë impiantin me protesta.
Bisedime me banorët nuk kanë zhvilluar vetëm përfaqësues të kompanisë që ndërton impiantin, por edhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit që kanë zhvilluar bisedime nuk i kanë bindur banorët se vepra nuk do të ndotë ambientin. Bashkia e Fierit nuk po përballet e vetme me probleme me fushat e grumbullimit të mbetjeve.
Protesta është mbështetur edhe nga Dega e PD Fier. “Vazhdon protesta kundër ndërtimit të impjantit të plehrave, pranë qendrave të banuara. Filloi me banorët e Portëzës, Mbrostarit dhe tani protesta vazhdon me banorët e Verrisë dhe Kallm i Vogël. Banorët ndihen të revoltuar nga mashtrimi i kryetarit të bashkisë, ku ai vetë ka pohuar anulimin përfundimtar të ndërtimit të impjantit të plehrave. Në mbështetje të protestuesve, ashtu si dhe në protestat e tjera, vazhdon të jetë PD Dega Fier, si dhe të gjithë qytetarët fierakë që janë kundër këtij impianti”, thuhet në një postim në Fecebook të Degës së PD Fier.
Jo vetëm Bashkia e Fierit, por dhe njësitë e tjera vendore të Mallakastrës, Roskovecit dhe Patosit, kanë probleme me fushat e grumbullimit të mbetjeve.

Artikulli paraprakISIS merr përgjegjësinë për sulmin në Londër
Artikulli tjetërPlantacion droge me vlerë 300 mijë euro, arrestohet shqiptari në Itali