Prokuroria thërret Tahirin si dëshmuar për krimet e Shullazit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar që në gjyqin kundër Emiliano Shullazit të thirret si dëshmitarë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, për t’u pyetur lidhur me kërcënimet ndaj Mynyr Konit dhe Dhori Kules.
Në gjyqin ndaj Shullazit do të thirren 38 dëshmitarë dhe në mesin e tyre, përveç ish-ministrit Tahiri dhe ish-ministres Nikolla, Prokuroria ka thurrur edhe drejtorin e Përgjithshëm të  Policisë së Shtetit, Haki Çako, ish-drejtorin e Policisë së kryeqytetit Ervin Hodaj, dy profesorët Dhori Kule e Minir Koni si dhe avokatin e njohur Neshat Fana. Veç këtyre dëshmitarëve, Prokuroria kërkoi që të pyetet dhe ballafaqohet me të pandehurit edhe dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë, biznesmeni Ylvi Beqja. Ky i fundit ka akuzuar direkt të pandehurin Shullazi dhe pjesëtarët e bandës së tij për kërcënime, ku është detyruar të paguaj në formën e gjobës rreth 500 mijë euro.
Në sallën e gjyqit, dy prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, veç emrave të dëshmitarëve lexuan edhe kërkesën për gjykim në ngarkim të 5 të pandehurve, të cilët do të gjykohen për 9 vepra të ndryshme penale. Përfaqësuesit e akuzës, renditen kronologjitë e ngjarjeve ku është përfshirë Shullazi me cilësinë e drejtuesit të organizatës kriminale dhe të dyshuarit si pjesëtar të bandës së tij.
Në dosje thuhet se, Emiliano Shullazi dhe banda e tij, kanë vendosur dhe marrë në formën e gjobës shuma të mëdha parash nga 3 biznesmenët. Veç Ylvi Beqjas, të pandehurit i kanë vendosur eksploziv biznesmenëve Adriatik Kërçuku dhe Jani Zaka, në formë presioni për të paguar gjobat e kërkuara. Të pandehurit përveç gjobava, ata kanë kanosur për shkak të detyrës edhe dy profesorët Dhori Kule dhe Mynyr Kone me qëllimin e vetëm që të tërhiqeshin nga gara e zgjedhjeve në Universitete.
Në sallën e gjyqit të pandehurit nuk folën për akuzat, ndërsa avokatët kërkuan kohë të kundërshtojnë provat e Prokurorisë, kërkesë që ju pranua nga Gjykata, duke caktuar datën 6 qershor si ditën e vazhdimit të procesit gjyqësor.

Artikulli paraprakProkuroria sekuestron 52 mijë m2 tokë në Zvërnec
Artikulli tjetërSulmi kimik ndaj opozitës, Prokuroria dërgon analizat në Gjermani