Prokuroria sekuestron 285 mijë metra tokë në bregdetin “Rana e Hedhun”

Prokuroria e Lezhës ka sekuestruar një sipërfaqe totale prej 285 mijë metra katrorë tokë në zonën bregdetare “Rana e Hedhun”, në Shëngjin, e dyshuar se është përfituar në bazë të dokumentave të falsifikuar. Sipërfaqja e sekuestruar është e ndarë në 5 parcela dhe aktualisht gjendet në pronësi të disa persona të ndryshëm. Prokuroria e Lezhës nisi hetimin, në bazë të kallëzimit të një shtetasi, i cili posedon dokumenta zyrtarë për pronësinë mbi këtë tokë, por që në fakt rezulton se është regjistruar në emër të personave të tjerë.
Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Lezhës ka krijuar dyshimet e arsyeshme se 5 parcelave iu është ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme zëri kadastral nga zonë pyjore, në zonë në pemëtore e tokë arë. Dhe, më pas, këto prona janë tjetërsuar në bazë të dokumentave të falsifikuar.
Konkretisht, shtetasi Gj.C., është njohur si trashëgimtar i një sipërfaqeje në zonën e “Ranës së Hedhun”, me vendim Gjykate të vitit 2006. Në shtator të vitit 2017, kallëzuesi konstaton se toka, për të cilën ai është njohur si trashëgimtar i ligjshëm, është regjistruar në emër të personave të tjerë dhe për këtë arsye i drejtohet Prokurorisë së Lezhës me kallëzim penal.
Në bazë të akteve proceduriale të deritanishme, Prokuroria ka konstatuar problematika të theksuara në mënyrën e regjistrimit të këtyre pronave në emër të shtetasve të ndryshëm.
Personat, në emër të të cilëve është regjistruar prona, nuk janë banorë të zonës së Mali të Rencit “Rana e Hedhun”, por janë banorë të një njësie tjetër të Qarkut Lezhë. E, megjithatë, ata kanë regjistruar këto prona me vërtetime të aktit të marrjes së tokës në pronësi, në bazë të Ligjit nr.7501/1991 “Për Tokën”.
Në bazë të Ligjit nr. 7501, përfitonin tokë vetëm banorët e zonave ku gjendeshin tokat dhe zërat kadastralë pyje dhe ranore ishin të përjashtuar nga procesi i ndarjes së tokave. Pra, Prokuroria e Lezhës konstatoi fillimisht se, parcelat janë regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë, si edhe, për më tepër, sipërfaqja e ndarë në bazë të ligjit “Për Tokën”, ka qenë e përjashtuar nga ky proces, pasi ishte zonë pyjore dhe ranore.

Artikulli paraprakMungojnë librat, nxënësit në Çermë nuk pajisen me tekste
Artikulli tjetërFestoi pas fitores së Skënderbeut ndaj Partizanit, Gëllçi pushon gazetaren