Prokuroria nis hetimet për zyrtarët e përfshirë në fushatë

Prokurori ka nisur hetimet për zyrtarët dhe drejtorët e shkollave dhe të shëndetësisë të përfshirë në fushatën zgjedhore. Bëhet e ditur se, pas shkarkimit të dhjetëra zyrtarëve dhe kallëzimit të tyre në Prokurori me motivacionin se janë përfshirë në fushatën elektorale, organi i akuzës ka nisur hetimet për çdo rast. Në këtë hetim janë përfshirë disa Prokurori të rretheve si Berat, Durrës, Tiranë, Shkodër dhe veprimet hetimore po kryhen për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe detyrimin e qytetarëve për të marrë pjesë në aktivitete politike.
Pjesa dërrmuese e të larguarve janë përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vetëm të shtunën, ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi urdhëroi shkarkimin e 8 zyrtarëve në varësi të tij, 5 drejtorë burgjesh, 2 hipotekash dhe drejtorin e Përmbarimit Gjyqësor në Durrës. Sipas ministrit është e provuar që këta ish-zyrtarë janë përfshirë në fushatën e partive politike dhe në Prokurori kanë dorëzuar prova që i implikojnë.
Këto prova po verifikohen nga Prokuroria dhe në ditët në vijim nëse do të jetë e nevojshme do të thirren për t’u pyetur edhe personat e kallëzuar. Hetimet kanë nisur edhe për drejtorë në arsim e shëndetësi të përfshirë në fushatën zgjedhore.

Artikulli paraprakNipi i Zani Çaushit, fushatë për Edi Ramën në Vlorë!
Artikulli tjetërUdhëzimi: Policisë dhe Gardës u ndalohet fushata edhe pas orarit të punës